Një ditë në Gjirin e Lalzit, aty ku ndahen dy botë…

Dëgjohen veç dallgët. Gjurmët e freskëta në rërë, tregojnë punën që ka bërë gjatë paradites një optimist “i pandreqshëm”, i cili ka pastruar brezin e plazhit, duke mos u dorëzuar në planet e tij, për të pritur pushuesit e verës. Rëra e pastruar duket si një ishull në mes të rripit tjetër të plazhit në Gjirin e Lalëzit, ku deti “bujarisht” i ka kthyer njeriut mbetje të shumta.

Plazhi është i zbrazur, ndonëse dielli ngroh. Sikur mos të ishte pandemia e Covid-19 frekuentimi i detit do kishte nisur me siguri. Me gjithë fundjavën karantinë dhe urdhrat e herë pas hershme që i zënë vendin njëra tjetrës, në të rrallë, jashtë vilave të shtrenjta, shfaqen dashamirësit e rrezeve.

Ata janë më trimat dhe sigurisht edhe më të privilegjuarit. Jashtë kryeqytetit, në vendin ku ngrihen vilat ku jetojnë pjesërisht njerëzit më influentë në vend, ngjan sikur plazhi është i tëri për ta. Por, secili preferon të qëndrojë në oborrin e vilave përkatëse. Ndonjëri del me fëmijët, ose ecje në distancë. Plazhi ngjan i shkretë dhe sikur të mos ishte dielli që përvëlon, nga braktisja totale e bregut, Gjiri i Lalëzit ngjan sikur i është shkëputur një dite dimri.

Por mes mbeturinave, zërave e fëmijëve që vijnë nga brendësia e vilave, dy çifte të rinjsh ngadalë nxjerrin nga makinat zgarën.

“Një jetë kemi, do bëjmë zgarë”, thërret njëri prej tyre, madje aq sa e ka problem kur i pyet për fotografi.

Nje cift duke bere zgare buze detit Foto; Gazeta “Si”

Lokalet janë të mbyllura, po ashtu edhe restorantet. Në normalitet Gjiri i Lalëzit është një nga zonat më të frekuentuara.

Një i moshuar që është banor i zonës pasi bëri ecje anës detit, është ulur anës rrugës sa të marrë forca dhe të niset sërish. “Më dëgjoni mua, çfarë corona, çfarë virusi mer jahu, janë përralla“,  ngre zërin i moshuari i cili këmbëngul se, “i kam bërë ditët e perëndisë, nuk mund të rri mbyllur”

Rruga automobilistike ndan si me laps dy realitete. Përbri Gjirit të Lalzit banorët e zonës nxitojnë tu vënë kapakun punëve të pranverës, më kryesorja mbjelljet. Të tjerët nxjerrin lopët, delet dhe dhitë për kullotë. Secili në tokat e tij. Ata janë indiferentë ndaj makinave luksoze që kalojnë aty, ndonjëra edhe me sirena policie.

Resortet bëhen njësh me pyllin e pishave, rruga jashtë tyre është shpesh plot me gropa. Plehrat në plazhin e përbashkët janë bërë kapicë.

Në Shënpjetër, dikur plazh publik varkat janë ankoruar. Rrobat prej mushamaje janë hedhur pa frikë nën cadra. Askush nuk ka frikë se dikush mund t’i vjedhë. Rrjetat janë lënë pa teklif. Peshkatarët  e kanë lënë detin fiks në orën 13.00 siç ua ka kërkuar kryeministri me oraret për kufizimin e liri daljes dhe janë kthyer në shtëpi. Gentjan Mesiti, hedh sytë i lodhur nga deti. Ai para Covid-19 çfarë kapte në det e gatuante për restorantin e tij, disi modest dhe popullor. Por, për fat të mirë në fundjavë nuk ka probleme me shitjet e peshkut. Ai flet për gazetën “Si” duke shtuar se “vilat janë plot, kanë ardhur nga Tirana nëpër rezidenca dhe vijnë e blejnë peshkun. E duan të freskët. Unë dal bashkë me të tjerë, meqë kam lokalin, ua mbledh edhe shokëve dhe e shes“

Foto; Peshkatari Gentian Mesiti duke folur per gazeten :”Si”

Të pasurit e preferojnë peshkun e freskët dhe ndaj vrapojnë nga krahu ku ata jetojnë për të ardhur në fund, në vendin e peshkatarëve dhe të pjesës që quhet si “plazhi popullor”. “Nuk kam asnjë problem tjetër,” – thotë nëpër dhëmbë Mesiti, i cili deri para Covid-it e kisha lokalin hapur. “Tani atë e kam mbyllur, por nëse peshkun ma merrnin tregëtarët, tani e shes vetë”

“Sot që ishte e diell sapo mbërritëm, dhe na i morën menjëherë të gjithëve, të mendosh sa shumë janë në krahun tjetër”, shton babai i një fëmije, të cilin rrezet e diellit i kanë lënë gjumë në fytyrë së bashku me detin.

Teksa dielli po bëhet gati të perëndojë, dy burra afrohen. Veshin rrobat e peshkatarit dhe marrin varkën. “E shitëm peshkun në drekë, e morën ata të vilave, tani duhet të gjuajmë sërish”, thotë njëri prej tyre. Ata marrin varkën e tyre dhe i dorëzohen detit, i cili me të njëjtat dallgë përplaset në të njëjtin breg të Gjirit të Lalëzit, me ndasi të forta

Por përpara fjalës së njerëzve për ndasitë e forta, që bien akoma më shumë në sy nga pandemia, dëshminë më të fortë e jep një shtëpi, anës rrugës që të çon drejt Gjirit të Lalëzit. Makinat e personave më të fuqishëm në biznes dhe jo vetëm shpejtojnë drejt Gjirit të Lalëzit përditë që prej 26 nëntorit.

Në Shkafanë, buzë rrugës, fare pranë Gjirit të Lalëzit, një shtëpi e prekur nga tërmeti ka në oborr, edhe çadrën dhe një kontenier. Familja Ylli me shtatë anëtarë është ndarë, gjysma jeton nën çadër dhe tjetra në kontenier. E moshuara e moshës 70 vjeç quhet Shpresa Ylli.

“ Të kem t’i shkruaj një letër Edi Ramës, t’i them po ta kem afër, o bir, po vëre dorën në zemër për ne të ngratët”, tregon e moshuara e cila parashikon ditë akoma më të vështira për djalin nusen dhe fëmijët e tyre.

“Tërmeti erdhi iku, na sollën çadër, kontenier, pastaj në qiell, vetëm llafe. Corona erdhi, ne në cadër e në kontenier, vetëm llafe në televizor. Po si vete halli ynë, kush mendon, ata kalojnë mu në buzë të shtëpisë sonë, të pasurit dhe nuk na shohin. Shikoji fëmijët e pangrënë, ja duken në fytyrë. Ata që kalojnë këtu, asnjëri nuk shikon? Marre a kanë?”, pyet Shpresa që mendon se virusi do ta shpëtonte nëse e zë… Por nusja e shtëpisë Eglantina që para virusit punonte në një lokal në kuzhinë, përpiqet ta zbusë zemërimin e vjehrrës, e cila vazhdon të besojë se një letër drejtuar Ramës do tua ndryshonte situatën.

“Jemi shtatë veta, dhe nëna nuk ka faj, jemi lodhur, në shtëpinë e vjetër që kishte vetëm dy dhoma nuk hyjmë më, aty mbajmë rrobat. Por kur erdhën që e vlerësuan thanë që nuk është aq e dëmtuar dhe se rregullohet, pastaj na sollën çadër e kontenierë, mbase për të larë shpirtin. Unë e humba punën për momentin nga coronavirusi” tregon për gazetën “Si” nusja e cila nuk harron të jetë e sinqertë deri në fund.

“Im shoq punon roje atje tek vilat, merr 250 mijë lekë me ato jetojmë, por kuptojeni sa e vështirë është”, – nuk e fsheh Eglantina të cilën kur e pyet se çfarë mendon kur shikon makinat e shtrenjta t’i kalojnë në derë të shtëpisë shton: “Secili ka fatin e tij,  (SI)

Back to top button