Akuza e rëndë e Ramës dhe lufta e hapur me Top Channel
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar një ditë më parë një televizion kombëtar, se po dizinformon kundër qeverisë, për shkak se kërkon favore të paligjshme.
“700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit”. “7 punonjës në ditë ikin nga policia”. “Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi”.
Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë!
Arsyeja? Duan favore të paligjshme”, shkruante Rama.
Edhe pse nuk e përmendte me emër, bëhet fjalë për Top Channel, që kohët e fundit është shfaqur radikal ndaj Qeverisë, edhe më shumë se mediat e Berishës dhe Metës.
Top Channel ka qenë një televizion dashamirës ndaj Ramës për vite me radhë, madje dhe në vitet e vështira të këtij të fundit në opozitë, me përjashtim të disa muajve kur Berisha e Basha i morën Bashkinë e Tiranës. Madje atë kohë Ramën e braktisën edhe mediat e Koço Kokëdhimës, nga mërzia pse nuk bëri koalicion me Ilir Metën.
Por kjo kaloi shpejt dhe marrëdhënia mes tyre vijoi si më parë, deri pas zgjedhjeve të pesë viteve më parë, kur pati sërish një thyrje.
Atëhere u tha se TCH mori për drejtor Ben Blushin, një kritik i Ramës, pikërisht për të qenë sa më të ashpër me këtë të fundit.
Por ndodhi e kundërta dhe me afrimin e Blushit marrëdhëniet u zbutën, aq sa Blushi hynte e dilte si në shtëpinë e vet, në Kryeministri.
Tani me sa duket po ndodh akti i tretë i përplasjes.
Por ndryshe nga dy herët e tjera, Rama ka vendosur të kundërpërgjigjet me akuza të rënda, duke thënë se po e sulmojnë pasi duan favore të paligjshme.
Se çfarë, Rama e ka për detyrë ta thotë, nëse kjo gjë është e vërtetë.(TemA)