Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Tensionet në BE, premisë për orientimin e tregjeve drejt lindjes

Kriza e Covid-19, përveç problemeve të thella ekonomike, ka shkaktuar tronditje dhe në raportet mes vendeve të BE apo më tej, mes SHBA dhe Kinës. Tensionet në Europë kryesisht mes vendeve të pasura të veriut dhe atyre më të varfra në jug sipas analistëve ka gjasa të nixin orientimin e ri të tregjeve drejt Kinës apo Rusisë. Synimet e Pekinit për shtrirjen e investimeve në Europë janë të njohura. Studiuesit vërjenë se Kina është një partnere e vështirë edhe për SHBA për shkak të mungesës së konkurencës së ndershme. Së fundi ajo po akuzohet edhe për mungesën e transparencës në lidhje me pandeminë.

Pandemia e koronavirusit, si një prej krizave më të papreçedenta që prej luftës së dytë botërore zbuloi në mënyrë të papritur krisjet në raportet mes vendeve të BE, mes SHBA dhe BE apo mes SHBA dhe Kinës. Një prej treguesve është dhe hezitimi i BE ndaj ndihmës së kërkuar nga Italia, një nga vendet më të prekura nga kjo krizë.

“Une mendoj se hezitimi i strukturave të BE ndaj ndihmës së kërkuar nga Italia reflekton dobësitë strukturore që ka BE si entitet në tërësi”- thotë Klodian Tomorri, analist për çështje ekonomike.

Analistë të çështjeve ndërkombëtare konstatojnë se hutimi i vendeve transatlantike për të vepruar lidhet me llojin e veçnatë të krizës e pakrahasueshme me të tjera, përsa i takon forcës dhe shpejtësisë.

“Është e vërtetë që BE, dhe kjo është e sigurt, ishte i papërgatitur. Këtë tashmë e pranojnë të gjithë. Ishte i papërgatitur jo vetëm BE, por edhe bota ndaj kësaj pandemie, ndaj pasojave që ajo mund të kishte po dhe ndaj mënyrave se si do reagonin shtetet”- shprehet Enri Hide, Pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare në UET.

Në planifikimet strategjike ngjarja që po përjetojmë thotë studiuesja Valbona Zeneli quhet Mjelma e zezë, me një propabilitet të vogël që të ndodhë, por me impakt të lartë.

“Disa kalkulime optimiste flasin për një reduktim me 10% të PBB të vendeve të eurozonës, dhe për një papunësi, e cila mendohet se do të jetë më shumë se dy herë më e lartë se ajo që erdhi nga kriza financiare e 2008-2009. Flasim për një papunësi më të madhe se 10 apo 15% të vendeve të BE”- thotë Valbona Zeneli, Drejtore e Departamentit të Iniciativave strategjike Marshall Center, Gjermani.

Përtej hezitimit fillestar BE ka ndërrmarrë disa veprime për të përballuar krizën, e përkthyer në miliarda euro.

“Ajo shprehja famoze e Mario Dragit “Çfarëdo që të duhet për të shpëtuar euron” u deshën 4 vite, gjatë krizës financiare të 2008-ës, ndërkohë që vendimet tani nga Banka Qëndrore Europiane këtë rradhë u morën në 4 javë. Në total nëse do marrim ndihmat që do vihen në dispozicion nga BE por dhe nga qeveritë nacionale paketa do të arrijë në 3.2 trilion euro. Pra është shuma më e madhe që është vënë ndonjëherë në dispozicion”- thotë zonja Zeneli.

Analistët vërjenë se masat e izolimit si dhe tensionet mes vendeve të BE apo mes SHBA dhe Kinës të cilat janë më të hershme se kriza aktuale, i kanë dhënë një goditje globalizimit si sistem i ndërvarësisë ekonomike. Në Europë pakënaqësitë për projektin europian janë në nivelin më të lartë dhe terreni për alenaca të reja është i hapur.

“Një tension mes vendeve anëtare të BE krijon një risk që të kemi orientim të flukseve tregëtare dhe ekonomike drejt tregjeve të reja, veçanërisht drejt atyre të lindjes Kinës dhe Rusisë”- thotë Klodian Tomorri, analist për çështje ekonomike.

Vendet e pasura do të distancohen thonë analistët por vendet e varfëra do të jenë të hapura për investimet kineze. Pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare Enri Hide sjell një tjetër këndvështrim kur flet për ekonominë e Kinës.

“Për Kinën është mbijetesë tregëtia me jashtë. Eksportet kineze janë janë elementë mbijetese për ekonominë kineze. Ekonomia kineze nuk mund të mbijetojë dot pa eksporte. Është e organizuar në mënyrë të tillë, që eksportet përbëjnë bazën e saj”- shprehet Enri Hide, Pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare në UET.

Kritikët vërejnë se problemet e SHBA dhe BE me Kinën lidhen me rregullat e lojës në ekonominë e tregut, mungesën e konkurencës së ndershme, spiunazhin industrial që cënon konkurueshmërinë teknologjike të perëndimit, por dhe probleme që lidhen me infrastrukturën kritike dhe teknoligjinë 5G. Studiuesja Valbona Zeneli ndalon edhe në qasjen e fundit të Kinës në ndihmë të luftës kundër Kovid19.

“Çdo ndihmë padiskutim është e mirpritur nga çdo vend, por nga mjaft studiues kjo tashmë po quhet edhe diplomacia e maskave. Është një tentativë e Pekinit për t’u prezantuar si një nga vendet më të përgjegjshme në këkë krizë, por edhe një tenativë për të zbehur përgjegjësinë që Kina pati për mungesën e transparencës krizës”- thotë analistja Zeneli.

Shumë studiues mendojnë se perceptimi që BE nuk është strukturë solidare, nxitet edhe nga fushatat e disinformimit të fuqive të treta. Por ajo që është e dukshme lidhet me rolin në rritje të Kinës në Europë, që prej 8 vitesh edhe përmes nismës 17 plus 1 mes Kinës dhe 17 vendeve të Ballkanit dhe europës qëndrore. Për studiuesit ka shumë rëndësi partneriteti transatlantik si shtylla e ekonomisë botërore me rregulla loje të qarta dhe transparente. Kriza e Kovid 19, në rrafshin botëror thelloi problemet e vjetra ekonomike tregëtare dhe politike, zgjidhja e të cilave do të kalojë në një rrugë edhe më të gjatë se më parë.(VOA)

Back to top button