Greqia ka bllokuar tre herë Shqipërinë në BE, ministri Meta e quan “mbështetje”

Nga Ardit Saliaj :
Meta vazhdon të quajë fqinjësi të mirë, qëndrimin e Greqisë, kur njeh edhe një fakt tjetër antishqiptar, të mbajtur zyrtarisht prej Greqisë. Ja më konkretisht: Në vitin 1992, BE planifikoi 20 milionë EKU fond për Shqipërinë. Qeveria greke e kundërshtoi këtë investim për Shqipërinë, duke vënë veton. E njëjta gjë ndodhi dhe në vitin 1993, kur BE planifikoi të japë një grand financiar po 20 milionë EKU për Shqipërinë. Greqia nuk hezitoi të shfaqet përsëri me të njëjtin qëndrim bllokues, si në vitin1992, duke vënë veton e kundërshtimit dhe gjithçka u përmbys. Në vitin 1994, BE planifikoi përsëri akordimin e të njëjtës masë donacioni për Shqipërinë. Greqia nuk hezitoi të kundërshtonte e të synonte të bllokonte përsëri me veton që kishte, por nuk arriti, sepse ndryshe nga herët e tjera, Greqisë iu kundërvu Gjermania, nëpërmjet ish-ministrit të Jashtëm, Klaus Kinkel, duke i kërkuar BE, të shtonte një paragraf në Status, që në rastet, kur një anëtar vë veton më shumë se 2 herë për të njëjtin problem, kjo veto të mos ketë vlerë. Ky qëndrim gjerman, hapi rrugën që Shqipëria, pa dëshirën e Greqisë, të përfitonte 20 milionë EKU-të e akorduara në projektin “CROSS BORDER”, të detajuara e të orientuara kryesisht për ndërtimin e segmentit rrugor Korçë-Kapshticë-Tri Urat.Në vijim të këtij investimi, në vitin 1994 u hodh ideja e “Korridorit 8-të”, që do të kalonte në vijën Durrës-Elbasan-Shkup-Sofje-Stamboll. Pasi u hartuan modalitetet dhe u bënë paktet e fillimit të këtij investimi gjigand, u bë marrëveshja dhe po këtë vit u firmos nga ish-presidentët Klinton, Berisha, Gligorov, Zheliev dhe Ozal. Kjo marrëveshje politike, bëri që në vitin 1995 të nisnin procedurat për hartimin e projekteve dhe çeljen e fondeve, moment pas të cilit Greqia, si vend i pa përfshirë në këtë resurs, madje plotësisht jashtë tij, nisi sulmin për t’u bërë pjesë e “Koridorit 8” duke synuar dhe vepruar me makinacione për ta devijuar nga Shqipëria, duke e kaluar nga Porti i Selanikut, qëndrim i cili ndeshi në reagimin e ndërkombëtarëve,por jo të qeverisë e të shtetit shqiptar, të cilët me qëndrimet dhe pazaret e tyre të fshehta, vendosën t’ia dhuronin Greqisë këtë mundësi madhore zhvillimi dhe lidhjen e Shqipërisë me botën e zhvilluar. Por këto projekte e fonde u “ngrinë” përkohësisht, për shkak të ngjarjeve të vitit 1997.