Rama nga Moska: Rusia nuk është armiku i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama nuk e shikon Rusinë si armike të Shqipërisë, por ai shtoi se marrëdhëniet me këtë vend kanë kufizimet e veta.
“Sa i përket Rusisë, marrëdhënia historikisht e ngrirë, e trashëguar nga një qeveri në tjetrën. Ashtu sikundër e dimë shumë mirë që çdo shkrirje në këto marrëdhënie ka kufizimet e veta jo sepse neve na e dikton dikush por interesi ynë strategjik është të qëndrojmë shumë fortë të lidhur me ata që mbështesin interesat strategjike të shqiptarëve. Kosova u çlirua nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, u çlirua nga Perëndimi. Nuk do të bëjmë eksperimente të pakuptimta me ata që i kemi aleat. Rusia nuk është armik, nuk është as armik i Perëndimit, është një konkurrent kërcënues dhe mbi të gjitha nuk mund të kesh luhatje në marrëdhënie. Ne jemi të kyçur në një aleancë ku për fat të mirë nuk na duhet të marrim vendimet e mëdha strategjike.”, tha Rama në “Real Story” në News 24.
Ai më pas u ndal edhe te projektet kineze.
“Ne nuk kemi refuzuar projekte kineze, ne kemi anuluar një projekt kinez që ishte një projekt skandaloz i nënshkruar nga qeveria e mëparshme për Rrugën e Arbrit.
Për sa i përket 5G, është një qëndrim i yni. Unë e kam bërë të qartë edhe më përpara qëndrimit amerikan. Unë e kam ndarë edhe me një letër me liderët e rajonit, ku kam thënë se na takon të jemi në një sistem të sigurt në lidhje me parimet e Aleancës ku bëjmë pjesë.“