E quajti të “keqpërdorur nga Rama”, Salianji i kthehet ashpër Sali Berishës: PD nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji i është përgjigjur kryedemokratit Sali Berisha, pasi ky i fundit, gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale, hodhi akuza se është keqpërdorur nga Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji shkruan se Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe, duke thumbuar kështu deklaratat e kryedemokratit.
Ndërsa më tej ai shpreh shqetësimin se opozita nuk po frymëzon dhe nuk po organizohet si alternativë qeverisëse, duke kërkuar hapje, riorganizim dhe një lidership që bashkon.
Po ashtu ai paralajmëron se do të vijojë takimet me demokratët për të paraqitur një platformë konkrete për forcimin e PD-së, duke theksuar se “përçarja nuk është alternativë, fitorja është”.
Postimi i plotë i Salianjit:
Nuk kam asnjë nevojë të provoj lidhjen time me Partinë Demokratike. Kontributi im, beteja ime, sakrifica që kam si pakkush janë publike dhe të njohura për çdo demokrat.
Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit.
Sot qytetarët nuk pyesin kush përjashton kë. Ata pyesin pse opozita nuk fiton. Pse nuk frymëzon? Pse nuk organizohet si alternativë qeverisëse, por mjaftohet me retorikë dhe justifikime.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që konsumon energjinë në përplasje të brendshme. Ka nevojë për hapje, për riorganizim dhe për lidership që bashkon, jo që ngushton.
Unë do të vazhdoj takimet me demokratët dhe do të paraqes një platformë konkrete për ta bërë Partinë Demokratike më të fortë, më të hapur dhe më konkurruese. Askush nuk mund ta përjashtojë vullnetin e demokratëve për ndryshim.
Qetësia, përgjegjësia dhe vendosmëria janë rruga ime.
Përçarja nuk është alternativë.
Fitorja është.