Xhufi: Spiromilo, vetëm një mercenar i Athinës

Pëllumb Xhufi
Skerdilajd Zaimi
Historia përsëritet, por megjithëkëtë ajo sjell sërish të panjohura. Problemi i Himarës, ka hyrë në diskutimin historik dhe politik më tepër përmes optikës nacionaliste. Sipas historianit Pëllumb Xhufi, të vërtetat e 100 viteve më parë,  nuk mund të mbulohen me propagandë, edhe pse sëmundja shqiptare e lëshimit është po ajo sikundër dhe më parë.
Z. Xhufi, çfarë përfaqëson në histori ajo që njihet si Revolta e Himarës e drejtuar nën ndikimin e Spiro Spiromilos?
Ajo që kërkohet të paraqitet si “kryengritje e Himarës e vitit 1912” nuk ishte aspak një lëvizje e popullsisë së Himarës: ishte një operacion ushtarak desantimi i organizuar nga Shtabi i ushtrisë greke ne kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike, që synonte të parandalonte krijimin e shtetit shqiptar dhe aneksimin e viseve të Shqipërisë së Poshtme, përfshirë edhe vetë Vlorën. Në këtë operacion morën pjesë dy batalione të ushtrisë së rregullt greke bashkë me një formacion të “vullnetarëve” nga Kreta, gjithsej 1500 trupa, që në fund të muajit tetor 1912 zbarkuan në Himarë nga dy anije luftarake të flotës greke. Në këtë aksion u përfshi majori i ushtrisë greke, himarjoti Spiromilo, bashkë me disa himarjotë të tjerë me banim në Athinë, të çilët, duke aktivizuar edhe disa grekomanë të tjerë nga Himara, u përdorën nga Athina për t’i dhënë edhe këtij agresioni të ri ushtarak aparencën e një “lëvizjeje nga brenda”. Histori e njëjtë me atë të Lëkurësit në 1878 dhe me ato që Athina ka tentuar të bëjë edhe në vitet e mëvonshme, deri në ditët tona, sigurisht me forma e mjete të tjera. Siç thashë, zbarkimi i trupave greke në Himarë u krye ende pa u shpallur pavarësia e Shqipërisë dhe qëllimi i tij ishte, siç thashë, të parandalonte krijimin e një shteti shqiptar dhe të bënte fakt të kryer aneksimin e asaj që në gjeopolitikën e kohës, përfshirë edhe në atë greke, quhej “Shqipëria e Poshtme” dhe që shtrihej nga Vlora në Prevezë. Ndonjë mercenar himarjot, si Spiromilua në fjalë, u përdor në atë rast për ta paraqitur pushtimin si një akt spontan e të vullnetshëm të popullsisë vendase.

A mund të rikthehen, sipas jush, disa të drejta specifike për zonën e Bregdetit, nisur nga tradita historike në këtë drejtim? A mund të rishikohet figura e Spiromilos, nisur nga fakti se rishikimi dhe rehabilitimi i figurave historike është promovuar edhe nga Kryeministri?

Vetëm një mendje primitive dhe e mbyllur mund të pretendojë të kthejë sot, në Evropën moderne, rikthimin në sistemin anadollak të “venomeve”. Në rast se në 1925, Zogu i njohu Himarës një farë autonomie fiskale, këtë e bëri jo si një “lëshim” ndaj himarjotëve, por si një obligim ndaj një ujdie tjetër të pistë, që kishte arritur paraprakisht me Athinën, ashtu siç kishte vepruar edhe në rastin e ujdisë së bërë me Pashiqin e Serbisë. Pra, për të rrëzuar qeverinë demokratike të Nolit, ai kërkoi edhe ndihmën e Greqisë, e cila ia ofroi menjëherë, porsa Zogu ra dakord të realizonte disa kërkesa të “axhendës greke”, përfshirë edhe dhënien e një autonomie fiskale Himarës dhe hapjen e shkollës greke në këtë vend shqiptar. Për hir të së vërtetës duhet thënë se këtë të fundit, d.m.th. hapjen e shkollës greke në Himarë, Zogu e shtyu sa mundi, i ndodhur siç ishte edhe nën presionin e intelektualëve dhe zyrtarëve patriotë, siç ishte Eqrem Çabej, në rastin konkret. Lëshimet e mësipërme, në drejtim të një rikthimi të sistemit mesjetar të “venomeve”, Zogu i bëri qoftë se ra viktimë e politikave të veta personale e të paprincipta, por edhe për faktin se pas vitit 1933 pozita e tij u dobësua së tepërmi pas acarimit të marrëdhënieve me Italinë fashiste. Atë kohë, ai u shtrëngua t’i rikthehej kartës së “miqësisë” me Athinën, dhe në këtë kuadër vuri në jetë edhe premtimet lidhur me “autonominë” e Himarës, që kishte marrë përpara ambasadorit grek në Athinë. Sa i përket rishikimit të figurës së Spiromilos sot, në kuadrin e fushatës së “rishikimit” të historisë, të shpallur nga kryeministri Berisha, mund të them se ky e ka realizuar në praktikë një gjë të tillë. Ka shpallur si mik për kokë Vasil Bollanon, njeriun që ka sfiduar historinë, Kushtetutën dhe gjithë popullin shqiptar, duke kërkuar autonominë e Himarës e të gjithë “Vorio-Epirit”, e deri bashkimin e tij me Greqinë. Është e çuditshme se si përsëritet historia dhe se si qarkullojnë “zoqtë” në politikën e Shqipërisë sonë. Aty nga viti 1926, Athina kishte “deleguar” në Himarë dy mercenarë të saj, “majorin” Spiromilo të 1912-ës, dhe një farë Jorgji Bollano, paraardhës i Vasilit të Berishës. Po atë kohë, një himarjot, E. Nushi, shkruante në Korfuz një libër mbi Himarën, ku denonconte si mercenarë të paskrupuj dhe si grabitës tokash këta dy “himarjotë” me rrënjë në Progonat të Kurveleshit, të çilët jo rastësisht ishin njëherësh beniaminë të Athinës e të Zogut. Kështu pra, z. Berisha nuk ka përse të vërë në punë historianët për të shkruar ndryshe një histori, që falë tij, rrjedh njëlloj si në vitin 1926.
Zgjedhjet në Greqi

Pirro Dhimës do t’i vinte turp sot nga deklaratat e tij për Epirin e Veriut

Së fundmi, shtetas shqiptarë janë përfshirë nga partitë greke si kandidatë për zgjedhjet e sotme. Si mund te ndikojë kjo në Shqipëri?
Unë uroj shumë që këta shtetas shqiptarë, që njëherësh kanë marrë edhe shtetësinë greke, të luajnë rolin e tyre në mirëqenien e begatinë e Greqisë fqinje. Unë jam i bindur, se duke bërë këtë, pra duke qenë politikanë të aftë, të ndershëm e me integritet në partitë politike e në institucionet shtetërore të Greqisë, ata i zbardhin faqen si atdheut që i ka adoptuar, Greqisë, por edhe atdheut të tyre të parë Shqipërisë. Si të tillë do t’i shërbenin edhe miqësisë shqiptaro-greke, që ka nevojë për kontributin krejt të veçantë të tyre. Unë kam shumë dëshirë të harroj disa imazhe të vitit 1992, kur Pirro Dhimoja ynë i përbashkët, i porsa kurorëzuar kampion olimpik i Greqisë, përcillej nga njëri repart ushtarak tek tjetri dhe, i rrethuar nga ushtarakë vetullngrysur të Athinës, nuk hezitonte të lëshonte deklarata “vorioepirote” e luftënxitëse kundër Shqipërisë. Jam i bindur që Pirro Dhimës së sotëm do t’i vinte turp nga këto “fillimet” e tija politike. Në këtë kuptim, mendoj, Spiromilot e Himarës përfaqësojnë një shembull që nuk duhet ndjekur nga himarjotët apo nga çdo shqiptar tjetër, që sot jeton në Greqi. Të karakterizuar nga një shpirt mercenar, Spiromilot pranuan gradat, postet e paratë e Athinës për t’iu vërsulur atdheut të tyre, Shqipërisë. E megjithatë, ata nuk lanë emër të mirë as në Shqipëri, as në vendlindjen e tyre, në Himarë, por as në Greqinë që thjesht i përdori për qëllimet e saj.  Siç thotë historiani grek S. P. Papageorgiou, sado që Spiromilot u përpoqën gjithë jetën të hiqeshin më grekë se vetë grekët, ata nuk arritën të identifikoheshin ndryshe nga opinioni grek, veçse si “shqiptarë puthadorë” (kolakas).

Himarë, pas 100 vjetësh bust përkujtimor për Spiro Milon

Simpozium shkencor për “Revoltën e Himarës” që kërkonte autonomi nga shteti shqiptar
100 vjet të krijimit të shtetit shqiptar nuk duket të kenë mjaftuar për të zeruar problemet e brendshme. Madje, edhe ato me rëndësi kapitale e që lidhen me kohezionin mes rajoneve të tij, pavarësisht se Kushtetuta sanksionon se Shqipëria është një shtet unitar. Kështu një shekull pavarësi nga Perandoria Osmane bart me vete edhe 100 vjet konservim të çështjeve, që në dritën e demokratizimit riciklohen sërish si pjesë e një konfrontimi identitetesh. Një ndër to, më delikatja, është Himara dhe Bregdeti, përfaqësues të të cilëve pritet që rreth muajit shtator të organizojnë një simpozium shkencor për atë që njihet ndryshe si Kryengritja, apo Revolta e Himarës. “Revolta e Himarës lidhet me kundërshtimin që Spiro Milo dhe banorët e zonës i bënë vendimit të Fuqive të Mëdha për të lënë Himarën brenda shtetit shqiptar. Madje edhe nëse për këtë çështje lexohet në Wikipedia, shihet se në këtë kohë është kundërshtuar edhe apeli i kryeministrit grek, Venizellos për të pranuar vendimin e Fuqive të Mëdha. Që këtej nisi ajo që quhet Revolta e Himarës e cila çoi në nënshkrimin e Protokollit të Korfuzit, i cili i njeh krahinës pavarësinë”, tha për Shekullin, gazetari Stavri Marko, njëherazi drejtor Ekzekutiv i shoqatës Komuniteti Himarjot. Duhet kujtuar se Protokolli i Korfuzit njeh edhe Autonominë e Epirit të Veriut, sanksionuar mes atyre që drejtonin lëvizjen për Autonomi si një palë dhe palës tjetër, asaj shqiptare, të përfaqësuar në personin e Mehdi Frashërit. Simpoziumi vjen si një nismë e profesorit Priamo Bollano dhe është mbështetur nga komuniteti me synim zbardhjen e fakteve historike dhe rolit të Spiro Milos përballë “Shqipërisë, Greqisë dhe Fuqive të Mëdha”, siç sqaron Marko. Bëhet fjalë për atë që ndryshe artikulohet si beteja për të ruajtur të drejtat e krahinës, brenda së cilës në kohëra është ngjizur një identitet i spikatur dhe vetëdije që pak vlerë i jep origjinës etnike. Në simpoziumin që do të zhvillohet në Himarë, do të marrin pjesë personalitete të komunitetit himarjot në Shqipëri, Greqi, Evropë dhje SHBA, çka i jep atij një rëndësi jo të vogël brenda kontesktit politik të Shqipërisë. E vënë në raport me kuadrin ligjor dhe institucional, simpoziumi padyshim që do të zhvillohet në dijeni të plotë të autoriteteve shqiptare dhe kryeministrit Sali Berisha. Për rrjedhojë, ai përveçse një e drejtë e banorëve të zonës, vjen në përputhje edhe me ligjin, për ta lënë debatin të ndezur vetëm në planin historik. Më tej akoma, Marko thekson se përfaqësues të komunitetit por edhe të Diasporës, do ti kërkojnë këshillit Bashkiak të Himarës lejen për të ngritur një bust, apo monument për të mirënjohurin  Spiro Spiromilo, i cili po riadoptohet si figurë me vlerë historike nga krahina prej nga ku kishte origjinën.  Parë në një vështrim diakronik, ngjarja nuk përbën risi; ajo thjesht riaktualizon një problem politik për Shqipërinë, por që me optikën e përfaqësuesve të Himarës është një e drejtë e mohuar. E inkuadruar si pjesë e zbatimit të së drejtave, çështja implikohet me afrimin drejt familjes evropiane, që parashikon mundësi të barabarta për të gjithë.

Bregdeti: Mosbindje civile për pronat e banorëve dhe të Kishës

Problemi i pronave provokon reagim të organizuar politik dhe njerëzor në Bregdet.  “Anëtarët e komunitetit tonë, brenda dhe jashtë vendit shpallin mosbindje civile ndaj administratës lokale të Bashkisë Himarë dhe komunës Lukovë për pronat e komunitetit dhe ato të Kishës Ortodokse”, thuhet në deklaratën e miratuar në takimin Mbarëbregdetar të 13 prillit 2012. E organizuar nga Komuniteti Himarjot dhe Shoqata Bregdeti takimi nënvizon një problem shumë serioz në këtë rajon të Shqipërisë i cili shpall madje mosnjohje edhe të ligjit nr. 7501, i konsideruar edhe nga të tjerë në Shqipëri si një ligj antikombëtar. Por nëse çështja e pronës është gangrenë ekonomike kudo gjetkë, në Himarë ajo po mahis një temë politike përderisa takimi Mbarëbregdetar ka paralajmëruar zhvillimin në muajin shtator të një takimi tjetër të të gjithë bregdetasve me synim “marrjen e vendimeve strategjike për të ardhmen”.


Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT