Për nazistët lule, për shqiptarët… ferra!

A. Rada/E. Resuli
Brenda një sipërfaqeje prej 200 metra katrorë flenë së bashku aleatët dhe armiqtë e dikurshëm të Shqipërisë ndërsa varret e tyre janë ndërtuar mbi ish-varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Bëhet fjalë për të rënët e Luftës së Dytë Botërore, nazistët gjermanë dhe aleatët britanikë, ndërsa mes tyre gjendet pllakati që shpjegon se ky vend më parë ka shërbyer si banesa e fundit e dëshmorëve shqiptarë nga viti 1945 deri në 1970.
Por këto nuk janë të vetmet përkujtimore që Liqeni Artificial i Tiranës ka brenda hapësirës së tij.
Ndërkohë që në të dy varrezat e mermerta mbizotëron një qetësi, vetëm 20 metra tej prehen eshtrat e Faik Konicës dhe të vëllezërve Frashëri dhe në krahun tjetër, lapidari i DEBATIK-ut.
Të gjitha kulturat i respektojnë të rënët, minimalisht duke u bërë vend në tokën e tyre, qofshin ata edhe ish-armiq.
Ironia qëndron pikërisht në faktin se ndërsa banesat e fundit të rilindësve rrethohen nga barishte të këqija dhe shkarravina mbi mermer, varret e gjermanëve rrethohen nga lulet dhe gjelbërimi.
Kjo, jo detyrimisht është si pasojë e përkujdesjes së Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit. Në këtë konkluzion dilet fare thjeshtë, pasi mbi varret e gjermanëve shihen petale lulesh çka tregon se dikush është kujdesur pak kohë më parë t’i nderojë ato. Dhe jo vetëm kaq! Si nazistët gjermanë, ashtu edhe aleatët anglezë ‘ruhen’ nga portat me çelësa.
Ndërtimi i memorialit të gjermanëve ngjalli jo pak debate në vitin 2006, vit ky kur trupa diplomatike dhe zyrtarë shqiptarë morën pjesë në inaugurim. Kryesisht debati u ndez nga historianët dhe ish-veteranët e luftës të cilës nuk u fyen nga ky akt, por kërkuan investim edhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Sot, 6 vite më pas, Shqipëria ka dëshmorë të rrethuar nga ferrat dhe me pllaka mermeri të thyera ku në shumicën e rasteve u kanë vjedhur edhe germat e emrave. Rilindësit?! Ah po, varret e tyre që janë në vend kanë të njëjtin fat, ndërsa pjesa gjysma tjetër ende prehet nëpër botë ku u detyruan të mërgonin. Jemi në rrugë të mbarë këtë 100-vjetor të Pavarësisë…

Varrezat e nazistëve, aty ku prehet nipi i Herman Gering

Historia e krijimit të memorialit gjerman që mban emrat e 2400 të vrarëve. Mes tyre, nipi i numrit dy të nazistëve.

Inaugurimi i varrezave të ushtarëve gjermanë në Tiranë u bë më 19 nëntor të vitit 2006. Veç trupës diplomatike gjermane, në ceremoni morën pjesë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Gjeneral Major Luan Hoxha.
Nën tingujt e orkestrës simfonike, shqiptarët dhe gjermanët nderuan 10 ditë para 62-vjetorit të çlirimit, 2400 ushtarë gjermanë të rënë në vendin tonë. Prej tyre vetëm 1800 njihen me emër ndërsa memoriali u konceptua në tetë kolona graniti mbi të cilat janë shkruar emrat e të vdekurve.
Një ndër këto emra mbart mbi vete një pjesë të asaj që mund ta konsiderojmë ‘mburrje’ e partizanëve shqiptarë. Bëhet fjalë pikërisht për gjermanin Fon Essen, një ish-oficer në radhët e ushtrisë naziste që mbeti i vrarë në Luftën e Pezës. Fon Essen ishte nip i Herman Gering, ndërsa ky i fundit njihet si numri dy i ushtrisë naziste, krah i djathtë i Adolf Hitler.
Gering ishte komandant i forcave ajrore të Rajhut dhe u kujdes personalisht për përgatitjen ushtarake të nipit të tij. Ky i fundit u dërgua në Shqipëri si drejtues i këmbësorisë dhe shërbeu derisa u vra në luftimet e Pezës. Dëshmi për këtë nuk është veç emri mbi njërin prej 8 pllakateve. Në Muzeun Historik Kombëtar qëndrojnë të ekspozuara automatiku i Fon Essen dhe doreza metalike që mbante për goditje me grusht.

Si u ndërtua memorial anglez me mermerin e varrit të Enverit

43 anglezët që dhanë jetën për lirinë e shqiptarëve prehen mes nazistëve dhe lapidarit të DEBATIK-ut

Në mesin e varreve të anglezëve bie në sy një memorial i cili shpjegon se në atë vend prehen trupat e të rënëve në Shqipëri nga viti 1939 deri në 1945. Janë 43 varre të vendosura në mënyrë sistematike, me pllaka të bardha mbi të cilat veç emrave dhe datave është skalitur edhe stema e kontingjentit ku ka shërbyer secili ushtar britanik.
Në fakt, aleatët janë nderuar edhe gjatë diktaturës ndërsa si për ironi, në dekorimin e varreve të tyre u përdor edhe mermeri i kuq i varrit të Enver Hoxhës. Por si ndodhi kjo? Në kujtimet e tij, Ilir Hoxha rrëfen se në 1992, pas zhvarrosjes që iu bë të atit dhe 10 zyrtarëve në Varrezat e Dëshmorëve, familja Hoxha u detyrua ta varroste të afërmin e saj në varrezat publike të Sharrës. Nga rrëfimi i Ilirit mësohet se familja u interesua që veç trupit të të ndjerit, të merrte edhe pllakën e mermertë si dhe germat e emrit, por nuk e gjetën kurrë atë.
“Pasi regjimi i Berishës bëri aktin makabër të zhvarrosjes, vajta dhe u interesova për bllokun e mermerit të kuq dhe germat e emrit dhe numrat e viteve. Këtë e kishin bërë më parë edhe familjarët e të zhvarrosurve të parë. Pas një diskutimi bajat me drejtuesin e ndërmarrjes funerale, më thanë se ato s‘mund të jepeshin. Pak vite më vonë, teksa kaloja në Parkun Kombëtar, më tërhoqi vëmendjen obelisku i ushtarëve anglezë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur iu afrova bllokut të mermerit, dallova dhe njoha se ai ishte mermeri i kuq i varrit të babait tim, madje kishin mbetur edhe shenjat e vrimave të montimit të germave. Është ofezë për ushtarët anglezë që t‘u vihet pllaka mermertë e një tjetër varri. Shteti shqiptar nuk duhet të bënte një gafë të tillë.” – shkruan Ilir Hoxha.

Bashkia: Nuk kemi denoncime për dëmtime të tyre

Të gjithë memorialët që gjenden në kodrat e Liqenit Artificial në kryeqytet janë nën menaxhimin dhe kujdesin e bashkisë së Tiranës. Për mirëmbajtën e monumenteve në këtë park, kemi kontaktuar me zyrën e shtypit pranë bashkisë. Ata janë të prerë duke pohuar se: “ Ka një numër të caktuar personeli që kujdeset për to. Kujdesi është e përditshme nga punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit”. Bashkia pohon se nuk ka pasur asnjë denoncim për prishje të këtyre monumenteve, por në momentin që ka pasur ndonjë thyerje pllake punonjësit kanë ndërhyrë menjëherë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT