“Nuk ka më teza politike, tani ka grimasa dhe nënqeshje”, Blendi Fevziu komenton sherret në PS: Më përpara personazhet përplaseshin për ide

Një nga temat më të diskutuara gjatë javëve të fundit ka qenë padyshim tensioni brenda radhëve të Partisë Socialiste. Përplasjet mes Elisa Spiropalit dhe Edi Ramës gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së kanë zënë faqet e para të portaleve dhe kanë dominuar debatet në televizionet informative, ku janë dedikuar emisione të veçanta për të analizuar situatën në selinë roze.
Ndërsa një pjesë e strukturës së PS-së, ku ishte Blendi Klosi ai i cili një natë më parë hodhi poshtë interpretimet mbi këto përplasje, vetë ish-ministrja dhe deputetja Elisa Spiropali pranoi në mënyrë diplomatike se tensionet mes palëve kishin ekzistuar.
Lidhur me këto zhvillime, së fundmi ka reaguar edhe gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu i cili në rrjetet e tij sociale solli dy epokat e së majtës shqiptare, atë në të kaluarën, dhe këtë aktualen.
Gjatë fjalës së tij, Fevziu ka theksuar se më herët, përplasjet brenda kampit rozë kanë qenë mbi bazë politike, me ide dhe debate reale mes figurave të ndryshme. Ndërsa sot, sipas tij, lajmet konsiderohen të rëndësishme jo për shkak të diskutimeve ideore, por për sjellje të vogla si “grimasa” apo nënqeshje gjatë fjalimeve të liderëve politikë.
“Sherri në PS. Çfarë sherri ka pasur në PS, pyeta. U futa të lexoj dhe më thanë: “Sherr Rama me Spiropalin”. Po çfarë ka bërë, i thashë, ka hedhur ndonjë ide, ka kundërshtuar ndonjë tezë politike a ndonjë gjë? U ula, lexova, Spiropali kishte bërë grimasa gjatë kohës që fliste Rama dhe kjo ishte parë si një kontestim i madh.
Imagjino tani, politika para kishte përplasje idesh, përplasje personazhesh, gjithmonë mbi bazë politike. Kurse tani lajm është kur dikush bën grimasa se flet një lider politik. Domethënë si mund ta quash lajm politik dhe të merresh me grimasa. Ide nuk ka më, përballje nuk ka më, teza politike nuk ka më, tani ka grimasa apo nënqeshje dhe këtu është lajmi politik. Ju gjykoni vetë se ku kemi rënë”, tha Fevziu.