Ambientalisti publikon fotot skandaloze nga varrezat e Tufinës e shkruan: Po shkojmë me plehrat në amshim!

Ambientalisti Sazan Guri mëngjesin e sotëm në 28 tetor ka publikuar dy foto nga varrezat e Tufinës në Tiranë, ku siç thotë ai është gjendur për të përcjellë në banesën e fundit një njeri të afërt të tij.
Por ajo që e ka shqetësuar, nuk ka qenë ceremonia. Grumbujt e mëdhenj me plehra edhe në varrezat e Tufinës që tashmë si pozicion kanë marrë hapësira gjigande, e kanë bërë atë të shkruaj përjetimin sesi përcillen për në banesën e fundit njerëzit.
“U ndodha ne Tufinë sot për njeriun tim, por ç’të shikoje! Atë që askush nga ne nuk mund ta besojë.
Edhe në varr, këta mortje, na bëjnë që të na shoqërojne plehrat! Siç e shikoni, më parë varrosen plehrat, pastaj njeriu, që kur të hapet gropa, trupi i njeriut të shkoj në xhenet bashkë me plehrat e bashkisë.
Kush na thotë nëse është pa dashje, nga padija apo me qëllim që të shkojmë me plehrat në amshim”, shkruan ambientalisti.
Varrezat e Tufinës janë krijuar në vitet ’70 – ’80 dhe morën shumë shpejt statusin e vendprehjes qendrore për banorët e Tiranës. Vitet e fundit ka pasur shpesh akuza për abuzime në administrimin e tyre, por përballë problematikave të shpeshta në sektorë të tjerë dhe sidomos për varrezat e Sharrës të cilat shpeshherë mbulohen nga tymi i djegies së plehrave, këto varreza janë lënë jashtë vëmendjes së publikut, raporton Newsbomb.al.
Kohët e fundit ato janë zgjeruar shumë dhe shpesh ka dalë e nevojshme edhe kërkesa për të gjetur një vend të ri jashtë territorit të Tiranës. /newsbomb.al/