Vështirë bashkimi i opozitës shqiptare në Maqedoni

Në Maqedoni vazhdon ndarja e opozitës shqiptare, edhe pasi PDSH arriti aleancën me LSDM maqedonase për zgjedhjet 2013.

PDSH si forca më e madhe shqiptare opozitare arriti gjatë kësaj jave marrëveshjen me partinë më të madhe opozitare maqedonase LSDM për bashkëpunim dhe mbështetje në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2013.

Përkundër kësaj marrëveshje, partitë e tjera shqiptare të opozitës janë shprehur kundër kësaj aleance dhe nuk paralajmërojnë që ti bashkëngjiten asaj.

PDSH ka nënvizuar se do t`i bëj ftesë të gjitha partive opozitare shqiptare për t`iu bashkëngjitur bllokut opozitar shqiptaro – maqedonas. Një zyrtar i kësaj partie theksoi se ftesat do të jenë për RDK, DR dhe partitë e tjera. Sipas tij, është interes shqiptarë dhe ndërkombëtarë që të bashkohet edhe opozita shqiptare.

Por, nga ana tjetër, RDK dje përmes zëdhënësit të saj ka paralajmëruar se nuk do ti bashkëngjitet kësaj aleance me LSDM-në e Branko Cërvenkovskit.

“Nuk jemi për koalicion parazgjedhor me frontin opozitar të udhëhequr nga Cërvenkovski. Në zgjedhje do të marrim pjesë bashkërisht me Demokracinë e Re dhe Bashkimin Demokratik Shqiptar, përfshirë edhe subjekte, shoqata dhe personalitete shqiptare”, deklaroi zëdhënësi i RDK, Artan Dika. Ai ka theksuar se do të shihet më pas se a do të ketë bashkëpunim me ndonjë forcë politike në raundin e dytë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Demokracia e Re (DR) bën të ditur se nuk dëshiron të komentojë aleancën e re Thaçi – Cërvenkovski dhe se kryesia partiake gjatë kësaj fundjave do të vendos për aktivitete të mëtejshme dhe vlerësimin e situatës së fundit politike.

RDK, DR dhe BDSH kanë arritur marrëveshjen parimore për një aleancë të re politike, e cila do të jetë oferta alternative për elektoratin shqiptarë dhe e hapur për të përfshirë të gjithë shqiptarët e pakënaqur nga dy subjektet aktuale BDI dhe PDSH.

Ky bllok politik ka paralajmëruar se në muajin shtator do të nis me aktivitete intensive dhe sqarimin e platformës politike. LSDM ka bërë të qartë se është detyrë e PDSH që të përpunojë zgjerimin e frontit opozitar me partitë e tjera opozitare shqiptare.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT