VIDEO/ Milo i tronditur nga arrestimi i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta e falenderon nga qelia: Ajo nuk ishte asgjë, standardet e hetimit janë më keq! Të ftoj në gjyq ta shohësh vetë

Ish-presidenti i Republikës dhe kryetari i burgosur i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shkruar një mesazh falenderimi nga qelia për profesor Paskal Milon, pas një interviste të këtij të fundit teksa shprehej i tronditur për mënyrën e arrestimit të Metës.

“Mirënjohje dhe falënderim i përzemërt për Prof. Dr. Paskal Milon, me të cilin kam pasur kënaqësinë e veçantë të bashkëpunoj, edhe si vartës i tij por edhe si epror, por gjithmonë me të njëjtin raport bashkëpunues dhe të sinqertë, konstruktiv dhe në shërbim të interesit më të lartë publik e kombëtar.

Bashkëpunimi ynë mbetet për mua i jashtëzakonshëm dhe i paharruar, veçanërisht për çështjen e Kosovës, por edhe për menaxhimin e krizës në Maqedoni, që mori fund me Marrëveshjen e Ohrit”, shkruan ish-presidenti Ilir Meta.

Më tej, ai thotë se pavarësisht se profesori është tronditur nga mënyra e arrestimit, ajo sërish nuk është asgjë përpara atyre që Ilir Meta i quan standarde hetimi nga SPAK. Ai e fton profesor Paskal Milon në një nga seancat e hapura, për të parë akuzat ndaj ish-presidentit.

“Duke e falenderuar edhe njëherë për qëndrimin e tij publik, e siguroj se standardet e rrëmbimit që e kanë tronditur Prof. Dr. Paskal Milon, zbehen përballë standardeve të hetimit, të paraburgimit dhe sidomos të “kallëzuesve”.

Ndaj, nëse angazhimet e tij të çmuara si historian dhe lektor ia lejojnë, do të ishte shumë e mirëpritur prania e tij në sallën e gjyqit, për të parë dhe dëgjuar nga afër gjendjen reale dhe nivelin shqetësues të standardeve të hetimit ndaj meje”, përmbyll Ilir Meta.

Por çfarë deklaroi Paskal Milo në emisionin në “Quo Vadis”:

“Nuk jam pajtuar, përkundrazi jam revoltuar për akte skandaloze në trajtimin e politikanëve, me arrestime brutale që u janë bërë, në mënyrë të veçantë ish-Presidentit të Republikës, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-kryeministrit Ilir Meta.

Ka qenë e jashtëzakonshme ndjesia që kam provuar kur kam parë që të trajtohej në atë mënyrë një ish-kryetar shteti. Më ka lënë vragë në shpirt. Kishte forma dhe mënyra të tjera për ta kryer atë ndalim, jo vetëm për Ilir Metën, por për çdo qytetar.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT