Berisha takohet nesër me Samaras. Të mos guxojë të lëshojë territorin shqiptar, sepse do e mbrojmë deri në flijim
Aleanca KuqeZi ka reaguar një ditë përpara takimit të pritshëm mes kryeministrit Sali Berisha dhe homologut të tij grek, Antonis Samaras. AK kërkon nga Berisha që të mos lëshojë territorin shqiptar.
“Aleanca KuqeZi informon opinionin publik shqiptar se nesër do takohen në Itali shtetasi Sali Berisha me kryeministrin Grek Samaras. Aleanca KuqeZi nuk është kundër takimeve të çdo niveli dhe as kundër bisedimeve dhe dialogut për zgjidhjen paqësore të problemeve shqiptaro-greke. Por, Aleanca KuqeZi është e informuar se në axhendën Berisha-Samaras do rivihet marrëveshja shqiptaro-greke për delimitimin e kufirit detar midis dy vendeve. Kryeministri Samaras kërkon që të hyjë në fuqi marrëveshja e firmosur nga dy qeveritë, e cila u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese së Republikës së Shqipërisë, si një akt në kundërshtim me interesat tona kombëtare,” tha Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në AK, Lisen Bashkurti.
“Aleanca KuqeZi i bën me dije shtetasit Sali Berisha që do të mos cenojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe i kërkon atij të mos përsërisë për herë të dytë të njëjtin akt antikombëtar, sepse do të përballet me reagimin e fuqishëm të Aleancës KuqeZi dhe të mbarë opinionit kombëtar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi e kudo në diasporë. Askush nuk mund të cenojë një pëllëmbë det, tokë e qiell të vendit tonë, sepse janë prone e shenjtë e kombit shqiptar. Gjithashtu i kërkojmë shtetasit Berisha të bëjë bisedime të hapura e jo të fshehta, bisedime publike dhe jo konspirative dhe të formalizojë tekstin e bisedimeve për t’ia bërë me transparencë popullit shqiptar. Aleanca KuqeZi shpreh indinjatën për këtë takim sekret dhe të papublikuar ende në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Tendenca për ta fshehur këtë takim hedh hije dyshimi të forta për një axhendë të kushtëzuar nga pala greke,” theksoi Bashkurti.
AK ka komentuar edhe deklaratën e kryediplomatit grek, që fliste me shqetësim për tendencat nacionaliste në Shqipëri.
“Dje Ministri i Jashtëm grek, Avramopulos, theksoi para parlamentit se është i shqetësuar se marrëdhëniet midis dy vendeve nuk janë në nivelet e duhura dhe se për këtë kanë ndikuar rritja e tendencave ekstreme nacionaliste në Shqipëri, duke aluduar haptazi për Aleancën KuqeZi. Sipas Avramopulos, këto tendenca të shfaqura nga nacionalizmi shqiptar kanë hapur pretendime historike dhe kërkojnë të rrëmbejnë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta midis dy vendeve.
Me këtë deklaratë shefi i diplomacisë greke ndërhyn në jetën politike të vendit tonë. Aleanca KuqeZi ushtron aktivitet politik vetëm brenda kufijve të shtetit shqiptar, ndërkohë kur parlamentarë “Vorio-Epirotë” grekë hynë deri në Himarë për propagandë antishqiptare për t’i rrëmbyer bregdetasve shqiptarë detin tonë. Aleanca Kuqezi do të mobilizojë tërë faktorët nacionalistë shqiptarë, deri në flijim, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit tonë detar, tokësor e ajror: do të ngrejë me forcë deri në zgjidhjen e plotë çështjen çame; do të mbështesë të drejtat e cenuara të emigrantëve shqiptarë që kanë investuar në Greqi më shumë sesa shteti grek në Shqipëri dhe do i japë fund njëherë e përgjithmonë politikave servile të Tiranës zyrtare kundrejt Athinës. Aleanca KuqeZi i njeh mirë plumbat e serbit dhe djallëzitë e grekut dhe do e mbrojë popullin shqiptar nga të dy këto nacional shovinizma antishqiptare,”tha Bashkurti.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.