“Grekët të hapin sytë, dikur ne u hodhëm në zjarr për ta”

Entela Resuli 
Zyra ku punon është ca e rrëmujshme. Ka vetëm pak ditë që është zhvendosur. Intensiteti i punës në ditët e para ka qenë i lartë, aq sa nuk ka pasur mundësi të vendosë pak rend në tavolinën e gjatë, të mbushur me letra. Artur Zheji ruan një fisnikëri të lindur. Vështrimi i tij është i thellë. Herë-herë analizues, herë-herë dyshues. Flokët gri, pak të gjata, i japin një hije imponuese. “Mos e keni merak,- thotë buzagaz,- jam vetë gazetar, nuk do ju le të prisni”. Zheji është një nga penat e mprehta të analizës shqiptare. Ka miq nga të gjitha kahet politike. Tashmë siç edhe është bërë e ditur, gazetari i njohur drejton në News 24 Tv emisionin “360 gradë”. Ditët e fundit ai është personazhi më i lakuar në biseda, qoftë brenda medies ashtu edhe jashtë saj. Emisioni i tij i parë, ku të ftuar kishte Kristo Papas, deputetin grek të partisë “Agimi i Artë”, e njohur për prirjet neonaziste, ka pasur një shikueshmëri të lartë. Vlerësimet dhe kritikat në opinionin publik kanë qenë të ndryshme. Krahas thirrjeve anti-shqiptare të Papas, debati është përqendruar edhe në vetë rolin e gazetarit në këtë bisedë. A duhej apo jo të ishte Zheji aq i qetë përballë një personi i cili fyente dinjitetin e kombit nga ai vjen? Ku ndahet profesioni nga patriotizmi? Për këto dhe shumë pyetje të tjera përgjigjet gazetari Zheji në intervistën e dhënë për gazetën “Shekulli” 
Cili është raporti që keni me zgjimin e mëngjesit. Kur vjen Zheji në zyrën e punës?
Mëngjesi është padyshim i bukur. Por unë e shijoj rrallë. Por kur e shijoj pendohem si mos me keq që mëngjeset kanë perënduar pa i shijuar. Por gjithmonë i premtoj vetes se do të ndryshoj. Sepse është më mirë për shëndetin të flesh me pulat dhe të zgjohesh me gjelin…
Sa ndikon mjedisi përreth në punët, takimet, raportet tuaja me njerëzit?
Raporti me njerëzit është gjëja më e bukur e jetës. Mendoni një shtëpi bosh, apo një qytet të shkretuar. Tanimë shqiptarët shohin gjithmonë e më tepër punët e tyre dhe kjo i jep gjithkujt më shumë liri. Neve të ekranit nuk na përfshin kjo liri, por sidoqoftë është një privilegj që në më të shumtën e rasteve ka shijen dhe kënaqësinë e vet të papërsëritshme. Personalisht shoqërohem me gjithkënd, ndërsa gjërat e thella dihet mund të ndahen vetëm me fare pak njerëz. Puna është ndjesia e fortë që përshkon njeriun që përmes punës, ndjen se ekzistenca e vet, ka një kuptim dhe ky kuptim mbush më të shumtën e zbrazëtive që vizitojnë jo rrallë shpirtin e njeriut. 

Në fillim në televizion, më pas në ATSH, gazetë dhe tani përsëri në televizion. Kanë ndikuar në mënyrën tuaj të jetesës këto pozicione pune?
Çdo njeri ka një jetë të vetën. Puna jonë është gjithë kohës në tryezën e gjykimit publik. Dhe pra, ndryn në vetë gëzime dhe trishtime të pashoqe. Fatmirësisht gëzimet kanë qenë më të mëdha dhe ky është fat. Pothuajse çdo televizion ka një emision politik. Ju gjejmë në ekranin e News 24 me “360 gradë”. Si erdhi kjo ftesë? Ishte pothuajse një shkëndijë e papritur, një ‘përse jo!’ që mori sakaq përgjigje. Një marrëdhënie miqësore dhe entuziaste me Irfan Hysenbelliun dhe Artan Santon, për një projekt sfidant. Në News24, ka një klimë intensive pune dhe drejtim e organizim të ‘rreptë’. Nuk kam ardhur pra për një shëtitje relaksuese, por për një sfidë të rëndësishme mediatike. Publiku më mirëpriti. Kjo të shumëfishon përgjegjësinë dhe të përforcon bindjen se rikthimi në televizion, ishte në momentin e duhur.
