Raporti gjerman: Situata ekonomike në Shqipëri mbetet kritike

Në anketimin mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri, i cili u plotësua në fillim të këtij viti nga kompanitë anëtare të DIHA-s si dhe nga disa investitorë të huaj të tjerë, dominon, ashtu si dhe në vitet e fundit, një vlerësim kritik i situatës ekonomike në Shqipëri dhe i kushteve të bërit biznes. Faktorët, të cilët kompanitë i marrin parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar, janë vlerësuar veçanërisht në mënyrë kritike. Megjithatë, edhe këtë vit, mbi 80 % e të anketuarëve shprehen se do ta zgjidhnin sërish Shqipërinë si vend për të investuar.

Rezultatet e anketimit mbi klimën e biznesit në Shqipëri 2013 dëshmojnë për një përkeqësim të situatës ekonomike në vend. Ndërkohë që vitin e shkuar 64 % e të anketuarëve e vlerësonin situatën ekonomike si të kënaqshme, këtë vit 64 % e të tyre mendojnë se situata ekonomike aktuale është negative. Përsa i përket parashikimeve afatmesme mbi ekonominë shqiptare, në ndryshim nga viti i fundit, kompanitë janë më optimiste. 15 % e të anketuarve parashikojnë përmirësim të gjendjes ekonomike gjatë vitit 2013. 33 % mendojnë se situata nuk do të ndryshojë, ndërkohë që 52 % mendojnë se situata do të përkeqësohet. Vitin e shkuar asnjë kompani nuk ka parashikuar përmirësim të situatës ekonomike.

Rezultatet e vlerësimit të biznesit vetjak gjatë këtyre viteve janë përkeqësuar. Në vitin 2011, 67 % e të anketuarve e cilësojnë situatën si pozitive, në vitin 2012 vetëm 42 % dhe në vitin 2013 ky vlerësim ka rënë në 24 %. Në lidhje me parashikimet për biznesin në kompanitë e tyre, të anketuarit janë paksa optimistë. 33% presin një përmirësim të situatës, ndërsa vetëm 9% parashikojnë një përkeqësim të saj.

Këto vlerësime jo pozitive kanë ndikuar edhe në parashikimet për numrin e punonjësve. Vetëm 27 % e kompanive të pyetura parashikojnë rritje të numrit të punonjësve, ndërkohë që 18 % prej tyre presin të ulin numrin e të punësuarve. I njëjti hezitim vihet re edhe në parashikimet e shpenzimeve për investime. Lidhur me vitin ekonomik aktual, 45 % e të anketuarve mendojnë se investimet për këtë vit do të mbeten të pandryshuara. Vetëm 27 % do të rrisin investimet e tyre, ndërkohë që 27 % do t’i ulin ato.

Në vlerësimin e kushteve të vendit si destinacion investimesh, kompanitë e pyetura vazhdojnë të shohin nevojën për përmirësim të dukshëm. Rezultatin më të keq e merr faktori “Korrupsioni dhe kriminaliteti”. 55% e të anketuarve shprehen se janë shumë të pakënaqur me “Luftën ndaj korrupsionit dhe
kriminalitetit“. 52% e kompanive të pyetura janë të pakënaqura me “Administratën Publike” dhe kërkojnë që procedurat në administratën publike të jenë më transparente. 48 % janë të pakënaqur me “Parashikueshmërinë e politikave ekonomike“. Vlerësimet më të mira ndër kushtet, të cilat kompanitë i marrin parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar, edhe këtë vit i morën punonjësit e vetë bizneseve, ku cilësia, motivimi dhe produktiviteti i tyre shihen pozitivisht.

Çështje të tjera të përmendura nga të anketuarit në përgjigje të pyetjes se “Cilat janë detyrat më urgjente të Qeverisë Shqiptare?”, janë zbatimi i ligjeve, zhvillimi i infrastrukturës, furnizimi me energji elektrike, përmirësimi i sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, largimi dhe trajtimi i mbetjeve si dhe investimet në arsimin profesional. “Përmirësimi në sektorin e arsimit profesional mundëson vende pune për persona që kanë kualifikim të ulët, të cilët janë urgjentisht të nevojshëm për industrinë prodhuese“ shprehet presidentja e DIHA-s, znj. Andrea Gebbeken.

Përmbledhja e saj mbi këtë anketim është: “Në qoftë se Shqipëria dëshiron të ketë investitorë të huaj, duhet të punojë me të gjithë kushtet e përmendura më sipër. Në mënyrë të veçantë duhet që ligjet shqiptare të respektohen nga të gjitha palët. Vetëm në këtë mënyrë mund të shfrytëzohen potencialet e
vendit nga kompanitë vendase dhe të huaja”.

Rreth anketimit
Nga data 1 shkurt deri më 3 mars 2013, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, së bashku me 16 Dhoma Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore (EQL) realizoi me kompanitë anëtare anketimin vjetor për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri. Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri e zhvillon këtë anketim për herë të katërt radhazi. Përsa i përket numrit të të anketuarve, ky anketim ka qenë më i sukseshmi. Në të gjithë vendet e rajonit të EQL-së
morën pjesë gjithsej 1623 kompani, nga të cilat 33 kompani ishin nga Shqipëria. Kjo korrespondon me një pjesëmarrje prej 50% të kompanive anëtare të DIHA-s.

Anketimi bazohet në një pyetësor të shkruar, i cili hartohet nga Dhomat Gjermane të Europës Qendrore dhe Lindore dhe u paraqitet të gjitha kompanive anëtare në shtete të ndryshme. Me përjashtim të disa
pyetjeve, të cilat janë specifike për disa shtete, temat dhe pyetjet e tjera jane për të gjitha vendet njësoj. Rreth Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është një shoqatë e pavarur, e krijuar nga kompani të ndryshme në përputhje me legjislacionin shqiptar, me seli në Tiranë. DIHA ka aktualisht 66
kompani anëtare dhe po zgjon gjithmonë e më shumë interesin e biznesit.
DIHA përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri. Ajo nxit marrëdhëniet bilaterale të biznesit dhe jep konsulencë për kompanitë gjermane dhe shqiptare në lidhje me bashkëpunime të mundshme dhe zhvillime të tregut. Nëpërmjet një marrëveshjeje bashkëpunimi, DIHA është e lidhur me rrjetin e Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK). AHK ka në të gjitha ato vende, të cilat janë me interes për ekonominë gjermane, pra në rreth 85 shtete me rreth 130 zyra.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT