Preshevë, shqiptarët: Duam të drejta si të serbëve në Kosovë
PRISHTINË-Shqiptarët e Luginës së Preshevës, në Serbi, kërkojnë të drejta si të serbëve në Kosovë.
Në një protestë të mijëra shqiptarëve sot në Bujanoc u ritheksua se “Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë ka ftuar qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë ta zgjidhin çështjen e Luginës së Preshevës sipas parimit të reciprocitetit në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel”.
“Kërkojmë nga Serbia respektimin e Marrëveshjes së Konçulit, respektimin e konventave ndërkombëtare, realizimin e Planit të vitit 2001, integrimin në jetën publike dhe zhvillimin e premtuar ekonomik”, ishte një mesazh i protestës e cila u zhvillua pa incidente.
Sipas njoftimeve nga Bujanoci, në protestën e organizuar nga të gjitha subjektet politike shqiptare në Luginë u kërkua kthimi i lapidarit me emrat e shqiptarëve të rënë në Preshevë, të hequr nga xhandarmëria serbe në janar.
Ndër kërkesat ishte edhe heqja e një memoriali të xhandarmërisë serbe të ngritur në Lluçan, fshat i banuar me shumicë shqiptare.
Protesta e sotme në Bujanoc e shqiptarëve të Luginës ishte e dyta në këtë vit, pas asaj në Preshevë kundër heqjes së lapidarit të shqiptarëve, e cila ndodhej para Kuvendit të Komunës.
Në tre komunat e Luginës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegje, në jug të Serbisë, sipas përfaqësuesve të atjeshëm, numri i shqiptarëve është dyfish më i madh se i serbëve në veriun e Mitrovicës e të Kosovës.
Po sot, autoritetet lokale të Preshevës thanë se kanë shtruar kërkesën para Ministrisë së Drejtësisë në Beograd për legalizimin e pllakës përkujtimore, largimi i së cilës nxiti tensione në Luginë.
Ndërkohë, Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtarë i Krizave, sic ben te ditur sesioni shqip i Zerit te Amerikes, thotë se atje duhen veprime të shpejta. Në një shkrim të tij, ai thotë se kundërthëniet rreth pllakës përkujtimore janë një shkëndijë shtesë, meqë shqiptarët në rajonin më të varfër të Serbisë kanë shumë ankesa.
Ndonëse konflikti në zonë ka marrë fund më shumë se dhjetë vjet më parë, atje ka një prani të madhe ushtarake e policore që ndikon në krijimin e ndjenjës së frikës. Ndjenja e diskriminimit dhe izolimit është shume e thellë. Rajoni ka qasje të kufizuar në investime, punësim e arsimim, ndërsa udhëheqësit shqiptarë nuk kanë besim ne qeverinë e Serbisë dhe kërkojnë ndihmë nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan zoti Prelec.
Ndonëse pjesë e Serbisë, Lugina është e lidhur me Kosovën. Dhe sa herë që Kosovës i kërkohen në bisedime më shumë autonomi dhe më shumë të drejta për serbët në veriun e saj, Presheva reagon dhe shqiptarët pohojnë se kanë shumë më pak të drejta sesa serbët në Kosovë. Kur udhëheqësit e Serbisë hedhin idenë e ndarjes së veriut të Kosovës dhe bashkimit me Serbinë, Presheva tërheq vërejtjen se ajo do të kërkojë bashkim me Kosovën, thotë ai.
Duke përmendur reagimet në Kosovë por edhe Shqipëri pas tensioneve në Preshevë, Zoti Prelec shkruan se Beogradi duhet t’u përgjigjet kërkesave të shqiptarëve në Preshevës për dialog dhe të angazhohet për shtendosjen e situatës.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.