Rama zbulon detajet/ Si ramë dakord me Metën për votimin në Kuvend

Kryeministri Edi Rama i quajti votimet në Kuvend së bashku me ndryshimet për në Kodin Penal, sipas disa ndryshimeve të propozuara nga Presidenti Ilir Meta

Një mbledhje me debate për opinionet natyrshëm të ndryshme mes palëve, që prodhoi konsensusin politik për të sjellë ndryshime në Kodin Penal që për herë të parë përfshijnë ndëshkrimet nga gjobë deri në burg për epidemitë.
Në përfundim të seancës të jashtëzakonshme ku u votuan ndryshimet në Kodin Penal, kryeministri tha se dakordësia ishte arritur në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë një ditë më parë.
Rama pranoi se ka pasur debate mes tij dhe liderit demokrat Lulzim Basha, por tha se mbledhja ishte sipas tij një shembull që duhet ndjekur edhe në politikën publike sa i përket përballjes së mendimeve të ndryshme.

“Po mos të kishte debate atëherë pse u bë mbledhja, se nuk u mblodhëm për t’u parë në sy dhe për të buzëqeshur pa folur me njëri-tjetrin, u mblodhëm për të shkëmbyer opinione që natyrshëm nuk janë të njëjta. E rëndësishme është cilësia e debatit dhe mënyra se edhe kur nuk biem dakord , shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Nëse toni dhe shkëmbimi i mendimeve të kundërta, dhe pozicionimi kundër i natyrshëm do të ishte edhe në jetën politike publike, do të ishte si në dy mbledhjet e fundit të këshillit të sigurisë kombëtare, politika do të ishte shumë më e pranueshme dhe e besueshme për njerëzit”, tha Rama.

Rama tha se me masat lehtësuese për bizneset ku shumë prej tyre pritet të hapen nisur nga situata nën kontroll që Shqipëria ka pasur me përballimin e pandemisë, do të duhet të ashpërsohen ndëshkimet që të mos ketë sërish kthesë në izolim.

“Unë mendoj që sot është bërë një punë e mirë në funksion të situatës, përtej të gjitha fjalëve, kritikave, akuzave, ne sot kemi mbushur një boshllëk të kodit tonë penal që rezultonte i vetmi në Evropë pa asgjë të shkruar për një situatë epidemie, dhe për më tepër në këtë fazë ku ne po përgatitemi të hyjmë në procesin e një hapje graduale të aktivitetit ekonomik dhe të normalizimit sa është e mundur të jetës. Ishte e pamundur të konceptohej që paralelisht të mos kishim edhe këto masa që të garantojnë hapjen. Se ajo që kemi vënë re 10 ditët e fundit, një shqetësim i ardhur edhe nga drejtuesit e policisë, është një lloj relaksimi dhe një lloj lëshimi që nuk mund të kthehet në fenomen se është shumë i rrezikshëm.

Ne kemi rezultate të shkëlqyera në frontin e luftës sa i përket shëndetësisë, pavarësisht se kemi humbje jetësh dhe çdo jetë është shumë e çmuar, por në tërësi kjo situatë kam përshtypjen lexohet gabimisht nga një pjesë e njerëzve, që kujtojnë se iku kjo punë. Për këtë arsye nga duhet të garantojmë hapjen, të mbrojmë njerëzit, jetën dhe patjetër të lehtësojmë një proces që ka ndikuar në ekonominë familjare dhe kombëtare.

Mendoj se është bërë gjëja e duhur. Kemi pasur një takim të gjatë por të dobishëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të adresuar këtë nevojë në kohë për të mos pasur pengesa apo zgjatje të natyrës procedurale, kemi diskutuar edhe me presidentin, jemi harmonizuar përmes ekspertëve të parlamentit dh të zyrës juridike të presidentit, dhe me grupet e tjera parlamentare, është arritur një përfundim që adreson shqetësime legjitime të shprehura nga faktorë të tjerë, dhe nevojën legjitime të këtij momenti”, tha Rama.

Back to top button