Vuçiç gati për luftë! Zbulon strategjinë e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian: Jemi më të përgatitur se kurrë

Presidenti i Serbisë është shprehur se brenda 2035 e shikon vendin e tij si anëtare të BE-së duke theskuar se kjo do të arrihet në 10 vitet e ardhshme nëse vijohet të ruhet paqja dhe stabiliteti.
“E shoh Serbinë në vitin 2035 si anëtare të Bashkimit Evropian. A do të kemi të drejtë vote, Komisioner? Nuk e di. Por për këtë, duhet të përshpejtojmë reformat tona, jo se nuk jemi në gjendje t’i përmbushim ato në bujqësi”, tha Vuçiç në prezantimin e Strategjisë “Serbia 2030” në Pallatin e Serbisë në Beograd.
Ai prezantoi vizionin e Serbisë për vitet 2030-2035, duke vlerësuar se vendi është në rrugën e përparimit, por se ky përparim nuk është mjaftueshëm i shpejtë, ndaj theksoi se në të ardhmen do të jetë përpara vendeve të rajonit, veçanërisht në aspektin e zbatimit të inteligjencës artificiale.
“Unë shoh një vend që përqafon inteligjencën artificiale, bashkimin e softuerit dhe pajisjeve, inteligjencës dhe punës”, shtoi Vuçiç, duke deklaruar se Serbia duhet të mendojë shpejt, të punojë më shumë dhe të marrë vendime strategjike.
Ai gjithashtu pohon se në vitin 2030 paga mesatare në Serbi do të jetë 1.320, dhe pensioni mesatar do të jetë 750 euro.
“Paga mesatare në vitin 2030 duhet të jetë 1.700 euro. Pagat dhe pensionet nuk varen nga vendimi i shtetit, si paga minimale. Kjo nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur”, tha Vuçiç në prezantimin e strategjisë kombëtare.
Ai tha se investimet kapitale deri në vitin 2030 do të jenë 17 miliardë euro, plus 31 miliardë deri në vitin 2035, pa llogaritur kostot për ushtrinë dhe policinë. “Jo më pak se 15 miliardë euro do të ndahen për ushtrinë” u shpreh Vuçiç.
Ajo që bëri përshtypje ishte momenti kur Vuçiç përmendi dhe marrëdhënien e Serbisë dhe Kosovës, ku solli në vëmendje dhe situatën e tensionuar së fundmi në Lindjen e Mesme.
Presidenti i Serbisë tha se problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm përmes bisedimeve, se Beogradi nuk dëshiron konflikte, duke theksuar se momentalisht nuk ka dikë me të cilin mund të flasë në Prishtinë.
“Dëshira e tyre e vetme është të dëbojnë serbët nga atdheun e tyre shekullor dhe të dëbojnë Serbinë. Ne duhet të forcojmë shkollat dhe qendrat shëndetësore, të sigurojmë strehim për qytetarët tanë dhe t’i forcojmë ata financiarisht”, tha Vuçiç.
Më tej Vuçiç shtoi se Kosova është përcaktuar kushtetutshëm si një provincë autonome e Serbisë, se kjo është e tillë edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe se kjo është pranuar nga shumica e vendeve në botë.
Ai i informoi qytetarët e Serbisë se udhëheqja ushtarake e di numrin dhe llojin e çdo rakete dhe granate të qëlluar në fushën e betejës persiane, duke shtuar se po monitorohet shumë mirë si dhe po zhvillohen shumë përgjigje për çdo krizë të mundshme në të ardhmen.
“Ne jemi shumë më të përgatitur nga sa mendojnë disa dhe nga sa presin disa” u shpreh Vuçiç.