Show opozitar me Tampona

Nga Bashkim Kopliku

Nga do të hiqen dhjetëra e qindra milionat e eurove , që kushton rritja e tamponimit për corovid-19, që po propozohet pa pushim, duke kërkuar që ne, Shqipëria të arrijmë nivelet e Gjermanisë etj. Kjo po thuhet, kur dihet, se buxheti ynë ka nevoja të tjera pa fund, ka prioritete që lidhen direkt edhe me covid-19, me rritjen e rezistencës së trupit ndaj virusit, që është më kryesorja: tamponi nuk mbron direkt!!!

Advertisement

Çdo shqiptar që guxon të dalë e të japë mend, duhet të njohë gjendjen skandaloze të spitaleve dhe klinkave të lagjeve, të njohë faktin se dhjetëra mijëra familje janë në gjendje vdekjeje nga uria, nëse buxheti i shtetit nuk i ndihmon! E rregullimi urgjent i gjithë këtyre, është shumë më parandalues për covid-19, sesa “tamponimi gjerman”, që nuk bëhet dot në Shqipëri, sado miliona euro të shpenzojmë sot.

Tamponat kanë rëndësi të madhe në vende ku të dhënat nga tamponimi i popullsisë, nuk shërbejnë vetëm për diagnostikim, por shkojnë edhe në grupe shkencëtarësh të virologjisë. Këta shkencëtarë, tek ne janë nja “dy vetë”, kurse te vendet si Gjermania, Italia, a ShBA etj., shkencëtarët e virologjisë etj., janë me qindra në çdo vend!

Të dhënat e tamponimit përdoren nga ta qindra shkencëtarë, për të ndërtuar skema, diagrama, harta etj., për një vend të caktuar, nga të cilat ndërtohen variante qëndrimesh e strategjishë që duhen ndjekur, të cilat i paraqiten qeverisë, që ajo të marrë vendimet e saja përkatëse për të luftuar virusin. Kjo rrugë praktikisht nuk ekziston në Shqipëri, në kuptimin e dhënies së produktit shkencor që duhet, mbi bazën e tamponimit.

Tamponat këtu te Shqipëria jonë, do të shërbenin vetëm për një “show me tampona”, për t’u mburur: ja ku i kemi dhe ne! Po, e kam dëgjuar atë të OBSh që përsëriste “test, test, test”, dhe edhe ne po bëjmë tests, sepse bëhen edhe pa tampona, edhe me tampona, por aq sa është e arsyeshme të bëhen!!!

Ne duhet të tamponojmë, por jo për të zëvendësuar gjykimet klinike rutinë në çdo cep të Shqipërisë, që zgjidhen fare mirë edhe pa tampona 150 euro/copa. Mos t’i djegim kot sot, tani, ato dhjetëra e qindra miliona euro që do të shpenzoheshin për “shkencën shqiptare me tampona”: le ta marrim shkencën të gatshme nga të huajt, deri sa të kemi rregulluar me ato para, shumë gjëra më të ngutshme.

Back to top button