Bari, ndërron jetë Lirak Bejko u vetëdogj në grevën e urisë
ITALI – Ka ndërruar jetë në spitalin e Barit në Itali, ish-i burgosuri politik Lirak Bejko, i cili u vetëdogj më 10 tetor gjatë kohës që ish-të përndjekurit zhvillonin grevën e urisë.
Lajmi konfirmohet nga Gjergj Ndreca, ish-grevist, i cili tentoi i pari të vetëflijohej duke i vënë flakën trupit të lyer me benzinë.
Ndreca tha për Tv A1Report se miku i tij, Lirak Bejko ndërroi jetë sot rreth orës 11:00 në spitalin e Barit ku mori kurim 2 ditë pasi i vuri flakën vetes në shenjë proteste kundër indiferencës së qeverisë ndaj kërkesave të ish-të përndjekurve politikë.
Burime nga spitali i Barit bëjnë të ditur se javën e kaluar Lirak Bejko i është nënshtruar një operacioni të dytë. Por pas tij Bejko ka pasur komplikacione, prej të cilave nuk ka mundur që gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet, derisa sot ai ndërroi jetë.
(Në foto, [majtas] Lirak Bejko në grevën e urisë, [djathtas] Lirak Bejko i shtruar në Spitalin e Barit)
Pasi tentoi të vetëflijohej duke i vënë flakën vetes, Bejko u shtrua në qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, por vetëm dy ditë më pas, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore, u transportua për në Spitalin e Barit në Itali më 12 tetor Për transferimin e ish-të përndjekurit politik Lirak Bejko në Spitalin e Barit në Itali, ndërmjetësoi Partia Socialiste e Shqipërisë.
Në një intervistë ekskluzive për Tv A1Report, mjekët italianë që ndoqën nga afër gjendjen shëndetësore të Lirak Bejkos, folën (më 13 tetor, një ditë pas shtrimit të Bejkos në spitalin italian) për djegie në një sipërfaqe të madhe të trupit dhe mbi të gjitha për rrezik të lartë të infeksioneve
Lirak Bejko ishte pjesë e ish-të përndjekurve politikë të cilët gjendeshin në grevë urie në çadrat e vendosura në ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit” në Tiranë, teksa në ditën e 19 të grevës nuk mundi t’i rezistonte zhvillimeve që greva mori nga indiferenca e qeverisë në dëgjimin dhe plotësimin e kërkesave të tyre, ku më kryesorja ishte dëmshpërblimi për vitet e burgut në kohën e regjimit komunist.
Ish-të burgosurit politik u futën në grevë urie më 22 shtator 2012 në çadrën e vendosur tek lagjja “Komuna e Parisit”, me rreth 24 protestues në shenjë proteste ndaj qeverisë e cila sipas tyre nuk i ka dëmshpërblyer për vitet e burgut të kryera në periudhën e diktaturës, ndërsa i dhanë fund një muaj më pas më 22 tetor. Çdo ditë e kësaj greve u shoqërua me tensione, presione të forta psikologjike deri dhe në arrestime. Dy ish të përndjekur grevistë, Gjergj Ndreca (8 tetor) dhe Lirak Bejko (10 tetor) u vetëdogjën, gjykata urdhëroi shpërbërjen e grevës, u arrestua koordinatori i grevës Asllan Patrioti, në çadra u ushtruan disa herë kontrolle nga policia dhe ditët e fundit u hoqën lëngjet dhe grevistët mbaheshin vetëm me ujë e cigare. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe organizatave të ndryshme e opozitës (kohët e fundit) për të dialoguar, kryeministri iu përgjigj me heshtje duke e quajtur grevën, sipas tij politike pas së cilës fshihej Partia Socialiste. Madje në deklaratat e herëparhershme etiketonte ish të burgosurit politikë në grevë si kriminelë, apo bixhozxhjinj.
RAMA: BEJKO TJETER VIKTIME E ARROGANCES SE QEVERISE
Ora 18:00 Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama në një reagim ndaj vdekjes së Lirak Bejkos duke theksuar së përgjegjës për këtë akt është “indiferenca arrogante e qeverisë.” Rama tha se ish-grevisti Bejko ishte shqiptari i 31-të “që ndahet nga jeta për shkak të të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit.”
“Jam i shokuar nga vdekja jonatyrale e Lirak Bejkos, i burgosuri politik që nuk arriti t’i mbijetojë vuajtjes së shkaktuar nga indiferenca barbare e qeverisë. Është tragjedia e një familjeje të varfër që nuk pa një ditë të bardhë as nën regjimin e egër të Enver Hoxhës as në kohët e zymta të Sali Berishës. Por është edhe më shumë se kaq, një tragjedi tronditëse për Shqipërinë e votave të vjedhura, premtimeve të pambajtura, zhgënjimeve të pambarimta. Është tragjedia e një kauze të drejtë përballë një qeverie të padenjë për çdo të burgosur politik të regjimit komunist, e cila u soll me Lirakun dhe grevistët e tjerë po aq çnjerëzisht sa ç’sillej edhe ai regjim kur të burgosurit kërkonin të drejta përmes grevave të urisë. Madje ende më keq në këtë rast fatkeq, sepse i burgosuri që i mbijetoi dhunës së atij regjimi nuk i mbijetoi dot arrogancës së kësaj qeverie. Lirak Bejko është shqiptari i 31-të që ndahet nga jeta për shkak të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit. Që të gjithë njerëz të zakonshëm të këtij vendi që sot nuk jetojnë më pikërisht sepse të zakonshmit për këtë qeveri janë mish për top, edhe kur i vret, edhe kur i dhunon, edhe kur i vjedh, edhe kur i gënjen. Edhe për Lirakun, edhe për të tjerët që humbën jetën tragjikisht si ai, edhe për shumë e shumë të tjerë që sot tërhiqen zvarrë në rrugët e mbijetesës, është koha të bëhemi të gjithë bashkë për një Rilindje Shqiptare. Për një demokraci të re, një shoqëri të re, një ekonomi të re dhe një Shqipëri të re në Evropë.”, lexohet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS.
SEQUI: VETEDJEGIA AKT DESHPERIMIOra 17:30 Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi ka reaguar pas vdekjes së Lirak Bejkos, ish grevistit i cili ndërroi jetë paraditen e sotme në spitalin e Barit pas plagëve të marra nga tentativa për tu vetëflijuar duke i vënë flakën vetes.
Sequi tha nga Shkodra se zjarrëvënia është akt dëshpërimi. “Unë i takova grevistët për të ditur shkaqet e grevës dhe i porosita që të mospërdoren politikisht”, tha ambasadori i Be-së. Sequi theksoi se përgjigjia e tij për këtë akt është: “Zbatimi i ligjit, dialog dhe mospërdorja politike”.
BIBERAJ: I VETMI PERGJEGJES, BERISHA
Ora 16:23 Në një prononcim për Tv A1Report, bashkëthemeluesi i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, pasi shprehu keqardhje për ndarjen nga jeta të Lirak Bejkos, bëri përgjegjës të drejtpërdrejtë kryeministrin e vendit Sali Berisha, i cili sipas tij, në vend të dialogonte me ta i quajti terrorist e kriminelë. Biberaj theksoi se ky veprim, edhe pse nuk mund të kthejë jetën pas, është një apel për qeverinë.
“Siç jam ndjerë unë keq janë ndjerë dhe shumë shqiptarë të tjerë, por sidomos ish-të përndjekurit politik. Ai sakrifikoi jetën për idealet e tij.
Ceremonia mortore dhe gjithçka tjetër do të mbulohet nga ne. Jeta e tij s’mund të kthehet më, por është një apel për këtë qeveri të korruptuar.
Refuzimi i dialogut na sjell modele të qeverisjes komuniste që i detyroi ata të shkojnë në akte vetëflijimi. Të vjen keq që sot Shqipëria drejtohet nga kryeministri që i etiketoi terrorist, kriminel, të kujton Enver Hoxhën. Përgjegjëse direkt është qeveria dhe kryeministri aktual, Sali Berisha. Mund të ketë reagime hipokrite nga qeveria, por nuk i besoj. Qeveria kishte një muaj kohë për të treguar humanizmin e saj, por nuk e bëri veçse i ofendoi dhe i akuzoi.”, tha për Tv A1Report, bashkëthemeluesi i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj.
(Lajmi u publikua fillimisht në orë 15:25 dhe u përditësua në orën 18:00)
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.