PD bojkotoi seancën e së nesërmes, Balla i keqardhur u përgjigjet: Ishalla po reflektoni, do shpallim Iranin si shtet sponsorizues të terrorizmit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike sa i përket bojkotimit të seancës plenare të së martës në Kuvendin e Shqipërisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla shprehu keqardhje për vendimin e opozitës, duke theksuar se arsyeja e bojkotit lidhet me projekt-rezolutën e propozuar nga socialistët për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit. Sipas tij, cilësimi i kësaj nisme si një agjendë personale është i pavërtetë.
Balla sqaroi gjithashtu se seanca plenare e 17 marsit është miratuar një muaj më parë në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në seancë plenare, duke hedhur poshtë pretendimet se ajo është thirrur në kundërshtim me rregulloren.
“Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni”, shkruan Balla.
Postimi i plotë i Ballës:
Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.
Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni.
Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë.
Gëzuar Natën e Kadrit.