Pse Adriatik Lapaj nuk bëhet “një” me Berishën? Anëtari i “Shqipëria Bëhet” e thotë troç: Jemi për protesta pa flamuj partish

Anëtari i partisë “Shqipëria Bëhet” që kryesohet nga Adriatik Lapaj, së fundmi ka zbuluar se pse politikani në fjalë nuk i bashkohet protestave të thirrura nga Partia Demokratike.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për A2CNN, Ervis Çela u shpreh se partia ku ai bën pjesë është kundër protestave që kryesohen nga logo dhe flamuj partish.
“Jemi për protestë pa kryetarë, pa flamuj partish. Kjo është thirrja që bëjmë për të gjithë qytetarët, por nuk ka lidhje me emra specifikë dhe me emra kryetarësh” u shpreh Çela.
Sipas Çelës protestat duhet të zhvillohen në të mirën e qytetarëve, ndaj ai shtoi se nuk ka nevojë që kryetarët e partive opozitare të bëhen bashkë për të protestuar.
Kujtojmë se më 22 mars do të organizohet protesta e radhës e thirrur nga Partia Demokratike, për të cilën ditën e sotme nga mbledhja e grupit parlamentar Berisha bëri thirrje që të gjithë të dalin në terren.
Fjala e Çelës: Jemi për protestë pa kryetarë, pa flamuj partish. Kjo është thirrja që bëjmë për të gjithë qytetarët, por nuk ka lidhje me emra specifikë dhe me emra kryetarësh. Ne nuk po bëjmë koalicion, nuk po bëjmë zgjedhje që të zgjedhim kryetarin e koalicionit. A kemi të njëjtat probleme? A mendojmë njësoj që zgjidhja është qeveria teknike? Nuk është e nevojshme që të ulen kryetarët për të protestuar.