Athina: Tirana duhet të gjejë një zgjidhje për paktin e ujërave

Greqia e njeh si legjitime dhe në përputhje me ligjin e detit marrëveshjen e delimitimit të ujërave detare dhe Kontinental Shelf, e nënshkruar në Tiranë mes dy vendeve. Në një takim javor diplomatik me gazetarët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të fqinjit jugor, Grigoris Delavekouras, u shpreh se pakti në fjalë është brenda normave të së drejtës ndërkombëtare dhe se i shërben interesit të të dyja vendeve. “Marrëveshja për ujërat midis Shqipërisë dhe Greqisë është një marrëveshje e mirë. Ajo është firmosur prej të dyja qeverive dhe është bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Siç dihet, çështja është komplikuar prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, por ne mendojmë se i takon Tiranës të gjejë zgjidhje për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Parlamentin e saj. Ne mendojmë se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugë shfrytëzimit prej dy vendeve të pasurive natyrore që ndodhen në zonë. Ashtu siç e ka pohuar edhe vetë ministri i Jashtëm shqiptar, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ndikon për mirë në rrugën europiane të Shqipërisë”, tha Delavekouras. Brenda termave të lakuar dhe pamjes diplomatike, ai ka përcjellë mesazhe të qarta për palën shqiptare, e cila pretendon se marrëveshja po rinegociohet. Në fakt, një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Delavekouras, që e cilësoi dokumentin thjesht një problem të Tiranës zyrtare. Referenca e qartë për raportin e pastër të marrëveshjes me ligjin e detit i jep një peshë tjetër fajësuese firmës së vënë në këtë dokument, i cili mbetet i pariciklueshëm si për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për shkak të denoncimit të tij të përgjithshëm politik. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtmen greke ka folur për interesin ekonomik që lidhet me definimin e Kontinental Shelfit me Shqipërinë, i cili ka fituar edhe forcën e një precedenti pozitiv për Greqinë në raport me Turqinë, me të cilën ajo aktualisht po negocion të njëjtin pakt. Me interes mbetet për t’u parë reagimi i Shqipërisë, ai praktik, mënyra e veprimit dhe jo qëndrimi zyrtar i cili strehohet si përherë te heshtja dhe anashkalimi. Një krahasim ka vend të sillet në këtë rast, pasi deklarimet e ardhura nga Athina zbardhin realitetin e gjërave pse japin një qëndrim zyrtar të Greqisë për këtë çështje. Kështu, në datën 10 tetor, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, është shprehur në një intervistë për shtypin, se me palën greke po diskutohen mundësitë e trajtimit të çështjes. “Ne jemi në kontakt me palën greke dhe kemi shpjeguar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje tjetër për të cilën jemi të gatshëm të kontribuojmë, përfshirë edhe mundësinë e rinegocimit të marrëveshjes”, është shprehur Haxhinasto. Përkundrejt deklarimeve të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, ky përkufizim bie poshtë të paktën aktualisht, për sa kohë që Delavekouras e ka trajtuar problemin si tërësisht shqiptar. Në këtë kuadër ballafaqimesh, një ide të ndërmjetme ka hedhur Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka propozuar adresimin e marrëveshjes dhe termave të saj në Gjykatën Ndërkombëtare, që Greqia e shikon si stacion të mundshëm edhe për diskutimin e të njëjtit pakt me Turqinë. Teknikisht rrëzimi politik i dokumentit u bë për shkak të pikave të diskutueshme në kanalin e Korfuzit – shkëmbi Barketa- dhe në pikën mbyllëse e njohur si Pika 150, e cila është premisë për definimin e kufijve tresh mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë.