Shqipëri mrekullish, gjunjëzon Qipron

Një Shqipëri me ”zemër të madhe” shpartallon Qipron në ndeshjen hapëse të eliminatoreve për Botërorin e 2014-ës. Një Shqipëri e jashtëzakonshme, dje ka marrë një fitore të madhe në sfidën e parë eliminatore. Me zemër, ashtu siç pat thënë edhe De Biazi, para ndeshjes, kuqezinjtë, me tri gola kanë shpartalluar Qipron. Sadiku, Çani e Bogdani kanë shënuar për kuqezinjtë, në një ndeshje që frikësoi të gjithë, por që në fund rezultoi një mrekulli më vete. Një supergol i i Erion Bogdanit, një kryevepër nga 30 metra, por edhe dy të tjerë të Sadikut e Çanit, i japin Shqipërisë një shtysë të madhe, në këtë ndeshje të parë të “erës De Biazi”, që dje, ka shkundur gjithë Shqipërinë, e jo më “Qemal Stafën”, e që ka ngjyruar, kuqezi çdo cep të Tiranës. Një Shqipëri e cila ka bërë çdo gjë dhe në fund ka fituar me “dhunë” 3-1, ndaj një Qiproje e cila vetëm skuadër nuk ishte. “Me mish e me shpirt” Shqipëria ia doli. Fitoi për të vazhduar betejën e saj të radhës në Zvicër të martën, në një ndeshje që premton surpriza, sërish në një stadium të ngjyrosur kuqezi. Çdo cep i stadiumit ishte kuqezi. Duket që ishte një ndeshje e ndjerë nga të gjithë. De Biazi vendos për një formacion, me Salihi-Sadiku, dhe dy kosovarët Meha- Kukeli debutues. Dhe kuqezinjtë, janë menjëherë në sulm. Rasti i parë i ndeshjes i vjen Salihit në minutën e tretë, teksa Meha kalon bukur djathtas, kroson dhe shkodrani me roveshatë çon topin pak mbi traun e portës. Gjashtë minuta më pas, Meha godet, por topi kalon pak larg shtyllës së majtë të qipriotëve. Skuadra jonë merr lojën nën kontroll, ndërsa qipriotët nuk bëjnë asgjë, veçse mbrohen. Sërish kuqezinjtë, me Bulkun dhe Salihin, por asgjë. Kuqezinjtë humbasin një rast vetëm me portierin, me anë të Salihit. Por, goli është aty dhe mban emrin e një kundërshtari. Kostandinou. Dallku pengohet, diku në mesin e fushës. Goditje dënimi që ekzekutohet nga Meha me precizion për Sadikun që me kokë e çon topinnë rrjetë. Gol dhe stadiumi është në delir. Kuqezinjtë e shohin veten në avantazh në minutën e 37-të të pjesës së parë. Por, nuk ka mbaruar, se fati i keq mbulon kuqezinjtë. Në fillim shtylla, ndal një gol të sigurt të Salihit dhe më pas vjen edhe goli i barazimit me anë të Vinsent, që pak para se të mbyllej shtesa prej tre minutash, çon një goditje dënimi drejt e në portën e Ujkanit, ndërsa e gjithë skuadra jonë rri e shikon. 1-1 dhe pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat. Pjesa e dytë nis e njëjtë me të parën, teksa qipriotët ndërrojnë portierin e parë të dëmtuar. Që në minutën e parë të pjesës së dytë, ekzekuton një goditje dënimi qendrore që grushtohet në goditje këndi nga portieri mik. Rrezikojmë të ndëshkojmë veten sepse Vila në një tentativë kthimi të sferës, desh e çon topin në rrjetë. Është shtylla dhe më Cana ata që shpëtojnë Shqipërinë. Loja hyn në një tunel të rrezikshëm që mund të çojë sfidën në barazim. Madje, Qipro mundohet të kundërsulmojë. De Biazi e sheh që nuk ecën dhe vendos të ndryshojë. Në fushë Bogdani dhe Çani. Dhe dy “peshat e rënda” përmbysin takimin me dy gola njëri më i bukur se tjetri. Është në fillim Çani ai që çon në avantazh Shqipërinë me një gol me kohë. Hyka jep një top për sulmuesin shtatlartë dhe ai kalon topin mbi portierin mik dhe mbrojtësit që mundoheshin ta ndalonin. 2-1. Stadiumi merr flakë. Shqipëria është në avantazh. Skuadra çlirohet, por e bukura ende nuk ka ardhur. 3 minuta para fundit një kryevepër e Erjon Bogdanit me një gjuajtje nga 30 metra i jep Shqipërisë fitoren 3-1 me Qipron, dhe një dedikim për gjyshen e tij e cila ishte ndarë nga jeta pak orë më parë. Nuk ka kohë. Fitojmë një ndeshje që na jep tri pikët e para në kualifikueset për Botërorin e 2014-ës. Më mirë se kaq nuk mund të bëhet. Kuqezinjtë gdhihen në krye të grupit eliminator, me mendjen tani tek Zvicra. Atje është beteja jonë e radhës, e të gjithë shpresojnë një tjetër mrekulli. I sigurt është fakti se do të jetë një betejë e vërtetë.
De Biazi: Natë fantastike
Xhani De Biazi është në “qiellin e shtatë”. Pasi ka është fshehur për ditë të tëra, duke thyer edhe “syrin e keq”, arrin ta nisë mbarë aventurën e tij zyrtare tek Shqipëria. Pas ndeshjes, ka qenë i ngjirur, por dëshirën e madhe për të ndarë me të gjithë fitoren e kuqezinjve. “Ishte një ndeshje fantastike. Një tifozëri fantastike, një ndeshje e luftuar dhe e fituar me meritë. Një ndeshje që ne u munduam ta fitonim me çdo kusht, siç kishim premtuar dhe ia arritëm. Bëmë një ndeshje të mirë në pjesën e parë dhe na erdhi shumë keq që e pësuam golin në fund të saj. Më pas për 20 minuta vuajtëm shumë. U detyrova të hidhja “gjigantët” dhe arritëm të merrnim një rezultat shumë të mirë. Ishte një ndeshje fantastike. Të gjithë djemtë luajtën mirë duke përfshirë edhe të rinjtë. Nuk kam çfarë të them, sepse kundërshtari me të vërtetë na vuri në vështirësi. Por ne ditëm të kthenim lojën. Në radhë të parë dua t’ia dedikoj këtë fitore vajzës time, që sot ka ditëlindjen. Gjithashtu, dua që të gjithë të jemi afër me Erjonin dhe familjen e tij, që ka pasur një fatkeqësi, teksa ka humbur gjyshen. I qëndrojmë pranë dhe i shprehim ngushëllimet tona. Sa për Zvicrën, mund të them se ne kemi bërë tashmë atë që kishim si objektiv. Do të shkojmë atje për të luftuar, një sfidë shumë të nderë. Jam i bindur që për të ardhmen ne do të bëjmë më të mirën”,-është shprehur trajneri i kuqezinjve.
Cana: Krenar për Shqipërinë
Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana pranon se e ka shijuar këtë fitore të madhe, edhe pse të vuajtur. “Ishte një start mjaft i mirë. Besoj se kemi marrë një fitore të merituar, ndonëse na është dashur të presim deri në fund. Ishte mjaft e rëndësishme që ta nisnim me një rezultat pozitiv dhe besoj se duhet t’i gëzohemi këtyre tri pikëve. Mendoj se kombëtarja në këtë ndeshje ka treguar dhe njëherë shpirtin e saj. Kemi treguar karakter, pasi kemi shpresuar, kemi besuar deri në fund se do ta fitonim ndeshjen, sepse ishim më lart se Qipro. Në fund të pjesës së parë trajneri De Biazi na tha se pavarësisht se kemi marrë një gol ne do ta fitonim ndeshjen. Ai ishte i bindur se do të fitonim dhe kjo tregon se kjo skuadër ka besim, trajneri beson dhe ne besojmë. Sigurisht që është një kundërshtar shumë i fortë. Por ne shkojmë në Zvicër për të bërë detyrë tonë. E dimë shumë mirë se në Zvicër do të gjejmë një mbështetje të jashtëzakonshme pas shqiptarët do të jenë të shumtë dhe ne dëshirojmë t’i bëjmë krenar”,- është shprehur Lorik Cana.
 Sadiku: Debutim fantastik
Edhe Armando Sadiku ka qenë nga ata që bëri pjesën e vet në këtë ndeshje. Pranon se ka prekur aq pak topin, sa për ta çuar në rrjetë e duke çuar në avantazh Shqipërinë. Për të, një natë fantastike edhe pse para medieve, ka qenë pak i emocionuar. “Ka qenë një natë e madhe. Faleminderit, trajnerit, që pati besim tek mua. U mundova që të bëj më të mirën, por ndoshta emocionet bënë punën e tyre. Gjithsesi, arrita të shënoj një gol i cili ishte shumë me peshë. Në fillim nuk e kuptova që shënuam, sepse ishte kaos i vërtetë, por më pas u kthjellova. Jam i kënaqur me paraqitjen time. Bëra më të mirën e mundshme. Shpresoj që të luaj në Zvicër në një ndeshje të madhe ku shpresoj që të bëj sërish sa më mirë. Edhe një herë faleminderit të gjithëve, duke nisur nga trajneri e deri tek tifozët që më dhanë një emocion të jashtëzakonshëm”,-ka mbyllur ai.
Olsi Avdiaj

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT