Grekët, TEC me qymyr në Shqipëri
Shoqëria greke PPC dhe gjermania RWE do ndërtojnë termocentral 800 mega

Në kulmin e debateve mes ambientalistëve dhe qeverisë për morinë e veprave energjetike të parashikuara për t‘u ndërtuar në vend, lind një tjetër projekt, që pritet të ndezë edhe më shumë luftën mes palëve. Mediat ndërkombëtare njoftuan dje se kompania publike greke e energjisë, PPC, dhe shoqëria e dytë më e madhe e prodhimit të energjisë në Gjermani, RWE, në bashkëpunim do të ndërtojnë shumë shpejt në Shqipëri një termocentral me qymyr, me një fuqi të instaluar, që do të variojë nga 500 deri në 800 megavat. “Në mbledhjen tjetër të bordit, që do të mbahet në datën 22 të këtij muaji, ne do të nënshkruajmë marrëveshjen e mirëkuptimit me RWE, tha për mediat drejtori ekzekutiv i PPC-së, Takis Athanasopoulos. Ky termocentral me qymyr i bashkëngjitet atij të projektuar nga gjiganti italian ENEL. Shoqëria greke nuk e ka bërë publik vendin se ku do të ndërtohet termocentrali misterioz, për të cilin në Shqipëri nuk është folur asnjëherë. Ky projekt nuk është bërë i njohur në publik. Vepra energjetike, sipas agjencisë së lajmeve “Rojters” do të ketë 3 pronarë. Përveç shoqërisë greke dhe gjigantit gjerman, në këtë projekt do të jetë e përfshirë edhe një tjetër shoqëri greke, por mjaft e njohur në Shqipëri. Kompania “Titan”, e cila është tashmë aktive në vendin tonë, pasi prej vitit të kaluar ka marrë nga qeveria licencën për të ndërtuar një fabrikë çimentoje në Fushë-Krujë, me vlerë 170 milionë euro, do të ketë 10 për qind të aksioneve të termocentralit.
Termocentrali
Termocentrali me qymyr, i propozuar për t‘u ndërtuar nga konsorciumi gjermano-grek, do të funksionojë si një joint-venture dhe është projekti i dytë i këtij lloji në vendin tonë. Më parë, shoqëria italiane “Enel” kishte propozuar të ndërtonte një tjetër TEC me qymyr në Shqipëri dhe madje për këtë ka pasur edhe një marrëveshje paraprake mes qeverisë shqiptare dhe shoqërisë italiane. Vendi i ndërtimit të hidrocentralit ende nuk dihet se cili do të jetë, por ministri i Energjetikës, Genc Ruli, ka siguruar se nuk do jetë qyteti i Vlorës. Termocentrali i ri i propozuar nga grekët si aksionerë kryesorë gjermanët me 51 për qind të aksioneve. Shoqëria publike greke e energjisë do të zotërojë 39 për qind të aksioneve, ndërsa “Titan” do të ketë 10 për qind.
Ekspertët
Ekspertët e energjetikës thonë se ndërtimi i termocentraleve pa fund në Shqipëri është një gabim, për shkak se vendi ynë nuk ka avantazhe në këtë drejtim. Ata thonë se tashmë që Kosova është e pavarur, lindin mundësira të reja bashkëpunimi mes dy vendeve. Kjo është pranuar dhe nga vetë ministri i Energjetikës, Ruli. “Shqipëria dhe Kosova janë të dënuar për të qenë plotësues të njëra-tjetrës në sektorin e energjisë. Kosova, me pasuritë e saj të pashtershme të linjitit dhe Shqipëria me rezervat e konsiderueshme të pashfrytëzuara hidrike, mund të krijojnë një sistem optimal energjetik, i cili duhet të shkrihet në një të vetëm”, ka deklaruar Ruli. Pra, profilizimi i Shqipërisë në prodhimin e energjisë hidrike, kur Kosova ka avantazhe të theksuara në prodhimin e energjisë termike, duket se është çelësi i optimizmit të sistemit energjetik në vendin tonë.
TEC-i do prodhojë energji për grekët
Gazeta “Ethnos” zbulon detajet e planit grek. Ruli: S‘na ka mbërritur oferta zyrtare
Shqipëria rrezikon të zhytet në një skandal të rëndë ekologjik, nëse qeveria do të pranojë ofertën e grekëve për ndërtimin e një termocentrali të ri për prodhimin e energjisë elektrike me qymyrguri. Gazeta greke “Ethnos”, në numrin e saj të fundit, shkruan se kompania shtetërore energjetike greke, PPC, ka anuluar ndërtimin e TEC-it në qytetin e Kozanit në Greqi, pas protestave të forta të banorëve të zonës, për shkak të nivelit të ndotjes që shkakton dhe ka vendosur që ta zhvendosë atë drejt Shqipërisë. Sipas drejtuesit të korporatës greke, Takis Athansopullos, që citohet nga gazeta vendase, vendimi u mor pasi reagimet, sipas tij të padrejta të banorëve të Kozanit, po i kushtojnë zonës disa milionë euro investime.
Oferta
Mirëpo oferta për qeverinë shqiptare nuk është bërë nga grekët, por nga gjermanët, të cilët, sipas revistës “Forbes”, do të jenë bashkëfinancues të TEC-it. Por, ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, deklaroi se deri tani pala shqiptare është njohur vetëm me një propozim për të bërë ofertë për ndërtimin e një TEC-i në Shqipëri, por propozuesit nuk kanë asnjë detaj për projektin dhe vendin ku ata kërkojnë që ta ndërtojnë. Qeveria shqiptare, sipas Rulit, është në pritje të ofertës së plotë dhe vetëm pas shqyrtimit të saj do të marrin vendim. Megjithatë, gazeta greke “Ethnos” zbardh disa nga detajet e propozimit grek, që flet se TEC-i kërkohet të zhvendoset nga Greqia dhe të ndërtohet në Shqipëri. Sipas gazetës, pothuajse e gjithë energjia që do të prodhohet nga ky TEC do të eksportohet për në Greqi dhe palës shqiptare do t‘i jepet vetëm një pjesë e vogël e energjisë së prodhuar, si këmbim për lejen e ndërtimit. Vitin tjetër, Greqia do të ketë nevojë për 800 megavatorë më shumë energji dhe nëse nuk i siguron, shumë zona të saj do të vuanin nga kufizimet. Ndaj grekët kërkojnë që ky TEC të ndërtohet në kohë rekord. TEC-i i Kozanit, të cilët grekët kërkojnë ta transferojnë në Shqipëri, sipas vetë shoqatave ambientaliste greke është i një teknologjie të vjetër dhe shkakton ndotje të lartë. Ambientalistët e fqinjit tonë jugor fatmirësisht janë shprehur kundër ndërtimit të këtij termocentrali, jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri, pasi, sipas tyre, erërat e veriut mund të sillnin ndotje në ajër edhe në zonën e tyre.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut
Kliko me siper per tu bere anetare ne faqe ^^^