Ikonomu kundër censusit të OMONIA-s

Thimi Samarxhiu
Regjistrimi i OMONIA- s do të dështojë dhe nuk duhet bërë”. Me këto fjalë ish-Konsulli Grek i Korçës, Theodoros Ikonomu-Kamarinos, i njohur për deklaratat e tij të forta pro “Epirit të Veriut”, ka “tronditur” drejtuesit e organizatës OMONIA, të cilët përgatiten që më datë 24 korrik të nisin regjistrimin e minoritetit grek në Shqipëri. Deklarata e Ikonomut është bërë pak ditë më parë në një prej radiove të “Epirit të Veriut” dhe menjëherë ka hasur në sulmet e ashpra të komentuesve të faqeve të internetit, të cilët i kanë quajtur të papranueshme këto deklarata. Ndërkohë i kontaktuar nga “GSH”, kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano nuk ka pranuar të komentojë këto deklarata. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i partisë MEGA, Ziso Lluci është shprehur se çdo nisëm e organizatave apo shoqatave nuk sjell asnjë zgjidhje të problemit, por e koklavit atë më tepër.

Deklarata e Ikonomut
“Regjistrimi i OMONIA-s do të shkaktojë konfuzion të mëtejshëm dhe ndarje në Epirin e Veriut. Një regjistrim i kryer nga OMONIA do të dështojë pasi nuk ka një bazë ligjore. Zoti Bollano tha që do të përdorë 350 anketues, ndërsa shteti shqiptar përdori me mijëra dhe sërish pati probleme”, – deklaroi Ikonomu. I pyetur në lidhje me deklaratën e Vasil Bollano për të kryer regjistrimin me anë të internetit, ish-Konsulli është përgjigjur me shaka, duke u shprehur se: “Duhet të ketë kompjutera në të gjithë Epirin e Veriut”. Ndërkaq, ish-Konsulli grek i Korçës ka shpjeguar dhe reagimin e Ministrisë së Jashtme Greke në lidhje me Censusin. “Pala greke ka pritur që minoriteti të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë derisa erdhi deklarata e Bollanos për të abstenuar. Pas konfuzionit të shkaktuar, Ministria e Jashtme as e ka dënuar dhe as e ka mbrojtur këtë vendim”, – shprehet Theodoros Ikonomu–Kamarinos. Në fund të fjalës së tij Ikonomu nuk ka kursyer as kritikat për organizatën OMONIA duke i bërë thirrje asaj për ndryshme të menjëhershme në status dhe duke e akuzuar atë si përgjegjëse për ndarjen që mbizotëron në minoritetin grek në Shqipëri. “Tashmë në realitetin politik të Epirit të Veriut ekziston dhe partia MEGA dhe duhet të përcaktohet se cili është lidershipi i vërtetë i Veriut” – mbylli fjalën e tij ish Konsulli.

Reagimet
I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” në lidhje me deklaratat e bëra nga ish-Konsulli Ikonomu, kreu i OMONIA-s Vasil Bollano ka refuzuar t’i komentoj ato. “Është në natyrën time që të mos komentoj asnjë deklaratë, të bërë nga kush do”, – u shpreh Bollano. Ndërkaq, një qëndrim tjetër ka mbajtur Sekretari i Përgjithshëm i partisë së minoritetit grek, MEGA, Ziso Lluci. Ai u shpreh se partia MEGA që në momentin e parë e ka deklaruar qëndrimin e saj për Censusin. “Pavarësisht nga iniciativat ligjore anti-kushtetuese dhe anti-evropiane të legjislativit, apo të Gjykatës Kushtetuese; pavarësisht presioneve të qarqeve të brendshme nacionaliste dhe pavarësisht nga thirrjet e disa faktorëve për bojkotim dhe vetë OMONIA, minoriteti duhet të shprehej për identitetin e tij kombëtar, fetar dhe gjuhësor. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi dhe sot jemi përpara së panjohurës se sa është numri i saktë i minoritetit etnik grek”, – u shpreh Lluci. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me vendimin e OMONIA-s për të kryer vetë regjistrimin ai është shprehur se çdo nisëm e organizatave apo shoqatave nuk sjell ndonjë zgjidhje të problemit, por e koklavit më tepër atë duke i dhënë shkas kaotizimit. Ne i bëjmë thirrje politikës shtetërore shqiptare të rikonceptoj edhe një herë marrëdhëniet e saj me minoritetin etnik grek, t’i institucionalizojë ato duke i dhënë shkas pjesëmarrjes së tij në jetën publike dhe sidomos në qendrat ku merren vendimet ndaj tij”, – mbylli fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i MEGA-s.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”              Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT