Dhëndri i Donald Trump merr “dritë jeshile” edhe në Serbi, i hapet rruga ndërtimit të hotelit madhështor 500 milionë dollarësh

Kuvendi i Serbisë miratoi të premten një ligj të posaçëm për shembjen e godinës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në qendër të Beogradit, duke hapur rrugën për ndërtimin e një hoteli luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Pas disa ditësh debati të nxehtë dhe protestash në rrugë nga kundërshtarët e planit për të rindërtuar këtë kompleks historik ushtarak, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, projektligji u miratua me 130 vota pro dhe 40 kundër në parlamentin me 250 anëtarë.

Qeveria e Serbisë vitin e kaluar hoqi statusin e mbrojtur të kompleksit dhe nënshkroi një marrëveshje qiraje 99-vjeçare me kompaninë amerikane Affinity Global Development, e lidhur me Kushnerin. Megjithatë, projekti u bllokua më pas pasi prokurorët për krimin e organizuar nisën një hetim mbi vërtetësinë e dokumenteve që hoqën statusin e mbrojtjes.

Qeveria pro-Trump e Presidentit Aleksandar Vuçiç argumenton se projekti do të stimulojë ekonominë dhe lidhjet me administratën amerikane. Por plani ka shkaktuar kundërshtime të forta nga ekspertët për shkak të rëndësisë arkitektonike të ndërtesës dhe simbolikës së saj si shenjë e rezistencës ndaj bombardimeve të NATO-s, të cilat në Serbi konsiderohen shpesh si një “agresion” i padrejtë.

Ligji i posaçëm, i njohur si Lex Specialis, i lejon autoritetet të vazhdojnë punimet, duke përfshirë prishjen e pjesëve të mbetura të dy ndërtesave që janë shembuj të arkitekturës së mesit të shekullit të 20-të në ish-Jugosllavi. Presidenti Vuçiç, i cili e ka pritur Kushnerin disa herë në Beograd, i ka dhënë mbështetjen e tij personale projektit.

Kompleksi luksoz, me vlerë prej 500 milionë dollarësh, do të përfshijë një hotel madhështor, apartamente luksoze, hapësira zyrash dhe dyqane. Autoritetet thonë se kompania e Kushnerit ka premtuar të ndërtojë edhe një kompleks përkujtimor për viktimat e bombardimeve të NATO-s.

Debati publik ka qenë i ashpër. Qindra protestues u mblodhën jashtë parlamentit serb me pankarta ku shkruhej: “Kultura nuk është në shitje, ne nuk do të heqim dorë nga ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm”. Ligjvënësi i opozitës Aleksandar Jovanoviç e përshkroi ligjin si një “krim” që do të zëvendësonte një vend të trashëgimisë me “kazino dhe xhakuzi”.

Serbia u bombardua në vitin 1999 për 78 ditë për të detyruar presidentin e atëhershëm, Slobodan Millosheviç, të ndalte shtypjen ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ndjenjat anti-NATO mbeten të forta dhe pjesëmarrja e SHBA-së në rinovimin e selisë së ushtrisë shihet si një çështje veçanërisht e ndjeshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT