PD i përgjigjet deklaratave të Metës: Kurrë plan për djegien e institucioneve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka reaguar pas deklaratave të presidentit Ilir Meta, ditën e sotme para komisionit hetimor në Kuvend.
Në lidhje me qëndrimin e presidentit Meta, që u shpreh se kishte pasur informacion për rrezikun e djegies së parlamentit në protestën kombëtare të thirrur nga opozita në 8 qershor, Bardhi tha: “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit”.
Në vijim, Bardhi shtoi se kreu i PD, Lulzim Basha ka denoncuar vazhdimisht skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.
Sipas Bardhit, komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Meta është një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës.