U dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, ambasada e SHBA-ve jep 800.000$ për tre monumente kulture

Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit në vendin tonë, nuk kurseu as monumentet e kulturës, duke i dëmtuar ato në një masë të konsiderueshme.
Kështu, sot në Ditën Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike, ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka bërë me dije se nëpërmjet Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, po kontribuon 800,000 dollarë për punë rimëkëmbëse dhe mbrojtëse në tre monumentet të rëndësishme të kulturës në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Postimi i plotë i ambasadës së SHBA-së në Facebook
Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike, e cila na sjell në vëmendje nevojën për të ruajtur monumentet dhe parqet arkeologjike, dhe për të vlerësuar larminë e trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, po kontribuon pothuajse 800,000 dollarë për punë rimëkëmbëse dhe mbrojtëse në tre monumentet të rëndësishme të kulturës në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.