Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Lleshaj e pranon: Morëm një sasi gazi lotsjellës nga Kosova në qershor të 2019-ës

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pranoi se Policia e Shtetit ka marrë gaz lotsjellës nga Kosova, gjatë periudhës së protestave të opozitës. I thirrur në interpelencë në Kuvend për përdorimin e gazit lotsjellës nga policia, Lleshaj theksoi se ky gaz ka qenë nga rezervat që policia ka pasur nga qeverisja e kaluar.

Por, sipas ministrit Lleshaj, është marrë në muajin qershor të 2019-ës një sasi gazi nga Kosova, i cili sipas tij, nuk është përdorur asnjëherë, por është kthyer sërish atje ku është marrë.

Më tej, ai shtoi se gjatë vitit 2019 policët kanë rrezikuar jetën nga protestat, por sipas tij, ja kanë dalë të mbrojnë jetën e qytetarëve, ku për fat të mirë nuk pati asnjë viktimë.

“Më 2019 institucionet e shtetit shqiptar janë vërë përballë sulmeve të dhunshme, që kanë paraqitur rrezik për institucionet për jetën e qytetarëve, të deputetëve, të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe kanë sfiduar rendin kushtetues të Shqipërisë. përballë këtyre kushteve, policia ka aplikuar një strategji de-eskaluese, që synon jo përshkallëzim, por de-eskalim. Policia ka vepruar një shkallë më poshtë, në nivelin me të cilin është ndeshur, dhe ka luftuar që të mos ketë asnjë viktimë. Ja ka dalë të mbrojë jetën e qytetarëve. Ja arritën për herë të parë që të mos kemi gjak në rrugët e vendit, armë e jetë të humbura. Gazi është përdorur nga rezervat që policia ka pasur që prej qeverisjes së mëparshme.

Nga Kosova është marrë në muajin qershor një sasi dhe nuk është përdorur asnjëherë, është kthyer sërish atje ku është marrë. Është fatkeqësi dhe turp i madh për këdo që merr dhe ballafaqon fëmijë, gra e pleq përpara policisë. Policia kurrë nuk është angazhuar dhe as do angazhohet me forcë përballë qytetarëve të saj, grave e fëmijëve, por ndaj atyre që shkelin ligjin, që kryejnë krime. Policia ekziston për të frenuar kriminelët, jo popullin. Kush është ai burrë shqiptari që i merr fëmijët e gratë për t’i ballafaquar me policinë? Duhet të jesh aq dinjitoz, sa për të larguar fëmijët nga dhuna. Ata që kanë vënë fëmijët para policëve, kanë shkelur çdo etikë”, tha Lleshaj.

Back to top button