Akuzat e PD-së për maskat, MSH: Mos shpif, por bashkohu luftës sonë

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj akuzave të PD-së për tenderin e maskave, duke e cilësuar si një shpifje të radhës të lëshuar nga ana e opozitës.

“Në përgjigje të akuzave të radhës dhe të strategjisë së njohur të Partisë Demokratike “shpif, shpif se diçka do mbetet”, kësaj radhe në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për masat e shpejta që u morën për mbrojtjen e personelit shëndetësor, sqaron për publikun se procedurat për blerjen e materialeve të mbrojtjes personale për mjekët dhe infermierët gjatë kësaj epidemie, janë zhvilluar duke zbatuar legjislacionin në fuqi.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon edhe një herë Partisë Demokratike të mos hedhë baltë mbi punën dhe sakrificën e specialistëve që punojnë ditë e natë në këtë ministri, në garë me kohën për të siguruar çdo mjet të nevojshëm në këtë luftë, që personeli mjekësor të jetë i mbrojtur dhe të punojë me standarde. Ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë, një orë e më parë!”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Advertisement

Për ministrinë do të ishte më udhës që opozita të ishte konstruktive dhe bashkëpunuese në këtë luftë kundër Covid-19.

“Shpifjet e radhës nuk do e ndihmojnë dot Partinë Demokratike të dalë nga bataku ku e ka katandisur veten, në vend që sot të ishte shembull i një opozite konstruktive dhe bashkëpunuese. Ministria e Shëndetësisë ka siguruar dhe do të vazhdojë të sigurojë – duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin – mjetet e mbrojtjes personale për personelin mjekësor në këtë situatë pandemie, sepse prioritet i yni është mbrojtja e shëndetit të mjekëve, infermierëve dhe stafeve mbështetëse që ndodhen në vijën e parë të zjarrit, në këtë krizë të paprecedent”, theksohet në këtë deklaratë.

Back to top button