Fëmijët shqiptarë nga Manastiri vizitojnë Kryeministrinë, Edi Rama u bën “tur” e u tregon edhe Parkun Eden (FOTO)

Kryeministria këtë të premte ka pasur të ftuar disa miq mjaft specialë. Në ambientet e saj u zhvillua një vizitë e veçantë nga fëmijë të ardhur nga Manastiri, të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Fëmijët patën mundësinë të takonin kryeministrin, Edi Rama, i cili vendosi që t’i shoqëronte në një shëtitje në ambientet Kryeministrisë, ku ata panë nga afër edhe Parkun Eden, një instalacion i veçantë prej druri i vendosur brenda oborrit të institucionit.
Përmes disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale, Denion Meidani theksoi se këta fëmijë janë një shembull i bukur i dashurisë për gjuhën shqipe, librin dhe identitetin kombëtar.
“Në Kryeministri, së bashku me fëmijët nga Biblioteka “Linkest” në Manastir, në një takim të veçantë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Fëmijë që mbajnë gjallë gjuhën shqipe, librin shqip dhe dashurinë për identitetin tonë, edhe përtej kufijve. Çdo fjalë e mësuar, çdo libër i lexuar në shqip është një urë që lidh brezat dhe një dëshmi se bijtë e shqipes, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre. Ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit”, shkruan ai.