Çfarë do bëni ndryshe ju nga kolegët tuaj në këtë emision?
Kjo është çështje perceptimi. Ndryshe bëhet gjithçka, sepse kjo është bukuria e jetës, të qenit ndryshe. Është publiku ai që gjykon dhe vlerëson të ndryshmen.
Që në fillim jeni bërë protagonist. Keni kapur tema të nxehta dhe personazhe që provokojnë. Është strategji për të qenë protagonist?
Jo vetëm. Kam një teori që po mundohem ta vërtetoj. Ne jetojmë shpesh në një realitet paralel. Një realitet të fshehur, mbi të cilin ecim dhe shpesh nuk e shohim. Është një realitet që nuk duhet lëmuar por duhet gërmuar. Si minatori apo jo? Minatorët i gjejnë mineralet e çmueshme në thellësi të sipërfaqes. Apo t’ju jap një shembull me spektrin e dritës? Drita që ne shohim është e bardhë. Po të përthyhet ajo përlind edhe shtatë ngjyra të tjera të fshehura. Brenda saj që shohim përditë ka shumë ngjyra që duhen dalluar dhe duhen veçuar. Kolegët tanë të huaj e quajnë këtë dukuri dekriptim. Dekriptim të realitetit… 
Intervista me Kristo Papas, gëzon akoma jehonë në opinionin publik. Pse zgjodhët një personazh të tillë për ta pasur në emisionin tuaj?
Sepse Papas ishte ai që shkaktonte përthyerjen që thamë më lart. Ai në të vërtetë është një dekriptues i sinqertë. Ai përfaqëson të paktën një të dytën e ajsbergut të marrëdhënieve historike shqiptaro- greke. Papas thotë dhe bërtet të ‘vërtetën’ e tij, të cilën shumëkush nga qarqet politike helene e pëshpërit apo e mendon dhe e fsheh njëkohësisht. Shikoni, unë mendoj se ne shqiptarët duhet t’i ndihmojmë fqinjët tanë helenë. Duhet t’i themi në sy, se kemi mijëra vite histori të përbashkët, se jemi hedhur në zjarr për ata në Revolucionin e vitit 1821. Jemi vrarë dhe martirizuar si asnjë popull tjetër për pavarësinë e Greqisë. Së paku të kishin mirënjohje për këtë dashuri dhe martirizim, apo jo?! Mirëpo Papas dhe jo vetëm Papas, mendon ndryshe, ose së paku shprehet ashtu si e dëgjuat.
Në rrjetet sociale lexohet se intervista që ju zhvilluat është një shërbim që i keni bërë kryeministrit për të paraqitur situatën e një albanofobie të theksuar në Ballkan. Keni ndonjë koment për këtë?
Kjo do të ishte tepër. Albanofobia nuk është një shpikje e Berishës, por është një shpikje ballkanike së paku 100 vjeçare. Mos vallë duhet të pranoj se Papas, edhe ai ishte i porositur? Këto janë lajthitje, ose që të jem më dashamirës, këto hamendësime, janë sofistikime që burojnë nga deformime profesionale të disave. Si dhe e patë, Papas goditi po aq rëndë si Berishën po ashtu edhe Ramën. Mendoj që kjo është tepër, pas një lodhjeje kaq të madhe.
Ishin të shumtë ata që komentuan duke thënë, si ka mundësi që një shqiptar, të qëndrojë aq i qetë përballë një personazhi që shan shqiptarët. Si e ruajtët qetësinë përballë tij teksa tundte flamurin përballë jush?
Ne jemi gazetarë. Ne duam lajmin dhe intervistën. Bëjmë raportimin e qetë dhe objektiv të asaj që shohim, dëgjojmë dhe regjistrojmë. Emocionet ja lemë shikuesit. Emocionet duhen nënshtruar që të bëjmë profesionalisht punën tonë. Flamuri edhe për mua është një simbol i shenjtë dhe i paprekshëm. Por intervista duhej e plotë dhe e paprekur që të nxirrnim në pah botën shpirtërore, mendore, filozofike dhe politike të të ftuarit. Ky është misioni ynë. Mendoj se shikueshmëria e lartë dhe më lejoni të them e jashtëzakonshme, e përligj këtë vetëpërmbajtje. Unë nuk jam një politikan që të bëja show dhe të kuroja artificialisht kozmetikën time profesionale. Ky do të ishte një spekulim. Dhe një reagim qesharak. Shqiptarët më njohin dhe nuk e lëkundin qëndrimin e tyre nga ato sekuenca. Më vjen mirë që ju është dhimbsur flamuri. Kemi nevojë ta kultivojmë edhe më tej këtë ndjenjë. Ndonëse ai nuk ishte flamuri ynë, por flamuri i perandorisë italiane fashiste që asokohe ishte imponuar si flamur i shqiptarëve.
“Me Edin Ramën nuk është shoqëri e prishur”
Nuk ka sesi të anashkalohet biseda për politikën e përditshme dhe marrëdhëniet me politikanët. Gazetari Zheji thotë se në fushën e analizës ka bindjet e tij. Kjo nuk e pengon të ketë miq nga të gjitha krahët. Rrëfen se ka qenë mik me Nanon. Me Berishën ka pasur disa gjyqe, ndërsa kur vjen fjala për Edi Ramën kujton bisedat filozofike dhe ëndërrimtare në rininë e tij.
Zoti Zheji, ju ngjall ndonjë ndjesi kur ju etiketojnë si “analist i pushtetit”? Si do t’i përgjigjeshit atyre që e thonë këtë?
Kam qenë kritik me Berishën, po ashtu edhe me Ramën. Në fushën e analizës kam bindjet e mia. Keni ndonjë vërejtje për argumentet që përdor për të vërtetuar parashtrimet e mia konceptuale? Etiketimet janë sporti i shikuesve ose i konkurrentëve. Etiketimet janë në thelb fundi i analizës dhe shterpësi argumentimi. Kështu ka ndodhur dhe kështu do të ndodhë. Jam krejt i pandjeshëm. Pushtetet shkojnë e vijnë, gazetarët mbeten.
Në kohën e qeverisë Nano keni qenë aleat me të. Po kështu dhe në kohën e Berishës duke mbajtur poste të rëndësishme siç ka qenë drejtues i TVSH-së dhe ATSH-së? Mund të themi se Artur Zheji e ka më kollaj të mbrojë më të fortin?
Me Nanon kam qenë mik, kur ai ishte në opozitë me partinë e tij dhe me kryeministrin Ilir Meta. Keni harruar lëvizjen për katharsis. Po më pas kam reformuar RTSH-në. Berisha lideri i opozitës së asaj kohe ishte po aq i pranishëm në televizion sa edhe Fatos Nano, kryeministër. Shqipëria hyri për herë të parë në Euro Festival dhe shkëlqeu me Anjeza Shahinin. Ky mendoj është profesionalizëm. Kërkoni sondazhet e Institutit të Medieve të zotit Remzi Lani. Në periudhën e reformave të mia drejtuese RTSH kishte një audiencë mbi 25 për qind, sot ka rënë ndërmjet 5-10 për qind. Dhe askush nuk merakoset sepse e quajnë një institucion të vdekur klinikisht. Në vitin 2006 u largova brutalisht nga drejtimi i RTSH pikërisht nga Sali Berisha. Kam fituar edhe disa gjyqe për këtë. Dje dhe sot kemi pasur dhe kemi ministra që belbëzojnë një shqipe mjerane dhe kanë diploma të blera. Përse ne gazetarët që japim provim përditë përpara shqiptarëve të na quhen mëkat detyrat drejtuese? Nejse! Karvani ecën përpara.
Keni njohje personale me katër nga politikanët kryesorë në vend të këtyre 20 viteve. Mund të na japësh një karakteristikë që i dallon Nanon, Berishën, Ramën dhe Metën?
E kam më të lehtë t’ju them se çfarë i bashkon. Duan pushtet dhe janë këmbëngulës. Pak kujtesë më e mirë do t’i bënte mirë të gjithëve.
Është marrëdhënia me Edi Ramën një shoqëri e prishur? E ëma e liderit të opozitës është shprehur se vite më parë ju ka pasur si djalin e tretë të familjes.
Neta është një zonjë grua. Unë ushqej të njëjtën dashuri dhe dobësi që kam pasur në rini për të. Një grua moderne, pak e ashpër por shumë herë më tepër e dashur. Fisnike dhe kinge. Kontradiktat i kam pasur me Edin. Unë e mirëkuptoj Netën. Por të njëjtën gjë ndjen edhe nëna ime Besa Imami. Ajo i ka gatuar Edit hallvë në një të natës, kur e gdhinim me biseda filozofike dhe ëndërrimtare. Edi nuk është kujtuar më për të. As për Petro Zhejin babain tim, që ka qenë për mjaft kohë një udhëheqës shpirtëror për Edin. Politika, jeta, pikëpamjet e ndryshme, mjerisht më shumë ndajnë se sa bashkojnë. Nuk është një shoqëri e prishur, është një shoqëri tjetër…
Në gjykimin tuaj ka vendi nevojë për rotacion politik. A është Edi Rama kandidat i duhur për kryeministër?
I uroj fat dhe fitore. Por ka rrugë të vështirë dhe të përpjetë. I duhen më shumë shokë dhe miq. Por ai ka stilin e tij. Le ta respektojmë këtë stil.
Jemi në 2013. Po hyjmë në muajt elektoralë. Ka pritshmëri të lartë konfliktuale. Ky rezultat i 2013-s, do jetë çështje fryme apo çështje shifrash?
Shifrash. Frymë nuk shohim të ngjizet nga asnjë krah.
Bie Berisha më në Qershor 2013?
Shifrat thonë jo. Teoria e probabilitetit e kërcënon me ‘po’. Nëse nuk bie është pra një përjashtim. Siç ishte një përjashtim edhe rikthimi i tij. 
Koha e fushatës transmeton hutim dhe ankth
Pas një karriere në Itali, në vitin 2003 ju u kthyet për t’ju përkushtuar karrierës këtu. Çfarë mësuat nga qëndrimi në Itali?
Shumëçka, por mbi të gjitha që jemi një popull i zgjuar dhe aspak inferior. Inferior ndaj askujt dhe ndaj asgjëje.
Sa prej atyre mësimeve i keni praktikuar edhe në Shqipëri?
Mbi të gjitha etikën gazetareske dhe taktikën gazetareske, pa të cilën nuk bën dot gazetari të mirë dhe nuk provokon dot kthimin e kokës së shikuesve, drejt asaj që ti bën dhe thua.
Çfarë ju shqetëson sot në shoqërinë shqiptare?
Rendje e tepruar pas parasë. Harresë për shpirtëroren dhe romantiken. Rendje mbas interesit. Dhunë arbitrare e më të fortit dhe nënshtrim i më të dobëtëve. Mungesë e mbrojtjes së vlerave njerëzore.
Cila është ajo veti shoqërore që ne si popull nuk duhet ta humbim?
Forca e vullnetit. Dhe sidomos krenaria.
Jemi në një vit elektoral ku partitë politike kanë filluar të nxjerrin kthetrat. Si një njeri i medies, çfarë efekti ka te njerëzit kjo gjuhë politike prej kundërshtarësh që aspirojnë pushtet?
Shumë egërsi e transmetuar. Hutim dhe ankth.
Pse pas zgjedhjeve qytetarët që shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës, kanë në fund shijen e mashtrimit nga politika?
Kjo është një histori mijëra vjeçare. Njeriu mund të mbrohet nga kjo vetëm duke ja varur më pak premtimeve të politikës. Duke e demistifikuar atë.
A do të pranonit të ishit një kandidat i opozitës në këto zgjedhje?
Jo as i opozitës dhe as i pozitës. 

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT