2 milionë lekë për Elton Qynon, Kushtetuesja rrëzon sërish SPAK dhe i jep të drejtë gazetarit të njohur

Pas një përplasjeje të gjatë ligjore me SPAK-un, gazetari Elton Qyno ka marrë një vendim pozitiv nga Gjykata Kushtetuese, e cila i njeh të drejtën për të përfituar 2 milionë lekë të vjetra si kompensim për shpenzimet gjyqësore dhe avokatore.
Vendimi vjen pas padisë së Qynos për mbrojtjen e burimeve gazetareske dhe të drejtave kushtetuese, pas sekuestrimit të pajisjeve të tij në dhjetor 2023. Kësisoj, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen shtetit në këtë rast dhe jo gazetarit.
Megjithëse Kushtetuesja i shpalli veprimet e SPAK-ut si të paligjshme dhe urdhëroi shkatërrimin e të dhënave të sekuestruara, prokuroria nuk ka zbatuar plotësisht vendimin, duke refuzuar të fshijë kopjet elektronike të dy telefonave të gazetarit. Sipas SPAK, ato nuk klasifikohen si pajisje kompjuterike, ndryshe nga telefoni i djalit të Qynos, të cilit i janë shkatërruar të dhënat.
Rasti ka ngritur debat mbi standardet e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe mbrojtjen e lirisë së medias. Organizata “Res Publica”, që ka ndjekur çështjen, e ka cilësuar vendimin e Kushtetueses si një hap të rëndësishëm për forcimin e aksesit në drejtësi për qytetarët dhe gazetarët.