Ish-prokurori Beci për Zvërnecin: Me hetim të SPAK-ut nuk jepet dot më leje!

Në emisionin e sotëm (8 qershor) të “Opinion”, në Tv Klan, u trajtua çështja e tokave në Zvërnec, të cilat ndodhen nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, shpjegon se SPAK po e trajton çështjen e tokave në Zvërnec jo drejtpërdrejt si falsifikim, por në kuadër të pastrimit të produkteve të veprës penale, duke pasur dyshime për dokumente të falsifikuara. Sipas tij, kjo ka sjellë edhe sekuestrime të pjesshme, të cilat janë hequr nga kompanitë dhe janë lënë vetëm në lidhje me pagesat që do të kalonin përmes noterit te pronarët e truallit.

Beci thekson se në këtë rast ekziston një problem ligjor, pasi në apel ka vendime gjyqësore të formës së prerë, ndërsa Prokuroria e Posaçme po ngre dyshime për falsifikim, çka e çon çështjen në një ndërthurje mes procedurave penale dhe civile.

“Pretendimi i SPAK-ut është me dyshimin për falsifikim, por heton për pastrimin e produkteve të veprës penale. Që do të thotë, ka ndërhyrë dhe me atë sekuestro të cilën e hoqi nga kompania dhe e la vetëm tek paratë që do kalonin noterja tek pronarët e truallit që kanë bërë edhe kontratën. Këtu do ndalojmë tek një koncept ligjor. Kemi disa vendime ligjore të cilat kanë marrë formë të prerë në apel dhe tashmë Prokuroria e Posaçme mendon dhe dyshon që kemi të bëjmë me falsifikim. Ka një problem ligjor të madh, që hyjmë tek dosjet civile.

Kemi një dokument që në 1930-ën për 230 ha tokë që pretendon familja Shehu për shkak të pronësisë së gjyshit të tij. Kemi shumë elementë të tjerë, por kjo nuk merret e veçantë, merret në tërësi. Prokuroria e Vlorës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar që në vitin 2012-2013 një hetim të zgjeruar për Palasën, për Zvërnecin… dhe aty kanë dalë të gjitha këto probleme dhe për personazhin avokatin e familjes që përmendi zonja Lala, që ishte problematikë. Këtu tani jemi përballë një koncepti ligjor. Kemi disa vendime gjyqësore të formës së prerë. Me çfarë lexoj unë, pretendimi është bërë në deformim gjyqësor, por kemi një problem të madh. Falsifikimi, prandaj SPAK-u s’po ndërhyn drejtpërdrejt tek falsifikimi i dokumenteve, po ndërhyn tek pastrimi i produkteve të veprës penale me dyshimin për falsifikim. Sepse falsifikimi është çështje fakti, ose është tapia e 1930-ës false, ose nuk është. Nuk mund të thuash dyshojmë apo nuk dyshojmë. Këtu është problemi thelbësor“, tha ai.

Sipas Becit, thelbi i çështjes është se falsifikimi është një fakt që ose ekziston ose jo, dhe nuk mund të mbetet në nivel dyshimi, ndërsa SPAK, sipas tij, nuk po ndërhyn drejtpërdrejt te falsifikimi i dokumenteve, por te pasojat e tij financiare dhe juridike.

Ish-prokurori shton se aktualisht çështja ndodhet përballë një situate ku vendimet gjyqësore të mëparshme janë të formës së prerë, por po ngrihen dyshime mbi to për shkak të pretendimeve për dokumente të falsifikuara.

Ai shpjegon se shteti nuk mund të qëndrojë jashtë këtyre proceseve, pasi Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) ka qenë palë në gjykime. Sipas tij, në këto raste mund të ndiqen dy rrugë ligjore: rivendosja në afat ose rishikimi i vendimit, ku ky i fundit mund të kërkohet vetëm nga palët në proces, nëse paraqitet një provë e re e rëndësishme, siç mund të jetë një dokument i dyshuar si i falsifikuar.

Ai përfundon se ndërhyrja përmes hetimit penal e komplikon më tej procesin e dhënies së lejeve.

Ku jemi tani? Dyshimet për vendimet e gjyqit për shkak të falsifikimit të letrave. Kemi dy elemente që duhet t’i shohim në konsideratë.

E para, nuk mund të dalë shteti dorëjashtë siç ka thënë deri më sot kryeministri i Republikës së Shqipërisë, sepse Agjencia e Trajtimit të Pronave gjithë kohën në këto procese ka qenë palë. Duke qenë se ATP ka qenë palë, kemi dy institute që duhet të ndërhyjnë: ose rivendosja në afat, ose rishikimi. Rivendosja në afat është e vështirë sepse palët kanë marrë njoftimet e rregullta. Rishikimi bëhet kur vjen një provë e rëndësishme që mund të jetë e falsifikuar.

Një nga palët që janë, ose familja Shehu, ose ATP, kur del kjo provë e falsifikuar që mund ta nxjerrë nesër SPAK-u, deri më tani e ka të dyshimtë, mund të bëjë rishikim të një vendimi, por një nga palët, nuk mund ta bëjë një palë e tretë. ATP është palë shtetërore në këtë mes.

Duke ndërhyrë me hetim, nuk jepet më leja aty”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT