Albin Kurti: Jemi tkurrur dhe vrarë, pasi kemi qenë të ndarë
Kreu i “Vetëvendosjes” thekson se duhet të bashkohet Shqipëria dhe Kosova.
Kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, i ftuar dje për të marrë pjesë në marshimin e paqes, që kulmoi në Qafë-Botë, dha për të gjithë të pranishmit mesazhe të forta për bashkimin kombëtar. Pasi bëri një historik të gjatë të Shqipërisë, duke e vendosur theksin te momentet më të dhimbshme që kishte përkujtuar kombi ynë, Kurti theksoi se nuk mund të tolerohej fakti që shqiptarët të vijonin të ishin të ndarë. “Gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi përjetuar vetëm tkurrje dhe gjenocid nga fqinjët grabitqarë, të cilët nuk kanë kërkuar as falje dhe nuk na kanë dhënë as drejtësinë e mohuar. Ne kemi qenë të dobët, sepse kemi qenë të ndarë, ne jemi të ndarë, sepse kemi qenë të dobët”, theksoi Kurti. Sipas tij, shqiptarët sot kërkojnë vetëm drejtësi, duke e quajtur këtë komponent thelbësor për të pasur paqe të vërtetë. Sipas Kurtit, Shqipëria me Kosovën duhet të bashkohen një orë e më parë, duke theksuar se kjo do të krijonte një shtet të fortë, si ekonomik ashtu edhe ushtarak, për ta ruajtur vendin nga sulmet e fqinjëve, të cilët nuk duan t’i pranojnë realitetet e reja në rajon.
“Greqia e sheh Shqipërinë të ndarë, po kështu e sheh edhe Serbia. Bashkimi i dy vendeve është kusht për ndaljen e hegjemonizmit të dy fqinjëve grabitqarë. Ky shtet duhet ta mbrojë dhe ushqejë kombin shqiptar, duhet të formojë një ekonomi të fortë për të punësuar të rinjtë dhe një ushtri të fuqishme, e cila do të ndalë sulmet e fqinjëve grabitqarë”, deklaroi Kurti në fjalën e tij përpara mijërave shqiptarëve në kufirin me Greqinë. Por, sipas tij, ky është vetëm hapi i parë që duhet të hidhet në emër të bashkimit të shumëpritur, pasi janë shumë treva të tjera shqiptare që kërkojnë të jenë në të njëjtin shtet. Nga ana tjetër, Kurti theksoi se kombi shqiptar duhet të mbante gjallë idealet e rilindësve dhe nuk duhet ta shuante asnjëherë shpresën për bashkimin kombëtar. “Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit, rroftë Çamëria, rroftë kombi shqiptar”, ishin fjalët e fundit të Kurtit. 67 vjet më parë, mbi çamët u ekzekutua një plan i përgatitur, për t’i asgjësuar tërësisht si komunitet nga dheu i të parëve, vetëm sepse ata i përkisnin një komuniteti etnik, fetar dhe social, i ndryshëm nga popullsia shumicë.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.