Avramopulos kritika Berishës dhe Erdoganit: Jo retorikës populiste
Ministri i Jashtëm grek, Dhimitris Avramopulos, ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Ethnikos Kirika”, se Greqia nuk do të trembet ngaaskush për të ndjekur strategjinë e saj të shpalljes së njëanshme të kufijve. Ai nuk i ka kursyer kritikat për kryeministrat Sali Berisha e Taip Erdogan, sa i përket deklaratave nacionaliste të kohëve të fundit. Gjatë kësaj interviste, ministri i Jashtëm grek tha se Athina ka jo vetëm vullnetin, por edhe aftësinë për të mos lejuar që retorikat populiste të dëmtojnë dialogun. Avramopulos është pyetur mbi deklaratat e kryeministrit Berisha për të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe dhe ato të kryeministrit Erdogan, i cili ka pohuar pak kohë më parë se Greqia po shet ishujt e vet. “Athina ka vullnet dhe aftësi për të mos lejuar retorikat populiste që të helmojnë dialogun dypalësh e shumëpalësh”,-është përgjigjur Avramopulos. Ai ka shtuar se Greqia ka aftësinë dhe vendosmërinë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj, të cilat përcaktohen nga e ‘Drejta Ndërkombëtare’. “Fqinjët e kanë marrë tashmë mesazhin”,-shtoi ai. Pyetjes se cilat janë prioritetet kombëtare të Greqisë për vitin 2013, ministri Dhimitris Avramopulos i është përgjigjur se “Paralel me stabilizimin dhe rimëkëmbjen e situatës ekonomike në vend, objektivi ynë është që Greqia të rimarrë pozicionin e liderit si një faktor stabilizimi në Europën Juglindore, në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme. Greqia do të jetë në boshtin e fortë të Europës, në Eurozonë, por edhe në të gjitha organizmat e bashkëpunimit mbarëkombëtar dhe federal”. Më tej, ai ka renditur konsolidimin fiskal, garantimin e konkurrencës në ekonomi dhe politikën e jashtme aktive në të gjitha frontet, si prioritete që përputhen e plotësojnë njëri-tjetrin. Ministri i Jashtëm grek i është përgjigjur interesimit sa i përket përcaktimit të kufijve detarë të Greqisë duke thënë se “Askush nuk na tremb dhe nuk mund të na kërcënojë për diçka që është e drejtë sovrane e çdo vendi. Greqia ka aftësinë dhe vendosmërinë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj, të cilat përcaktohen nga e ‘Drejta Ndërkombëtare’, në interes të popullit dhe shtetit grek”. Numri 1 i diplomacisë greke e ka mbyllur intervistën e tij me shprehjen: Të jeni të sigurt, nuk do të lëmë asnjë mundësi pa shfrytëzuar. Vetëm dy ditë më parë, media greke botoi planin e mbështetur nga kryeministri Samaras, për të deklaruar kufijtë detarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nga ana tjetër, ajo që pritet të ndodhë është shpallja në mënyrë të njëanshme e kufijve detarë, të cilët mbeten pezull për shkak të mospërfundimit të negociatave. Me Shqipërinë, ky kufi detar është ngrirë nga Gjykata Kushtetuese e pritet që të rinisin diskutime të reja.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.