“S’ka shqiptarë të prekur nga koronavirusi në Kanada”, aktivisti: Ja si paraqitet gjendja në shtetin kanadez

Aktivisti i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kanada Rezart Trebicka, në  një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24” foli për situatën e shqiptarëve në Kanada, në këtë kohë koronavirusi.

Trebicka tha se nuk ka ende raportim për ndonjë shqiptar të infektuar me Covid-19 në shtetin kanadez.

Advertisement

“Situata është akoma shqetësuese, megjithëse ka një rënie të vogël kurbe. Janë shumë raste, mbi 55 mijë të prekur, ndërsa Quebeku ka më shumë të infektuar deri tani. Masat u morën nga qeveria, ka pasur edhe bashkëpunim të mirë, ndërsa nuk kanë munguar edhe lidhjet me SHBA-të.

Masat kanë qenë thuajse të njëjta si në vendet e tjera. Në Kanada jemi diku tek 25 mijë shqiptarë. Fatmirësisht nuk kemi raportime për shqiptarë të infektuar me Covid-19”, tha Trebicka.

Më tej, Rezart Trebicka nënvizoi se edhe në Kanada janë marrë masa, ndërsa janë mbyllur restorante e bare, kurse hapur qëndrojnë dyqanet e bukës dhe që kanë mallra të rëndësishëm jetësorë.

“Është pak e vështirë të bësh një krahasim mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Masat shtrënguese besoj se janë të gjitha në varësi të situatës. Mendoj se masat janë të domosdoshme dhe të pashmangshme. Këtu në Kanada, bizneset esenciale kanë mbetur të hapura, spitalet, dyqanet ushqimore, transporti nuk është ndaluar. Kurse janë ndaluar restorantet, baret etj”, u shpreh Trebicka.

Back to top button