Delvinjotët nën “mallkimin” e motit këtë vit, nga zjarret që i shkrumbuan në verë, tek ujërat që i përmbytën në fillim dimri

Delvina duket se po përjeton një nga vitet më të vështira të saj, e goditur njëherë nga flakët përvëluese të verës dhe sot nga përmbytjet e para të dimrit, sikur moti t’u ketë rënë në “qafë” banorëve të këtij qyteti.
Ende pa u shuar kujtimet e trishta të gushtit, kur qyteti kaloi 48 orë ferri dhe flakët depërtuan dhe dogjën një lagje të tërë, duke shkrumbuar banesa e duke detyruar evakuimin e dhjetëra familjeve, delvinjotët janë zhytur sërish në një emergjencë të re.
Në ditët e zjarreve, autoritetet u angazhuan me të gjitha forcat, ndërsa dy helikopterë çekë dhe sllovakë erdhën në ndihmë për të ndaluar përhapjen e flakëve. Pamjet e shtëpive të djegura dhe banorëve të dëshpëruar pasi u iku nga duart “mundi” i një jete të tërë kanë mbetur ende të freskëta në kujtesën e tyre, por dhe të gjithë shqiptarëve. Por, sot vetëm pak muaj më vonë, qyteti është përballë një katastrofe tjetër natyrore, këtë herë nga reshjet e dendura të shiut që kanë pushtuar gjithë territorin.
Gjatë natës, reshjet kanë shkaktuar përmbytje masive duke bllokuar rrugën kryesore hyrëse të qytetit, ndërsa uji ka vërshuar në biznese dhe banesa. Prurjet e mëdha kanë hyrë me shpejtësi, duke dëmtuar mallra, pajisje dhe duke krijuar kaos në qarkullim.
Banorët raportojnë se niveli i ujit është rritur brenda pak orësh, duke i zënë të papërgatitur dhe duke rrezikuar seriozisht edhe themelet e shtëpive të tyre.
Në terren kanë punuar pa ndalur punonjësit e bashkisë dhe mjetet e rënda, ndërsa kryetari i Bashkisë Delvinë ka qenë pranë ekipit të emergjencave për të monitoruar nga afër situatën dhe për të koordinuar ndërhyrjet.
Megjithatë, disa zona janë aktualisht të izoluara. Lagja Llakë dhe Xhermëhallë janë ndër më të goditurat, me rrugë të bllokuara dhe banorë që e kanë të pamundur lëvizjen. Edhe qendra e qytetit është në një situatë të rënduar, me biznese të përmbytura dhe segmente rrugore të pakalueshme.
Mes shqetësimit dhe pasigurisë, banorëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencave civile, ndërsa autoritetet pritet të japin një përditësim gjatë orëve të paradites. Delvina, që në verë luftoi me zjarrin dhe sot me ujin, duket se është futur në një cikël të pafund fatkeqësish natyrore që kanë vënë në provë rezistencën dhe durimin e komunitetit.