Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Tërmeti gjunjëzoi më të varfërit

Sabina Veizaj – Mimoza Disha pas tërmetit të së martës fle në kasollen e dhisë. Përpos frikës për jetën e saj dhe të familjarëve, jeta nuk i ka ndryshuar shumë. Ah, ka përfituar do pako makarona dhe vaj. Njëjtë si më parë, kur të afërm e miq që ia dinë hallet, e ndihmojnë herëpashere për të mbijetuar. 

Familja e Mimozës përbëhet prej gjashtë personash; ajo, bashkëshorti, dy fëmijët dhe dy pleqtë. Në familjen e saj nuk punon kush. Bashkëshorti është invalid dhe nuk merr asnjë pagesë nga shteti. Dy pleqtë marrin pension 10 mijë lekë (të reja) në muaj të dy sëbashku.

Mimoza merret me dhinë dhe bujqësi. Mbijetesa e saj fitohet edhe me ndihma sporadike nga të afërm dhe të njohur. 
Familja jeton në Budëll të Njësisë Administrative Bubq, Bashkia Krujë.

“Mbi fëmijën nuk vihet asgjë. Atë natë kam parë tmerr me sy. Por nëse do të më pyesnin çfarë dua tani, shtëpi që të rehatoj fëmijët”, më thotë Mimoza pasi më tregon shtëpinë.

E nisim nga kasollja dhe dhia të cilës në një moment i thërret me qetësi dhe dashuri “hajde tek nëna”.

Ajo është e ndërgjegjshme ku jeton. Sytë i ka të mbushur me lot, por ende të pashpërthyer. Fëmijët luajnë në oborr. Kanë një pistoletë me sumbulla dhe godasin sa andej-këndej. Qeshin, gumëzhijnë. Të paktën, nuk ndjehet frikë rreth tyre. Gjyshja e shtëpisë është ulur në një minder jashtë shtëpisë dhe po qep sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ajo nuk dëgjon. 

Mimoza më fut në atë të ashtuquajturën shtëpi që prej të martës nuk ka drita dhe ku uji ka shpërthyer gjithandej, edhe pse zona vuan ekstremisht në ditë të zakonshme edhe për ujë edhe për drita.

Shtëpinë Mimozës ia ka ndërtuar komuna e dikurshme. Por ajo shtëpi, si me tërmet, si pa tërmet, njëjtë është.

Ajo ka dëshpërimisht nevojë për strehim dhe për çadër nuk ka pasur mundësi të shkojë të bëjë kërkesë, nuk ka pasur kohë…

Vizitoj edhe shtëpinë ngjitur, kunatën e Mimozës, Shqiponjën. Ajo jeton në shtëpinë një katëshe me burrin dhe tre fëmijët; djali i madh 17 vjeç, goca 14, djali i vogël 10 vjeç. 

“Kam hequr traumë. Varrin e kam përpara syve. Nëse djalin e vogël nuk do ta kishte rrëmbyer në krahë djali i madh, do të më kishte ikur. Aq në pozitë të vështirë kam qenë. Tek kunati po qëndrojmë. Unë nuk kam shkuar dot për të bërë kërkesë për çadra, burri është në punë në firmë private, nuk ka kush më shkon. Na kanë dhënë ndihma”, më tregon Shqiponja. 

Ajo është e papunë. I shoqi paguhet 26 mijë lekë të reja në muaj. Teksa ka tre fëmijë në shkollë që kërkojnë shpenzime. “Ata shkojnë edhe pa ngrënë në shkollë, veç të shkojnë. Mjafton që u kam plotësuar disa kushte për shkollë”, më thotë ajo.

Shqiponja merret me lopën e vetme që ka dhe që e do shumë. “Prej asaj lope, – më rrëfen – jam izoluar. I vëllai kërkonte ta merrte te shtëpia e vet për shkak të tërmeit, por nuk e lë dot lopën. “Atë kam. Bujqësi. Kopësht. Nuk ka kushte më të vështira se kaq. Nuk jetojnë njerëzit kështu si ne,” më thotë Shqiponja Disha.

Edhe kunatit tjetër, Agim Disha, i është dëmtuar shtëpia. As ai nuk ka kohë të merret me të. Ai punon në një firmë private vetëm për 26 mijë lekë në muaj dhe me to duhet të mbajë gjithë familjen. E shoqja është sëmurë me astmë të rëndë dhe nuk mund të punojë e as të mbajë bagëti.

“Me forcat tona ia dalim. Agrumet i shesim. Kam një fëmijë në klasën e 9. Djali më shumë nuk merr me vete të hajë në shkollë, sesa merr. Shumë dobët jemi. Mbrëmë kanë ardhur 50 çadra që i pruri turku dhe janë dërguar të gjitha në Bubq. Vetëm 5 çadra ka prurë në Budëll. Ne natën flemë te një komshi këtu që nuk ka pasur dëmtime në shtëpi. A mund të shkoj çdo natë tek komshiu me gruan?” më thotë Agimi tek nxiton të më tregojë dëmtimet e shtëpisë e të largohet për në punë.

Bubqi, me ç’kuptoj e me atë çfarë më rrëfejnë banorët, është njësia administrative më e varfër e Bashkisë Krujë.

Ka papunësi të madhe, një pjesë e grave dhe e vajzave punojnë në një fabrikë këpucësh në Fushë-Krujë 7-8 km larg nga fshati ku shkojnë me autobus, burrat, ata që punojnë, janë në një firmë private në fshat, të tjerët në të zezë e me bujqësi kush mundet.
Është tejet e vështirë të kuptosh apo ta rrokësh me mendje se si këta qytetarë arrijnë ta ngrysin çdo ditë e të gdhihen sërish në mëngjes përpara tërmetit. 

Po tani që u është shtuar barra psikologjike e humbjes së jetës, e mungesës së strehimit dhe vazhdimësisë? Kur këto mendime u rëndojnë atëkohë kur përpiqen të vendosin kokën mbi kashtë, ndoshta mendojnë se ishin mirë, edhe kur ishin keq…

Nue Ujka është kryefamiljari i një familjeje me 7 veta. Deri të martën ndaj të gdhiri ai zotëronte një shtëpi njëkatëshe ku jetonte edhe me gjashtë pjesëtarët e tjerë të familjes.

“Çatia ka rënë. Ka plasje të rënda muresh. Nuk ka ardhur njeri ta vlerësojë. Jetoj në një hangar bari me djalin e nusen e tij dhe 3 fëmijët”, më tregon Nue, duke ngashërirë thellë dhe sytë i mbushen me lot. Tek zgjat mëngën e xhaketës t’i fshijë më thotë se fëmijët janë të traumatizuar. “Rrinë jashtë natën. Nuk flenë.” 
Nue është pensionist dhe pensioni i tij i pleqërisë është 10 mijë lekë të reja në muaj. Familja e tij merret me bujqësi. Ata kanë një lopë, një gic, pesë pula. Djali në punë të zezë, kur dhe ku të gjejë. Punon me ditë, usta në ndërtim, kurse nusja në fasoneri, ku merr 15 mijë lekë të reja në muaj. 

“Jemi në mbijetesë. 70% e fshatit kështu është. Jemi jashtë aktualisht prej dëmtimeve të shtëpisë nga tërmeti. Asnjë ndihmë deri tani. Shoqatat kanë sjellë ndihma dhe kryepleqtë i kanë shpënë ku kanë dashur. Kam ardhur për një çadër, por asgjë deri tani”, më thotë Nue.

Aktualisht në këtë zonë është paralizuar gjithçka. Të gjithë e kanë ndërprerë punën. Frika e ka pllakosur. Ajo që ata mendojnë është ngrysja e çdo nate dhe gdhirja çdo mëngjes. E kanë të pamundur të mendojnë për perspektivën. Në sytë e tyre shihet tmerri për jetën e fëmijëve.

Pas së martës, edhe ndaj të gdhirin e të dielës, ata përjetuan një tjetër lëkundje të fortë që u ktheu pasigurinë.

“Kemi tre ditë këtu. Thonë do vijnë sot, do vijnë nesër. I kanë çuar çadrat tek vilat. Kjo lloj llumhane është këtu. Nuk merr vesh i pari të dytin”, thotë Nue.

Në lagjen Mallkuç Kodër janë 7 familje, të dëmtuara të gjitha. Siç më tregon Nue, vetëm 2 shtëpi kanë marrë çadër që janë më të përvuajturat. Imagjinoni si mund të jenë këto dy familje, kur përvuajtja në këtë zonë u lexohet të gjithëve në ballë!.

Edhe Kel Ujka ka një familje me 7 persona dhe jeton në Mallkuç Kodër. Ai me bashkëshorten janë në pension. Djali është i papunë, kurse nusja punon në fasoneri, në Fushë-Krujë. “Vështirësi e madhe. Mbijetojmë”, më thotë tek pret pranë Njësisë Administrative për të aplikuar për një çadër. Sipas tij, këtu ka çorganizim. “Organizim i çorganizuar.”

Përpara njësisë administrative ku punohet 24 orë dhjetëra njerëz presin për të marrë çadra dhe ndihma.

Njësia administrative Bubq mendohet të jetë më e prekura nga tërmeti, por në fakt tërmeti këtu është shfaqur si ai njeriu i lig që kur je në buzë të greminës, në vend që të të japë një dorë për të të shpëtuar, të jep shkelmin…

Gjin Canin, po nga Mallkuçi, e takoj përpara Njësisë Administrative. Edhe ai ka nevojë urgjente për një çadër. Shtëpia e tij është rrënuar. Ai ka bashkëshorten, djalin dhe vajzën. Ai dhe gruaja marrin pension pleqërie të dy sëbashku 16 mijë lekë në muaj. Fëmijët janë pa punë. Djali herëpashere, kur gjen punon me ditë, në të zezë.
“Me skarifica të mëdha. Kur nuk ka punë, rrinë me mua në shtëpi. Ilaçe e kam pensionin. Mar 41 mijë lekë në muaj ilaçe. 34 mijë lekë më ngelin për të ngrënë”, më rrefn Gjini.

Ai kërkon veç një çadër, se “për një pako makarona nuk është problem”, thotë.
Ajo që të çudit është se megjithë mjerimin që ka hedhur rrënjë prej kushedi kur në këtë zonë të vendit, njerëzit nuk ankohen. Ata luftojnë me veten, me ditën, me të pamundurën, me mundësitë e pakta dhe mbijetojnë me shpatullat e veta. 

“Kërkojmë sipas mundësive, aq sa mundin të na ndihmojnë”, më thonë.

Ata që nuk kanë pasur dëmtime në banesë kanë vazhduar punën. Tek ngjitemi për në Budëll, në anë të rrugës me ullinj, vërej një grua të moshuar sëbashku me të shoqin dhe djalin që punojnë. I pyes nga dritarja e makinës se si ndihen. “Kaloi tani, duhet të punojmë”, më thonë.

Gjon Jaku, jeton në Mallkuç në breg të liqenit. Ai jeton me gruan, djalin e nusen e tij dhe tre fëmijët. Shtëpia ra komplet, më thotë, është e pabanueshme. “Na kanë prurë mbrëmë një çadër. Nuk ka ngrohje, Është tmerr ftohtë dhe nuk përballohet. Në dy të natës kemi dalë jashtë e kemi ndezur zjarr. Fëmijët janë tmerruar,” më tregon Gjoni.

Ai dhe gruaja kanë një pension minimal. Fëmijët punojnë në të zezë, kur mund të gjejnë punë. 
“Ne jemi më të varfrit e Prefekturës së Durrësit. Fëmijët e djalit tim duhet të ecin 2 orë më këmbë buzë liqenit derisa të shkojnë në shkollë. Nuk pyet kush. Vijnë e shkojnë vetë. Në mëshirë të fatit janë,” më tregon Gjoni.

Dikush tjetër që dëgjon bisedën ngre zërin duke thënë se e ka nipin në kopësht dhe çdo ditë e çon dhe e merr në krahë duke bërë dy orë rrugë më këmbë.

Vesel Cakës, nga Mazha e Madhe, i është prishur shtëpia e djalit. Është e pabanueshme. Kurse shtëpia e tij ka dëmtime të vogla. Djali që ka humbur shtëpinë, punon në të zezë, e shoqja në fasoneri. Veseli me të shoqen janë pensionistë; ai merr pension pleqërie 25 mijë lekë të vjetra në muaj, kurse e shoqja 120 mijë të vjetra. Bashkë me ta jeton edhe nusja e djalit; ky i fundit ka shkuar në Gjermani për punë sezonale sepse e kanë të pamundur mbijetesën. 
Prej të martës të gjithë flenë në makinë në oborr të shtëpisë.

“Unë jam 78 vjeç, gruaja 72 vjeç. Nuk kemi fuqi për bujqësi e blegtori. Tokat na i kanë marrë sepse nuk kemi shtet. As nusja e djalit nuk është në punë, Kam marr statusin e minierës dhe nuk kam përfituar asgjë. Këtu duhet të bëjnë verifikimin shtëpi më shtëpi, por deri tani asgjë nuk ka ndodhur,” më shpjegon Veseli.

Kurse Ilir Buza është djali më optimist ndër ta që takova. Edhe me të bisedova përpara Njësisë Administrative ku kishte ardhur për të dorëzuar fotot e shtëpisë së rrënuar nga tërmeti i së martës. Ai jeton po në Mazhë të Vogël. Shtëpia e tij e vogël prej 30 metrash katrorë, strehonte atë, bashkëshorten dhe djalin. E shoqja e Ilirit është në pritje të ëmbël të një fëmije tjetër.

Anjë prej tyre nuk është në punë. Iliri shkon të punojë në Greqi 5-6 muaj në vit. Kur kthehet në Mazhë nëse gjen punë në të zezë me ditë, punon. “Të ardhurat mujore janë të dobta, por ia dalim me të keq. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Unë kërkoj të ndihmohem në këto kushte sa të kenë mundësi. Të ndihmohen në fillim ata që kanë më shumë nevojë e pastaj të tjerët me radhë”, më thotë Iliri duke më treguar fotot e rrënojave të shtëpisë.

Ai ka ardhur pranë Njësisë Administrative edhe për të ngritur një shqetësim; të sugjerojë mbështetje psikologjike për fëmijët e prekur nga tërmeti. “Tërmetin e kemi përjetuar shumë keq, jo unë, por nusja shtatëzënë dhe fëmija”, thotë Iliri. Të gjithë kanë nevojë pas tërmetit, më shpjegon ai, por fëmijët janë ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje psikologjike.

Tek e pyes për perspektivën më thotë se “do punoj më shumë që të jetoj dhe të ndërtoj shtëpinë nga e para. Shtëpinë e ka ndërtuar im at. Aty janë rritur 9 fëmijë. Tani erdhi fundi me sa duket. Ndoshta nga vjetërsia.”

Shpëtim Vathi nga Mazha e Vogël jeton me të atin e paralizuar dhe bashkëshorten e fëmijën e vogël.

Ai është pa punë sepse i shërben të atit prej dy vjetësh që kur ai është paralziuar. Bashkëshortja punon në fasoneri dhe merr 30 mijë lekë në muaj.

“Gruaja me fëmijën e vogël ka shkuar tek prindërit se shtëpia është gati duke u shembur. Po flemë në makinë unë me babain. Ka rënë oxhaku. Shpëtuam, Dolëm shpejt. Nuk kemi marrë ende çadrat. Ndihma kemi marrë gjëra të vogla. Babi ka një pension shumë të vogël”, më shpjegon Shpëtimi.

Ai më thotë se tani për tani nuk po mendon për gjatë. Thjesht të marrë një çadër.

Besim Bardhi jetonte në fshatin Bubq në vilën e tij dykatëshe sëbashku me të shoqen deri të martën kur ndërtesa u shkërmoq nga tërmeti.
Ai dhe e shoqja janë pa punë dhe nuk e kanë mbushur ende moshën e pesnionit. 

Ata jetojnë me bujqësi dhe ndihmën e fëmijëve, të cilët jetojnë në Itali.

“Shtëpia është ndërtuar në 1993-1998. Nuk kam mundësinë të ndërtoj shtëpinë nga e para. Jo vetëm nga gjendja ekonomike, por edhe moshën nuk e kam më. Unë e ndërtoj, por nuk mund ta gëzoj. Kjo që tani është rrënojë, më ka ngrënë 8 vjet. Ishim në moshë më të re, punonim, shkuam në emigracion”, më thotë Besimi.

Në Njësinë Administrative Bubq kuptova se tërmeti, në fakt, ka qenë permanent prej kohësh.

Ajo zonë e harruar me njerëz punëtorë e të mirë, por hallexhinj, nuk është bërë pjesë e ndërgjegjes së askujt. Një tërmet më shumë, një më pak, për ata fshatra që lundronin në varfëri dhe pamundësi, nuk ndryshon gjë.

Në ato fshatra duhet një njeri human që të vendosë t’i bëjë të jetueshëm sepse aty mjerimi ulëret herë i mekur, herë në heshtje…

Back to top button