Raporti i ODIHR më 1996: Zgjedhje skandaloze
TIRANE- Raporti i ODIHR-it në
vitin 1996 për zgjedhjet parlamentare ishte më kritiku në tërë historinë
e zgjedhjeve shqiptare. Në 14 faqet e tij, vëzhguesit, të cilët ndoqën
nga afër zgjedhjet e 26 majit, u shprehën me nota tejet kritike për sa i
përket përgjegjësisë së qeverisë, ndërhyrjeve politike në proces, rolit
të institucioneve kryesore të shtetit përfshirë Presidentin, Gjykatat,
Qeverinë, Policinë, SHIK e KQZ.
Ekipi vëzhgues ndërkombëtar,
deklaroi se vëzhguan 300 qendra votimi në 115 zonat elektorale.
Konkluzioni i vëzhguesve ishte më shumë se i ashpër: gjatë dy ditëve të
votimit 26 maj-2 qershor në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nenet e
ligjit zgjedhor. ODIHR vlerësonte gjithashtu se bashkëpunimi mes
vëzhguesve të huaj e qeverisë shqiptare kishte shfaqur probleme. Raporti
vërente se “procesi i numërimit nuk u bë në mënyrë të rregullt dhe të
besueshme, ose sipas ligjit të zgjedhjeve. Në disa raste vëzhguesit vunë
re manipulimin e rezultateve dhe vendimet u morën në mënyrë arbitrare
nga kryetari i caktuar nga qeveria”. Duke hyrë në detaje raporti
konstatonte se: në Berat pjesëmarrja ishte 105%; në Lushnjë megjithëse
kishte 940 vota në kuti, në listën e votuesve kishte vetëm 880 firma; në
Gjirokastër votat e një partie të opozitës u llogaritën për PD”.
Ndërkohë
që në fund të herës raporti i ODIHR, mision i cili kryesohej nga Audrey
Glover i cilësonte zgjedhjet të paranueshme dhe në shkelje të plotë jo
vetëm të standardeve të këtyre institucioneve por dhe të demokracisë.
Kishte shkelje serioze nga anëtarët e komisioneve të qendrave të
votimit. Kishte shkelje të hapura të ligjit zgjedhor. Në disa qendra
kryetarët e komisioneve ndalonin anëtarët që të flisnin më vëzhguesit.
Pati probleme me listat zgjedhore. Në disa kuti votimi numri i fletëve
ishte më i madh se i firmave të hedhura në regjistrin e votuesve. Shumë
vëzhgues raportonin prani të madhe policore brenda dhe jashtë qendrave
të votimit. Në disa qendra të tjera në Tiranë, Berat dhe Kukës,
vëzhguesit panë persona të paidentifikuar e civilë të armatosur. Me
dekret presidencial ishte shtyrë orari i votimit nga ora 20-22.
Presidenti
i asaj kohë e kundërshtoi këtë raport, duke argumentuar mospërfshirjen
nga ODIHR të bojkotit të opozitës. Por vërejtjet ishin prezente dhe në
zgjedhjet e vitit 2009, ku nënvizohej se “në 1/3 e qendrave të votimit,
votat u numëruan keq ose shumë keq”. Numër ky që përfshin 22 qendra
votimi nga 66 të tilla, numër i mjaftueshëm për të tjetërsuar rezultatin
sipas opozitës. Edhe pavarësisht këtyre raporti thotë se: “zgjedhjet
përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE, por s’iu përmbajtën
plotësisht standardeve për zgjedhje demokratike”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.