“Lëreni politikën, merruni me krizën”/ Papa, thirrje për politikanët në të gjithë botën

Papa Françesku u bëri thirrje politikanëve që të lënë mënjanë dallimet dhe të merren me krizën e koronavirusit në një mënyrë të bashkuar. “Ne lutemi sot për burrat dhe gratë që kanë një angazhim politik”, tha ai, duke shtuar se “politika është një formë e lartë e bamirësisë”.

“(Ne lutemi) për partitë politike të vendeve të ndryshme, në mënyrë që në këtë kohë të pandemisë, ata së bashku të kërkojnë të mirën e vendit dhe jo të mirën e partisë së tyre”, tha Papa Françesku.

Advertisement

Udhëheqësi i 1.3 miliardë katolikëve romakë në botë nuk përmendi ndonjë vend apo personalitet politik. Që nga fillimi i krizës së pandemisë, Papa në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen për efektet e krizës në shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht të pastrehët dhe migrantët.

Të dielën ai bëri thirrje për një vizion gjithëpërfshirës të botës pas krizës Covid-19, duke thënë se lëvizja pa solidaritet global ose duke përjashtuar një kategori të njerzve nga shërimi do të rezultojë në “një virus edhe më të keq”./REL

Back to top button