Belind Këlliçi nxjerr ekspozitën e 2015 në Hong Kong: Kompania kineze që e sponsorizoi mbrohej nga McGonigal, do e shohë SPAK-u?!

Politikani demokrat Belind Këlliçi ka bërë një reagim në llogarinë e tij, pas zbardhjes së dosjes së ish-kreut të FBI, Charles McGonigal, nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe thotë se Prokuroria e Posaçme në Shqipëri duhet të merret dhe me Edi Ramën.

Ai nxjerr një ekspozitë të hershme të kryeministrit Edi Rama, në vitin 2015, kur vizatimet e tij shkuan në Hong Kong dhe gjithçka u sponsorizua nga Konglomerati kinez “China CEFC Energy Company Limited”.

“Po këto ekspozitat e vizatimeve të Edi Ramës në 2015 në Hong Kong, të sponsorizuara nga CEFC Kineze që mbronte shoku i tij i ngushtë McGonigal, të padeklaruara nga vetë KM në deklaratën vjetore të pasurisë, do i shohë ndonjëherë SPAK, apo s’nuk?!!!

Jo për gjë por u bënë vite që flasim për McGonigalin, shokun e tij Ramën dhe lidhjet e tyre financiare, por nuk ndjehet kush… SPAK hiç! Media hiç! Rama vetë, hiç! Pa merak, se s’keni parë asgjë akoma”, shkruan Belind Këlliçi.

Konglomerati kinez “China CEFC Energy Company Limited”, ku punonte Dorian Duçka, i identifikuar në dosjen hetimore të skandalit McGonigal si “Personi B”, sponsorizoi një ekspozitë të vetë Kryeministrit Rama vite më parë në vitin 2015.

“Kompania e Energjisë CEFC e Kinës Limited dhe Akademia e Kulturës e Kinës Limited organizuan së bashku ekspozitën personale të vizatimeve “Lulet e Kalendarit” të z. Edi Rama në Akademinë Jao Tsung-I nga 26 tetori deri më 6 nëntor.

Ndër të ftuarit zyrtar në ceremoninë e hapjes ishin Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama; Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Kulturës së Kinës; dhe znj. Regina Ip, Bashkëkryetare e Shoqërisë Detare të Rrugës së Mëndafshit.

Znj. Ip theksoi se ekspozita ishte domethënëse në promovimin e shkëmbimit kulturor midis Kinës dhe Shqipërisë, e cila është një nga vendet e “Një Brez, një Rrugë”. Ajo i gjeti veprat e z. Rama mbresëlënëse pasi ato pasqyronin ndjenjat, kreativitetin dhe talentin artistik të një politikani”, thuhej atëkohë në njoftimin e ekspozitës.

Dorian Duçka u shfaq në dosjen hetimore të McGonigal, si person i përfshirë në skandal dhe që ishte pjesë e takimeve që ish-zyrtari i FBI-së zhvilloi me Edi Ramën, me iniciativën e Agron Nezës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT