McGonigal do fundosë Ramën? Juristi i PD akuza SPAK-ut: Po zvarritet dosja prej Janarit 2023

Këshilltari ligjor në Partinë Demokratike, Marash Logu, ka komentuar gjatë një interviste hetimet për dosjen McGonigal-Rama. Logu hodhi akuza ndaj SPAK duke theksuar se padia është dorëzuar prej Janarit 2023 ndërsa theksoi se më vonë i janë vënë në despozicion dokumente shtesë nga Kongresi Amerikan dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Sipas Logut, fakti që SPAK kërkonte nga paditësit akte që gjendeshin lehtësisht në internet, tregon mungesë vullneti për të hetuar një nga çështjet më të rënda që implikon drejtpërdrejt kryeministrin shqiptar në një aferë me përmasa ndërkombëtare.
“Ne kemi depozituar një kallëzim penal më 31 janar të vitit 2023, së bashku me zotin Bardhi. Asokohe njiheshin një pjesë e fakteve të kësaj dosje dhe pastaj me kalimin e kohës janë bërë publike edhe faktet e tjera. Veçanërisht gjatë vitit 2023, nga fundi i nëntorit të vitit 2023 kemi vënë në dispozicion të SPAK edhe disa dokumente shtesë, për të vijuar më pas edhe me dokumente përfshirë edhe të Kongresit Amerikan që u publikua gjatë vitit 2024 dhe informacioni i fundit që vjen nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Një pjesë e madhe e këtyre informacioneve janë publike dhe me të drejtë dikush thotë se SPAK vihet vet në dijeni apo në dispozicion të këtyre dokumenteve por më kujtohet që kur ne depozituam kallëzimin më 31 janar të vitit 2023, ne përmendin akt-padinë që e gjen lehtësisht në google. SPAK na bëri një kthim përgjigje ku na thoshte që ti vinim në dispozicion edhe akt padinë. Pra, na kërkonte ne që ti vinim në dispozicion diçka që mund ta gjeje në google por dhe në shumë faqe të tjera, sepse ishte publikuar gjerësisht edhe në faqe e media shqiptare, duke dëshmuar kështu në një farë mënyre mungesën e vullnetit dhe dëshirën për të hetuar këtë çështje.
Megjithatë pasi ne i vumë të gjitha dokumentet dhe informacionet që ne kishim në dispozicion, ka një procedim penal të regjistruar me numër 22 të datës 8 shkurt të vitit 2023, për të cilin kanë kaluar më shumë se dy vite dhe ne nuk kemi informacion të përditësuar se cila ka qenë ecuria apo procedimi me këtë procedim penal lidhur me këtë hetim.”-tha Logu.