Mori “biletën” për në Finalen e Eurovizion! Sonila Meço tregon Alis që jo të gjithë e njohin: Është i gjithi art, i pandotur nga çakërdisja e rrjetit

Nata e dytë e gjysmëfinales së Eurovision Song Contest 2026 ka ulur siparin me një lajm të jashtëzakonshëm për publikun shqiptar: Alis ka prekur me sukses Finalen e Madhe! Artisti arriti t’i bëjë të gjithë shqiptarët krenarë me këngën “Nan”.

E teksa të gjithë kudo në rrjete sociale janë duke i shprehur urime të përzemrta Alisit, një urim shumë të veçantë ka bërë gazetarja dhe moderatorja Sonila Meço, duke na treguar kështu një anë të Alis që jo të gjithë e njohin. Ajo e ka njohur prej një viti Alisin, pasi ai ka qenë profesori i pianos të së bijës.

“Nuk e ka Alisi atë ankthin modern për të kapur qendrën e vëmendjes, nuk është prekur (dashtë Zoti kurrë) nga cinizmi, agresiviteti i ekspozimit” e nis shkrimin Sonila, duke përshkruar kështu një anë shumë  të bukur të artistit, i cili në fakt e nisi gjithçka nga zeroja, por prap edhe tashmë që ka mbërritur “majat” nuk e ka lënë famën t’i “zejë sytë”.

“E njoh mirë, sepse për një vit ishte profesori i pianos së sime bije në ZojArt. Edhe në klasën e vogël, zhytur në partitura, duke sistemuar pasionin e Amarisit për muzikën, i shndriste natyrshëm aura e artistit, me një dritë të butë, të pastër, njerëzore.

Kush e njeh e di se Alisi është i gjithi art, në komunikim, pamje, veshje, lëvizje, sjellje…si një personazh filmi, i pa ndotur nga presioni i turmës, i shijeve masive, modës së ditës, çakërdisjes së rrjetit” ka shkruar më tej në statusin e saj moderatorja, teska shton më tej se ai “ka lindur me yll në ballë”.

Ajo thotë se që prej “Suus” të Rona Nishliut, nuk ka pasur ndonjëherë në Eurovizion një reagim të ngjashëm nga publikut europian për një këngë të konkursit, dhe kjo sipas saj sepse fjala ”Nan” prek një nga pak ndjesitë që i mbijetojnë çdo gjuhe, ideologjie apo kufiri. Çdokush e ka pasur shumë lehtësisht të kuptojë ndjenjën edhe pse jo gjuhën.

“Prandaj “Nan” u kuptua menjëherë edhe jashtë Shqipërisë. Sepse Europa e njeh mirë lëvizjen masive, jetën në tranzit, ikjen nga luftrat, familjen e copëzuar, çmalljen me video-call, gjyshërit e harruar në alzeimer e demencë, prindërit e pangushëlluar.

Përkthimi me titra në gjuhën më të folur në kontinent dhe silueta e Rajmonda Bulkut e bënë universale dhimbjen torturuese të ndarjes prej nënës. Dikush shkruante për pamundësinë e puthjes së fundit, një tjetër për avujt e çajnikut gjithnjë të ngrohtë”, ka shkruar Sonila Meço.

Postimi i plotë:

Nuk e ka Alisi atë ankthin modern për të kapur qendrën e vëmendjes, nuk është prekur (dashtë Zoti kurrë) nga cinizmi, agresiviteti i ekspozimit. E njoh mirë, sepse për një vit ishte profesori i pianos së sime bije në ZojArt. Edhe në klasën e vogël, zhytur në partitura, duke sistemuar pasionin e Amarisit për muzikën, i shndriste natyrshëm aura e artistit, me një dritë të butë, të pastër, njerëzore.

Kush e njeh e di se Alisi është i gjithi art, në komunikim, pamje, veshje, lëvizje, sjellje…si një personazh filmi, i pa ndotur nga presioni i turmës, i shijeve masive, modës së ditës, çakërdisjes së rrjetit.

Ndaj kur fitoi festivalin, apo mahniti Eurovizionin thjesht përmbushi profecinë e kujtdo e njohu nga afër, Alis ka lindur me yll në ballë. Dhe deri këtu ndjej krenarinë personale për mentorin e sime bije dhe profin e akademisë ku ndanim orët e pasioneve tona.

Hyj sot të shoh edhe një herë shfaqjen e Shqipërisë në Eurovizion dhe qysh nga Suus i Ronës nuk mbaja mend reagim të ngjashëm të publikut të thjeshtë europian.

Ndoshta sepse kjo baladë e bukur sentimentale u ra edhe notave të kujtesës primitive. Fjala “Nan” prek një nga pak ndjesitë që i mbijetojnë çdo gjuhe, ideologjie apo kufiri. Ngjeshja edhe emigracionin atij malli të pangopshëm, e nuk ia del të të zërë klisheja e slloganeve tipike patriotike. As rreziku i patetizmit që shpesh gjen shesh per përshesh emotiv në përfaqësimet tona ndërkombëtare.

Përkundrazi, drama sociale e popujve më të “zhuritur” prej atij malli, mbrëmë u shndërrua mjeshtërisht nga përfaqësimi ynë, në psikologji kolektive.

Shihje në komente europiano lindorë me shumicë, rikthyer në pragun e dashur me aromë nëne, mbathur me mantelin e Alisit.

Prandaj “Nan” u kuptua menjëherë edhe jashtë Shqipërisë. Sepse Europa e njeh mirë lëvizjen masive, jetën në tranzit, ikjen nga luftrat, familjen e copëzuar, çmalljen me video-call, gjyshërit e harruar në alzeimer e demencë, prindërit e pangushëlluar.

Përkthimi me titra në gjuhën më të folur në kontinent dhe silueta e Rajmonda Bulkut e bënë universale dhimbjen torturuese të ndarjes prej nënës. Dikush shkruante për pamundësinë e puthjes së fundit, një tjetër për avujt e çajnikut gjithnjë të ngrohtë.

E dhimbshme kudo kjo ndarje, por më shumë e tillë ngjan në Shqipëri, vend nga ku iket si prej lufte, pa patur një të tillë.

Diku, në vargun e pathënë të këngës, për ne shqiptarët, malli për nënën dhemb po aq sa normalizimi i ndarjes si mënyrë jetese. Jo si zgjedhje e lirë, por si e vetmja formë mbijetese fizike, financiare, shpirtërore. Si shpagimi për ato pensione të turpshme, trajtime të ndyra shëndetësore, për atë përdhosje dinjiteti e mungesë shtetërore respekti.

Ah moj “Nân”! Ky shpirt e di!

Por Alisi ua tha mrekullisht të gjithëve!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT