Shqiptarëve të Zvicrës u kërkohet të këndojnë himnin
Split, 14 gusht – Përzgjedhësi i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, sërish ka vlerësuar lart futbollistët shqiptarë që janë pjesë e përfaqësueses “helvetike”. Por në Zvicër ka edhe të tillë që vlerësojnë se kontributi i futbollistëve shqiptarë në fushë të blertë nuk është i mjaftueshëm. Kërkojnë që ata të këndojnë himnin e Zvicrës para ndeshjes, që deri më tani nuk e kanë bërë.
Pjesë e përfaqësueses zvicerane janë pesë futbollistët shqiptarë: Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Admir Mehmedi. Zvicra të mërkurën (sot) luan miqësore me Kroacinë në Split (20:30).
Në një shkrim të publikuar në gazetën e njohur zvicerane, “Blick”, Josef Hochstrasser, biograf dhe shok i Hitzfeldit, ka kërkuar që të gjithë futbollistët, përfshirë edhe shqiptarët, të këndojnë himnin e Zvicrës. Ai ka përmendur rastin e Granit Xhakës, që kur iu kërkua të këndonte një këngë nga bashkëlojtarët e tij në Borussia Mounchengladbach, këndoi himnin shqiptar.
“Që dikush e ruan prejardhjen është fenomenale. Xhaka thotë se 20- përqindëshi i tij i përket Kosovës. Por, mbetet 80 për qind. Kjo i takon Zvicrës, siguron talenti. Ai megjithatë nuk këndon himnin zviceran. Ai nuk ka gjetur kohë për ta mësuar rrjedhshëm himnin zviceran. Por këtë nuk ia beson askush”, ka shkruar Hochstrasser në “Blick”. Në artikull shkruan se ai që merr nderin të përfaqësojë Zvicrën duhet të detyrojë veten të këndojë himnin e këtij vendi. Madje të jetë bindës sa të gjitha fjalët t’i këndojë me melodi dhe me zemër.
“Njëmbëdhjetë futbollistët në fushë me këndimin e himnit tregohen falënderues për përzgjedhjen. Pikërisht lojtarët: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi e Eren Derdiyok, japin një shembull të fortë për gatishmërinë për integrim, nëse këndojnë rrjedhshëm himnin e Zvicrës”.
Ndërkohë, përzgjedhësi Hitzfeld ka folur vetëm për aspektin sportiv. Ai ka njoftuar se futbollistët shqiptarë do të udhëheqin sulmin në ndeshje me Kroacinë.
“Derdiyok është i lënduar, ndërsa në vend të tij do të luajë Admir Mehmedi. Granit Xhaka do të luajë pas tij. Do të jetë formacion me një sulmues dhe një gjysmësulmues. Mehmeti është lojtar i shkëlqyeshëm, e ka dëshmuar këtë disa herë dhe nuk frikësohem se si do të duket kjo”, ka thënë Ottmar Hitzfeld të martën në konferencë për shtyp. Titullar kundër Kroacisë në Split, pritet të jenë edhe mesfushorët Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Blerim Xhemajli.
“Shpresa të mëdha kemi edhe nga Shaqiri, që është plot entuziazëm pas kalimit në Bayern Muenchen. Atje nisi shumë mirë duke fituar Superkupën dhe mendoj se mund të përfitojmë nga dëshira dhe kualiteti i tij “, ka thënë Hitzfeld.
Më 11 shtator Zvicra e pret Shqipërinë në Luzern në kuadër të eliminatoreve për botërorin e vitit 2014.
Futbollistët shqiptarë vlerësohen bartës të lojës së Zvicrës. Nga të gjithë reprezentuesit, shqiptarët janë pjesë e klubeve më të mëdha. Dyshja Behrami – Xhemajli është pjesë e gjigantit italian Napoli, derisa Mehmedi luan te skuadra më e madhe ukrainase, Dynamo Kiev, shkruan sot “Koha Ditore”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.