Për atë që kërkon të jetojë gjatë…

Nga Rauf Dimraj

Të gjithë jemi të kufizuar në mënyrë të ndryshme nga e kaluara dhe nga ambjenti që na rrethon.

Ne jemi të ndërtuar nga çfarë hamë, çfarë pijmë, çfarë thithim dhe çfarë mendojmë. Imuniteti i organizmit të njeriut është faktori kryesor që mënjanon rrezikshmërinë e viruseve dhe patologjive.

Të japim disa informacione shkencorë që e ndihmojnë individin për të praktikuar një mënyrë jetese që i fuqizon imunitetin dhe i mënjanon rreziqet nga viruset e sëmundjet e ndryshme dhe i rrit jetëgjatësinë e shëndetshme:

  • “Ulja e imunitetit të organizmit, plakja e parakohëshme ndodh nga faktorët gjenetikë në masën sa 1/3 e totalit ndërsa pjesa tjetër prej 2/3 shkaktohet nga faktorët e jashtëm, domethënë 70 % e plakjes së herëshme krijohet nga vetë individi”
  • “Vetëm 30% e tumoreve shkaktohen nga ndikimet e faktorëve me origjinë trashëgimie dhe nga faktorët ambientalë ose nga ato virusalë. Ndërsa pjesa tjetër prej rreth 70% shkaktohet nga faktorë që lidhen me mënyrën e jetesës, si: pasiviteti fizik, obeziteti, pirja e duhanit, zakonet e të ushqyerit, përdorimi pa kriter i alkolit e i stimulantëve”
  • “Të ushqyerit e tepërt, obeziteti e vendos shëndetin në rrezik dhe ai është shkaku i sëmundjeve vdekjeprurëse”
  • “Rreziku që shkakton sedentariteti është i ngjashëm me rrezikun që shkaktohet nga shumatorja e tre faktorëve të tjerë të rrezikut parësor: rreziku nga sedentariteti = rrezikun nga hipertensioni + rrezikun nga hiperkolesterolemia + rrezikun nga pirja e duhanit”
  • “Në jetë duhet të mbizotërojnë efektet që vinë nga disa aktivitete të fuqishme fizike, të cilat janë antidoda të çmueshme për riekujlibrimin e shëndetit dhe formimin e një stili të shëndetshëm jetese”
  • “Makinat mekanike vjetërohen kur punojnë, qeniet e gjalla vjetërohen kur nuk lëvizin”
  • Biologo John Phelan konkludon: “Të mbash peshën optimale trupore (“i thatë”) të zgjatet jeta nga 2-7 %. Duke kalkuluar një individ me moshë 77 vjeç jetëgjatësia shtohet nga 2-5 vjet”
  • Shkencëtari i famshëm Robert Gallo (pjesëtar i shpikjes të vaksinës Anti HIV) thotë: “Njeriu është programuar për të jetuar 180 vjet, por nëse nuk e arrin këtë moshë atëherë shkaqet duhen kërkuar në ushqyerjen jo korrekte, në mënyrën e papërshtatshme të jetesës dhe në konditat ambjentale, të cilat përshpejtojnë plakjen”

Paraqitet më së e vështitrë, për të mos thënë e pamundur, që të gjesh ndonjë fushë tjetër të jetës përveç asaj të lëvizjes, që mbron dhe zhvillon shëndetin e njeriut në mënyrë natyrale dhe në përmasa shumë  të mëdha. Kjo supremaci e aktivitetit fizik ndodh pasi ai shkakton prodhimin e testosteronit dhe shumëfishon katër herë hormonin e rritjes dhe rinon e rrit imunitetin e organizimit të njeriut, edhe në moshën mbi 85 vjeç.            

Filozofi Schopenhauer thoshte se 9/10 e lumturisë e ka prejardhjen nga gjendja e shëndetit.                                          

Mijra e mijra fakte tregojnë se me anën e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit të përshtatshëm fizik dhe kushteve të mira ambjentale njeriu i bën ballë viruesëve dhe mënjanon patologjitë.

Edukimi fizik është lënda mësimore që përgatit fëmijët, nxënësit, qytetarët, me një stil të shëndetshëm jetese; i zhvillon sistemin kardiovaskular, forcën muskulore të trupit, fleksibilitetin e muskujve të kolonës vertebrale e të gjymtyrëve, si dhe i mundëson të arrijnë përqindjen optimale të dhjamit trupor.

Mësuesit e edukimit fizik luajnë rolin kryesor në këtë aspekt jetësor, duke rritur efiçencën fizike për shëndetin, imunitetin e popullatës sonë, bazuar në shkencat e lëvizjes. Këta mësues fuqizojnë shëndetin qytetar jo me anën e farmacive, por duke dhënë konsulta mbi përmbajtjen e tavolinës ushqimore dhe në frekuentimin e përditshëm të palestrës së gjelbërt natyrore.

Një nga sekretet e mësuesëve është se ata dinë mirë sesi të mbahen enët e gjakut përherë elastike, të cilat i sigurojnë qytetarëve qarkullimin e mirë të gjakut dhe jetëgjatësinë e shëndetëshme. Mësuesit mund të modifikojnë dhe frenojnë në mënyrë të përhershme faktorët e rrezikut të sëmundjeve organike e sociale të shoqërisë, të japin rekomandime të sakta për edukimin ambiental, ndërtimin e strategjive qeveritare dhe të drejtojnë kahun e veprimeve në favor të shëndetit publik.

Është shumë e nevojshme madje e domosdoshme të thellohet platforma shkencore e edukimit fizik miratuar nga Qeveria në vitin 2014. Konkretisht duhet vënë në zbatim një program i mirë organizuar mbi aplikimin e lojrave me lëvizje argëtuese për fëmijët e kopshteve të vendit.

Kjo mund të realizohet me efikasitet duke futur në arsimin para-shkollor edukatore dhe mësues të përgatitur specifikisht për didaktikën e lojrave me lëvizje argëtuese. Ky reformim i edukimit para-shkollor me lojra me lëvizje argëtuese fuqizon imunitetin e organizmit e i garanton një jetëgjatësi të shëndetshme fëmijëve, respektohet e drejta kushtetuese e zhvillimit dhe formimit të plotë të personalitetit të tyre dhe fëmijët fitojnë kompetenca konjitive, psiko-sociale, nocionin e meritokracisë, rrisin sipërfaqen e trurit që është përgjegjëse për zhvillimin e aftësisë së memories dhe familjarizohen përgjithmonë me praktikën e lëvizjes dhe gëzimin e jetës.

Të zhvillosh aktivitet fizik sipas një programi të personalizuar do të thotë të qendrosh shumë më i ri dhe shumë më i bukur nga sa mund të të ndihmojë çdo lloj produkti tjetër bukurie, apo çdo lloj mjeti tjetër mrekullues.

Back to top button