Shqiptarët armatosen, import rekord i armëve të gjahut

Emirjon Senja / Mark Brunga 

Pasja e një arme gjahu në shtëpi duket se po kthehen në një trend të ri për shqiptarët. Për qëllime vetëmbrojtje apo thjesht për hobi, fakt është që shqiptarët po armatosen dendshëm të paktën gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Të dhënat vijnë nga treguesit e importit të doganave, shoqatat e gjuetarëve por edhe tregtarët e armëve të gjahut.
Një pjesë e atyre që iu nevojitet një armë për vetëmbrojtje, zgjedhin më mirë të blejnë një armë gjahu për të qenë në rregull edhe me ligjet, të cilat ofrohen në tipe, marka apo madhësi të ndryshme duke u mbajtur më pas në shtëpi apo makinë. 
Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë katër muajve të parë të këtij viti, në Shqipëri janë futur armë gjahu dhe municione me vlerë 108 milionë lekë. Kjo vlerë, është sa dyfishi i armëve të gjahut të municioneve të futura gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave, sasia e futur në janar-prill 2011 kishte një vlerë prej rreth 55 milionë lekë. Rritja është e konsiderueshme krahasuar edhe me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme. 
Por si e shpjegojnë këtë fenomen ata që merren çdo ditë më armët e gjahut, tregtarët si edhe gjuetarët? Albert Orhanlliu ka një dyqan armësh gjahu dhe aksesorësh të tjerë në Tiranë. Sipas tij, gjatë kohëve të fundit vërehet një shtim i shitjeve për armët e gjahut tip “shot-gun”. Armë të tilla janë zakonisht më të shkurtra nga ato të zakonshmet, më të përdorshme, mbajnë deri në gjashtë fishekë si edhe mundësojnë lehtësi në gjuajtje. Pjesë e të dashuruarve pas këtij tipi janë gjuetarët e rinj, por edhe persona të cilët më shumë se për gjah, e mbajnë atë për vetëmbrojtje. “Më shumë këto kohët e fundit janë futur këto si tip “shot gun-i” që zakonisht nuk përdoren si armë gjahu të mirëfillta por mbahen në shtëpi apo në makina nga njerëzit. Ky tip vjen nga Turqia, merren me leje si armë gjahu, por rrallë përdoren si të tilla”, – shpjegon ai. 
Lelo Aleksi, është Sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve të Durrësit. Sipas tij, shtimi i vrullshëm i armëve të gjahut është shoqëruar edhe me zhdukjen faunës në shumë zona të vendit. Ai ia vesh numrin e madh të armëve lehtësimit të kushteve për të marrë leje përdorimi. “Një pjesë i marrin edhe për vetëmbrojtje, sidomos tani që janë lehtësuar edhe kushtet për marrjen e një leje. Më parë, që të merrje lejen duhej të kaloje një provim tek pyjorja, të anëtarësoheshe edhe në një shoqatë gjuetarësh kurse tani nuk është më ky kusht, mund të marrë kushdo. Nga rreth 4 mijë armë gjahu që janë në Durrës të regjistruara, vetëm 1 300 persona figurojnë si pjesë e shoqatës sonë”, – shpjegon ai. 
Shifrave zyrtare, është rreth 100 mijë numri i armëve të gjahut të gjendet në duart e gjuetarëve profesionist por me tepër të atyre amatorë në të gjithë vendin. Nga këto, mësohet se vetëm 10 mijë armë i përkasin gjuetarëve të regjistruar nëpër shoqata. Rritja e numrit të armëve të gjahut në vend, është bërë problem edhe në Kuvend para disa muajsh. 
“Të ndalohen gjuetarët e huaj”
Historia përsëritet. Nisur nga një foto e datës 18 janar të vitit 1937, ku është fiksuar një gjuetar italian me një sasi të madhe gjahu, përsëri gjuetarët vendas akuzojnë gjuetarët e huaj se po rrezikojnë faunen e egër të vendit tonë. Në takimin kombëtar të Shoqatave të Gjuetarëve të Shqipërisë , e zhvilluar pak ditë më parë në Durrës, është kërkuar që të ndalohen gjuetarët e huaj për të zhvilluar këtë aktivitet në vendin tonë duke i akuzuar njëkohësisht ata si shkatërruesit e faunës së egër në vend. Kreu i kësaj shoqate Themi Perri, deklaroi se janë mbi 1 500 gjuetarë që vijnë nga vende të tjera legalisht në vendin tonë, ndërsa ky numër shtohet edhe me dyfishin e tyre që hyjnë ilegalisht dhe që bëjnë një gjueti me mjete të sofistikuara dhe të kundraligjshme. Më pas, gjahun e vrarë e kalojnë jashtë shtetit me çmime qesharake. Sipas Perrit, për këtë situatë janë bashkëfajtore edhe disa agjenci “të ashtuquajtura turistike” , që sjellin gjuetarë të huaj klandestinë në vendin tonë. Perri deklaroi se janë rreth 130 mijë arme gjahu me lejë, dhe se ka edhe një numër të madh pa lejë por se për to nuk ka statistikë. Në takim u shqyrtuan masat paraprake te hapjes së sezonit te gjuetisë për kontrollin e licencimit te armeve si dhe instruktimin e gjuetarëve në gjuetinë ligjore e transparente që duhet të bëjnë. Ky takim i shoqatave të gjuetarëve te vendit tonë u organizua në prag të çeljes së sezonit të gjuetisë, i cili hapet më 15 gusht.
Albert Orhanlliu
Tregtar, Armë Gjahu 
“Më shumë këto kohët e fundit janë futur këto si tip “shot gun-i” që zakonisht nuk përdoren si armë gjahu të mirëfillta por mbahen në shtëpi apo në makina nga njerëzit. Ky tip vjen nga Turqia, merren me leje si armë gjahu, por rrallë përdoren si të tilla”
“Ka një shtim fiktiv të numrit të gjuetarëve, të cilët marrin një armë dhe nuk gjuajnë nën mbikëqyrjen e shoqatës apo pyjores. Një pjesë i marrin edhe për vetëmbrojtje, sidomos tani që janë lehtësuar edhe kushtet për marrjen e një leje. Më parë, që të merrje lejen duhej të kaloje një provim tek pyjorja, të anëtarësoheshe edhe në një shoqatë gjuetarësh kurse tani nuk është më ky kusht, mund të marrë kushdo. 
Lelo Aleksi 
Shoqata Gjuetarëve Durrës
108 Milionë lekë armë gjahu, municione dhe aksesorë u importuan gjatë katër muajve të parë të këtij viti sipas të dhënave zyrtare të doganave. Pjesa më e madhe e armëve merren për vetëmbrojtje por duke marrë leje si armë gjuetie

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT