Bosët e kumarit në Shqipëri
Por cilët janë pronarët e kompanive që qarkullojnë pjesën më të madhe të parave në tregun e lojërave të fatit në Shqipëri? “Shekulli” ka bërë një renditje të kompanive që rezultojnë me qarkullimin më të madh gjatë gjysmës së parë të këtij viti, referuar databazës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, nga të cilat dalin edhe rezultatet e mëposhtme. Kompanitë në fjalë janë ato që paguajnë pjesën më të madhe të taksave në arkën e shtetit për këtë sektor duke u bërë një burim i çmuar parash për qeverinë. Ushtrojnë aktivitet të rregulluar nga ligje dhe VKM të shumta. Ja cilat janë pronarët e kompanive më të mëdha në tregun e lojërave të fatit:
Kazinotë
1-Johannes Weissengruber
Apex-AL
Austriaku është aksioneri kryesor i kompanisë “Apex-Al” që ushtron aktivitet në tregun e lojërave të fatit në Shqipëri. Sipas ekstraktit të publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, ai gëzon 35 % të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë edhe me pesë ortakë të tjerë shqiptarë. Kompania ka një kapital prej 250 milionë lekësh dhe është regjistruar që prej vitit 2006. Weissengruber është themelues i “Apex Gaming” në Austri dhe njëkohësisht Drejtori Ekzekutiv i kompanisë.
“Apex-AL” është kompania që renditet e para për nga numri i makinave elektronike të deklaruara, por e dyta për nga numri i sallave të hapura në të gjithë vendin. Një fakt i tillë bën që të jetë edhe kompania e lojërave të fatit që derdh më shumë taksa në shtet gjatë një muaji krahasuar me të tjerat. Ajo ushtron aktivitet me 31 salla në të gjithë vendin dhe sipas të dhënave të NJMLF-së, ka rreth 500 makina elektronike në përdorim. Kompania i paguan buxhetit të shtetit mesatarisht 52 milionë lekë taksa në muaj.
2-Johann Graf
Austrian Gaming Industries (Novomatik)
Kompania “Austrian Gaming Industries”, rezulton të jetë pronarja e 100 për qind të aksioneve të dy prej kompanive më të mëdha të kazinove në Shqipëri, “Astra Albania” dhe “Adriatik Game”. Lidhja midis “Astra Albania”, “Adriatik Game” dhe kompanisë austriake, është kompania “Eagle Investment” me seli në Tiranë. Kjo e fundit, sipas të dhënave të QKR-së, ka 100 për qind të aksioneve të dy kompanive në fjalë. Pronari i “Austrian Gaming Industries”, e cila ka pronësinë mbi tre kompanitë e mësipërme, është pikërish austriaku Johann Graf. Ky i fundit është renditur në vendin e 193 të listës së miliarderëve të botës, të publikuar për këtë vit nga revista prestigjioze Forbes, me një pasuri prej 5.3 miliardë dollarë. Graf është i pari në Austri për nga pasuria e tij.
Të dyja kompanitë në pronësi të “Eagle Investment”, rrjedhimisht të “Austrian Gaming Industries”, janë në vendet e para të tregut të lojërave të fatit në vend. “Astra Albania” ushtron aktivitet që në vitin 1995. Është kompania e dytë për nga numri i makinave elektronike që ka në pronësi, 453 të tilla. Kompania renditet sërish e dyta edhe për nga numri i sallave me të cilat ushtron aktivitet, të cilat numërohen në 28. “Astra Albania” i paguan buxhetit të shtetit mesatarisht 50 milionë lekë taksa në muaj.
Ndryshe nga bastet sportive, diferencat në tregun e kazinove midis kompanive që renditen në krye të listës janë të vogla. “Adriatik Game sh.a” është kompania e tretë në këtë treg me një numër prej 35 sallash në të gjithë Shqipërinë. Kompania i paguan shtetit mesatarisht 44 milionë lekë në muaj taksa dhe ka në pronësinë e saj plot 410 makina elektronike
Bastet sportive
1-Artan Dini
Top Bast
Biznesmeni nga Saranda është pronar i pjesës dërrmuese të aksioneve (92 %) në kompaninë e basteve sportive, “Top Bast”. Dini është njëkohësisht edhe pronar kompanisë së ndërtimit “Btm Konstruksion” me seli në qytetin e Sarandës. Top Bast është aktualisht kompania më e madhe që ushtron aktivitet në tregun e basteve sportive (skedina). Me këtë kompani janë shkrirë edhe kompani të tjera duke rritur numrin e pikave në një periudhë të shpejtë. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare të NJMF-së, kompania zotëron 383 pika bastesh në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Top Bast i paguan shtetit mesatarisht 27 milionë lekë taksa fikse në muaj.
Interbast
Aksionet e kompanisë së basteve sportive “Interbast” ndahen midis 15 personave, por ai që gëzon pjesën më të madhe të tyre, është Edmond Stepa ( 21.87 %). Ky i fundit është njëkohësisht edhe pronar i një zyre këmbimi valutor në Tiranë, ndërsa bashkëshortja ka në pronësi një agjenci udhëtimesh po në kryeqytet.
“Interbast” është kompania e dytë e tregut të basteve sportive. Sipas të dhënave të NJMLF-së, kompania ushtron aktivitet me 285 pika në të gjithë vendin. Gjatë muajve të parë të vitit, kompania ka pasur një ristrukturim të pikave duke mbyllur rreth 25 të tilla. Ajo i paguan buxhetit të shtetit mesatarisht rreth 24 milionë lekë taksa në muaj. “Interbast” është regjistruar me një kapital prej 69 milionë lekësh. Ashtu si edhe “Top Bast”, “Interbast” ka përthithur shumë kompani të tjera nga tregu i basteve sportive duke rritur edhe më tepër numrin e pikave të saj. Pas shkrirjes me kompaninë tjetër të basteve sportive, “Pro Bast”, kompania njihet në treg si “IP-Bet”.
Top Start
Malo është një biznesmen i njohur, i cili ka investuar në tregun e medias me televizionin sportiv “Tele Sport”. Krahas kësaj, ai është edhe pronar i pjesës më të madhe të aksioneve (92 %) të teleferikut “Dajti Ekspres” në Tiranë. Malo gjithashtu ka në pronësi edhe gazetën sportive “Sport Plus”. “Top Start” është kompania e tretë më e madhe e basteve sportive. Aktualisht, kompani ushtron aktivitet me 221 pika të shpërndara në të gjithë vendin. Kompania është regjistruar në QKR me një kapital prej 223 milionë lekë. “Top Start” ka pasur një ecuri të qëndrueshme gjatë muajve të fundit duke mbajtur të njëjtin numër pikash. Kompania i paguan buxhetit te shtetit mesatarisht 22 milionë lekë në muaj taksa fikse.
Referuar këtyre të dhënave, mësohet se përgjatë një viti, tregu i lojërave të fatit është karakterizuar nga ndryshime të mëdha, siç është shkrirja e kompanive të basteve me njëra-tjetrën për t’iu shmangur taksave, hapja e pikave apo futja e makinave elektronike të reja në pikat e ekzistuese etj. Të gjitha këto, përmblidhen me faktin se ky treg vazhdon të zgjerohet në një kohë kur vendi po përballet me krizën ekonomike, kur familjet kanë më pak të ardhura mujore, ndërsa një pjesë e mirë e tyre mendohen dy herë për të kryer një shpenzim. Rritja e dëshpërimit në popull është katalizatori kryesor që ndikon në zgjerimin e lojërave të fatit.
Studimet tregojnë një lidhje të fortë midis nivelit të varfërisë së një shoqërie dhe zgjerimit të kumarit. Nuk ka ende një përfundim të qartë nëse është varfëria dhe mungesa e shpresës ajo që sjell rritje të këtij tregu apo e anasjellta, por duke i shtuar këtyre edhe dëshirën për t’u gdhirë i pasur, krijohet terreni ideal për zgjerimin e kumarit.
Në gjuhën teknike me të cilën i thërrasin specialistët e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, quhen “kazino”, por në fakt bëhet fjalë për të gjitha ato godina me drita shumëngjyrëshe që gjenden në çdo kthesë rruge apo cep pallati të qyteteve tona. Sallat e hapura gjithandej, kanë një numër të konsiderueshëm makinash elektronike, i cili fillon nga 10. Ky është numri minimal i mundshëm për të marrë leje për hapjen e një salle. Në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi etj., numri mesatar varion nga 30 deri 40 makina në sallë, por ka pika të caktuara, kryesisht në kryeqytet ku numri i makinave arrin deri në 80 të tilla.
Kazinotë i kalojnë pikat e basteve për nga sasia e parave që qarkullojnë por jo nga numri. Në të gjithë vendin funksionojnë jo pak por rreth 1 600 pika bastesh sportive. Pjesa më e madhe e tyre janë të vendosura në qytetet e mëdha, ndërsa kanë një shtrirje më kapilare se sa kazinotë që gjenden kryesisht nëpër qendra të banuara urbane.
Bastet, shteti vjel 4 milionë dollarë taksa në muaj
Kumari është një sektor që sjell të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Detyrimet që paguajnë kompanitë e basteve, janë të ndryshme, të cilat fillojnë nga taksa fikse për çdo pikë e deri tek pagesa për çdo makinë elektronike. Të dhënat tregojnë se arka e shtetit vjel mesatarisht 425 milionë lekë në muaj vetëm nga aktiviteti i lojërave të fatit.
Deri në fund të dhjetorit 2011, në të gjithë territorin e vendit funksiononin zyrtarisht rreth 2 200 makina elektronike. Ndërkohë, deri në fund të majit 2012, numri i makinave elektronike rezulton të jetë rritur edhe me 240 të tilla duke shkuar në 2 440 makina. Ky është numri i atyre që janë të regjistruara, ndërkohë që burime nga NJMLF-ja konfirmojnë se nëpër salla gjenden qindra makina të tjera elektronike të paregjistruara dhe të pa certifikuara. Me rritjen e aktivitetit të lojërave të fatit janë rritur edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit. Të dhënat tregojnë se vetëm nga kazinotë, buxheti i shtetit vjel mesatarisht 275 milionë lekë në muaj ose rreth 10 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Për sa i përket basteve sportive, numri i pikave që ushtrojnë aktivitet në të gjithë vendin është 1 600 të tilla. Këto janë shifrat që ndodhet në regjistrat e NJMLF-së, ndërkohë që pika të caktuara funksionojnë edhe në të zezë duke iu shmangur detyrimeve, rrjedhimisht nuk janë edhe të regjistruara. Kompanitë e basteve i paguajnë buxhetit të shtetit mesatarisht 150 milionë në muaj taksa me një rritje mesatarisht 3-4 milionë lekë krahasuar me një vit më parë.
Taksat nga kumari, miniera e buxhetit të shtetit
Vjelja e detyrimeve për lojërat e fatit bëhet sipas vendit ku ushtrohet aktiviteti. Rrethet janë ndarë në tre kategori. Në rrethe të kategorisë së parë, siç janë Tirana, Elbasani, Durrësi, Fieri, etj., paguhet më shumë krahasuar me rrethet e kategorisë së dytë apo të tretë. Ashtu si kazinotë edhe për bastet sportive, llogaritja e detyrimeve bazohet mbi rrethin ku ushtrohet aktiviteti si dhe mbi numrin e pikave të hapura. Kompanitë që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë duhet të paguajnë 25 për qind të fitimit në formë tatimi, por shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10 milionë lekë për ato që kanë më pak se 99 pika, më pak se 12 milionë lekë për ato që kanë deri 149 pika dhe jo pak se 14 milionë lekë për ato që kanë më shumë se 150 pika.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.