Plani i Veprimit 2030, 7.9 miliardë euro për të rindërtuar logjistikën dhe transportin shqiptar

Qeveria shqiptare është në prag të miratimit të një prej dokumenteve më ambiciozë strategjikë të dekadës për infrastrukturën. “Strategjia Sektoriale e Transportit dhe Plani i Veprimit 2030”, e cila ka kaluar tashmë për konsultim publik dhe më pas në Këshillin e Ministrave, parashikon një injektim kapitalesh që kap vlerën e rreth 7.9 miliardë eurove për pesë vitet e ardhshme.

Përtej volumeve financiare, vëmendja e këtij drafti zhvendoset nga ndërtimi tradicional i rrugëve drejt një koncepti të ri për Shqipërinë: transportit të gjelbër, inteligjent, në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian.

Zbatimi i Planit të Veprimit 2026–2030 mbart një kosto të lartë, e cila reflekton nevojën për investime madhore, kryesisht në zhvillimin e rrjetit rrugor dhe hekurudhor TEN-T (Rrjeti Trans-Evropian i Transportit). Sipas relacionit shoqërues të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, këto shpenzime pritet të shtrihen edhe përtej këtij afati kohor.

Për të përballuar këtë faturë, e cila e tejkalon kapacitetin e vetëm të buxhetit kombëtar, qeveria ka strukturuar një skemë të përzier financimi. Sipas dokumentit zyrtar, mbulesa financiare do të garantohet përmes një kombinimi të:

Buxhetit të Shtetit dhe burimeve të brendshme institucionale, bazuar në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA).

Fondeve nga partnerët ndërkombëtarë dhe donatorët e huaj.

Institucioneve Financiare Ndërkombëtare, duke shfrytëzuar instrumente madhore si Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Tranzicioni ekologjik dhe “marrëveshja e gjelbër”

Ndryshimi më thelbësor në këtë strategji është braktisja e modeleve ndotëse të lëvizshmërisë. Relacioni thekson se “strategjia është tërësisht e harmonizuar me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane (European Green Deal) dhe Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.”

Synimi nuk është vetëm rritja e shpejtësisë së lëvizjes, por reduktimi drastik i ndikimeve mjedisore. Dokumenti qeveritar vëren se: “Efektet e pritshme përfshijnë reduktimin e ndikimeve mjedisore në përputhje me objektivat e tranzicionit të gjelbër dhe promovimin e lëvizshmërisë së sigurt dhe të qëndrueshme.” Kjo përkthehet në praktika të tilla si integrimi i transportit rrugor me atë hekurudhor dhe detar, për të ulur varësinë nga automjetet e rënda dhe emetimet e gazrave serrë; përdorimi i teknologjisë për të optimizuar logjistikën, duke ulur kostot e transportit për ekonominë; ndërhyrje që prekin drejtpërdrejt Kapitullin 27 të negociatave (Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike).

Sfida e zbatueshmërisë dhe integrimi në BE

Pavarësisht vizionit të qartë, drafti nuk i fsheh problematikat strukturore që mbart sektori, duke vënë theksin te “nevoja për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional”. Përafrimi i legjislacionit kombëtar me acquis communautaire në fushën e transportit (Kapitulli 14 dhe 21) shihet si garancia e vetme që këto 7.9 miliardë euro të përkthehen në një rrjet transporti të standardeve evropiane.

Miratimi i kësaj strategjie, i planifikuar në programin analitik të vitit 2026, shënon vetëm hapin e parë. Prova e vërtetë për institucionet do të jetë thithja e fondeve evropiane dhe zbatimi i projekteve me impakt zero në mjedis, brenda afateve të përcaktuara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT