Kriza ekonomike nga Covid-19, Fullani: Paratë që jep qeveria të pamjaftueshme. Të japë më shumë për të gjithë

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani thotë se qeveria shqiptare duhet të japë shumë më tepër para për bizneset dhe qytetarët që të shmangë një krizë të thellë dhe të gjatë ekonomike nga koronavirusi.
Fullani tha se duke marrë parasysh që paratë janë falë edhe fondeve të BE-së, qeveria dhe banka shqiptare nuk duhet të hezitojnë në dhënien “pa kufij ekonomik” të parave, pasi sidoqoftë rritja e borxhit është e pashmangshme.
Pjesë nga intervista në emisionin “Opinion”:
Unë nuk jam me filozofinë merr masa dhe shiko, por me filozofinë vepro dhe fito. T’i japësh gjithsecilit paratë për aktivitetin që po kryen. Paratë që ka dhënë qeveria janë të pamjaftueshme. Problem në botë sot është edhe mënyra se si po shpërndahen këto para.
Fevziu: Po ku t’i gjej paratë?
Paratë janë. Sot që kemi një kombinim disa qindra miliona nga BE dhe të tjera, problemi sot këtu është që nuk mungojnë paratë, bankat kanë likuiditet të bollshëm dhe sot që po flasim këto banka kanë krijuar paketat e tyre krahas qeverisë.
Kjo nuk është një luftë numrash, ky është një zjarr që këtij zjarri duhet t’i vësh një mur paraje. Kjo është një krizë e kërkesës dhe ofertës që nuk ka ndodhur ndonjëherë. Të gjithë janë në një mendje, të jepet para pa kufij ekonomik. Qeveria do ta rrisë borxhin se s’bën. Të japë para pa frikë. Të monetizohen të gjithë paratë e nevojshme on-block. Nëse ngadalësojmë rritmet e shpërndarjes dhe ri-shpërndarjes, ne do të hyjmë në një krizë të thellë dhe të gjatë.
Paketa ekonomike nuk është e plotë, të gjithë duhet të marrin para.